Rruga KukësKalimash po përkeqësohet nga dita në ditë. Në 16 kilometrat e këtij aksi shihen dëmtime të shumta, ndërsa reshjet e forta të dy muajve të fundit e kanë përshpejtuar degradimin.

Drejtuesit e mjeteve flasin për situatë të rrezikshme. Në disa pika ka shembje të trupit të rrugës, ndërsa një shkëmb i madh i rrëzuar nga skarpati vijon të qëndrojë në anë të saj, duke shtuar frikën për aksidente.

"Situata e rrugës nga Kukësi në Kalimash është shumë e keqe. Ka shumë gurë sidomos në mëngjes. Ka dy javë që situata është e tillë. Mirëmbajtja e kësaj rruge kërkon shtesë të fuqisë punëtore” tha një banor.

“Aty ku është shembur rruga është problem. Guri që ka rënë është aty prej një javësh. Edhe ura është problem. Ata të mirëmbajtjes kanë punuar, por rruga duhet pastruar sepse çdo ditë bien gurë” tha një banor tjetër.

Problematike mbetet edhe një nga urat kryesore të segmentit, rreth 37 metra e gjatë. Mbrojtëset anësore janë të amortizuara dhe pothuajse jashtë funksionit, çka rrit rrezikun sidomos për mjetet e tonazhit të rëndë.

Ky aks është lidhje jetike për banorët e njësisë administrative Malzi, pasi i lidh drejtpërdrejt me qytetin e Kukësit.

Kompania mirëmbajtëse thotë se ndërhyrjet e mëdha kërkojnë projekt dhe fonde nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Sipas saj, projekti për rehabilitimin e segmentit dhe të urës është dorëzuar për miratim dhe pritet financimi.

Deri atëherë, drejtuesit e mjeteve kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për pikat më problematike, në mënyrë që rruga të mos kthehet në një tjetër pikë të zezë në hartën e aksidenteve.