TIRANE- Shumë projekte rrugore të nisura tashmë, kanë hasur probleme për shkak të shpronësimeve, një problem që e ngre Ministri Haxhinasto, gjatë raportimit të tij për buxhetin, në Komisionin e Ekonomisë. Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto është shprehur se objektivat e ministrisë mbi këtë çështje janë kryer në masën 70%.
 
Një tjetër problem i rëndësishëm i sektorit mbetet edhe transporti urban, si dhe ndërqytetas. Ministri shprehet se sot operojnë dyfishi i operatorëve që i duhen Shqipërisë.
 
Haxhinasto theksoi se për vitin që vjen do të nisë reforma e biletimit, për të shmangur evazionin fiskal, si dhe për të ushtruar një kontroll të rreptë mbi operatorët.

Ndërkohë që për rrugën e Kombit, Haxhinasto shprehet se brenda këtij viti do të kryhet tenderi dhe rruga do të jepet me koncension. Buxheti i Ministrisë së Transporteve llogaritet të jetë rreth 40.3 mln dollarë me një rritje prej 2,6 mln nga viti i shkuar.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)