ELBASAN- Ardhja e pranverës shënon edhe nisjen e sezonit të llixhave të Elbasanit, ku qindra qytetarë zgjedhin ujërat termale për trajtime por dhe pushime. Të njohura për përmbajtjen e lartë të squfurit, këto ujëra curative ndihmojne personat me probleme reumatizmale, por dhe sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes, sistemit nervor, etj.
Sipas operatorëve lokalë, afro 10 mijë persona vizitojnë çdo vit llixhat e Elbasanit në sezonin e vjeshtës dhe të pranverës por shifra nuk është zyrtare.
Pushuesit vijnë nga qytete te ndryshme te vendit por dhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi.
“Unë pata një problem me krahun dhe e ndjej që e kam më mirë. Jam përmirësuar tani. Bashkë me kunatën, kemi 5 vite që vijmë këtu, dy herë në vit. Po është një ambient shumë i këndshëm. Na qetëson bukuria e vendit, ajri i pastër, uji i llixhave shumë i mirë, kushtet janë shumë të mira në hotel, por jashtë rruga është e keqe. Duhet të ketë më shumë investime nga Bashkia”, tha një pushuese.
Në njësinë administrative Tregan, llixhat vijojnë të mbeten një nga destinacionet kryesore të turizmit shëndetësor në vend. Çmimi prej 1700 lekësh për një natë ne hotel konsiderohet i përballueshëm nga pushuesit. Shumë prej hoteleve kanë investuar në vaska private për klientët dhe ofrojnë monitorim bazë mjekësor, me kontrolle të përditshme nga mjeku për tensionin dhe gjendjen shëndetësore.
“Në mëngjes kur çohemi shkojmë në banjot termale. Mandej ecim në këmbë 5 km udhëtim”. Vijmë çdo vit në pranverë dhe në vjeshtë. Ne jemi grup shokësh dhe vijmë çdo vit këtu pasi na ka dhënë rezultat të mirë. Unë paguaj17 euro/dita për fjetje dhe ushqim ne hotel, shto terapinë shkon në 22 euro/dita”, tha një tjeter pushues.
Megjithatë, pushuesit ngrenë shqetësime për mungesën e investimeve publike në zonë. Problematikat kryesore mbeten infrastruktura rrugore, mungesa e trotuareve për shëtitje dhe mungesa e një qendre shëndetësore.
“Shikojeni vetë si është rruga kryesore e fshatit dhe rrugës lidhëse ndërmjet hoteleve. Pemë nuk ka fare dhe na bie dielli në kokë. Bashkia duhet të bëjë investime për rrugën, ujërat e zeza, kanalizimet. Duhet të ketë trotuare e gjelbërim se këtu vijnë me qindra njerëz”.
“Sivjet është viti i 11-të që vijmë në llixha, qysh ditën e parë kur kemi ardhur, e njëjta gjendje është. Rrugët janë katastrofë, s’ka as kanalizime, as asfalt. I kanë lënë për faqe e zezë, aroma e rëndë kundërmon kudo”, tha një vizitor nga Kosova.
“Mua më vjen keq që kjo rrugë në mes të pikës turistike është lënë në këtë gjendje. Ka 10 vite që vij dhe asnjë investim. Këtu shteti në vend që të ndihmojë turizmin shëndetësor, e poshtërson atë”, tha një emigrant që vjen nga Zvcira.
“Makinat i kemi të ulëta dhe detyrohemi t’i zbresim njerezit tek tregu, nuk i sjellim dot deri tek hoteli se përndryshe veç me e marr makinën të ndarë në dyshë”, shprehet një tjeter.
“Kjo puna e ambulancës është problem. Para disa ditës patëm një rast që ishte një zotëri pa qejf dhe s’kishte mjek që ta vizitonte”, tha një grua.
Ne kushtet kur kërkesa per banjot termale është në rritje, zhvillimi i zonës kërkon më shumë investime nga Bashkia e Elbasanit.
Komente










