Gener 2, Albavia, Gjoka Konstruktion dhe Karl Gega Konstruksion janë katër kompani ndërtuese, të cilat janë shpallur kohët e fundit fituese të katër tenderave për ndërtimin e rrugëve me vlerë të përgjithshme 55 milionë euro. Autoriteti Rrugor Shqiptar, ish-Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, me në krye të njejtin drejtor si më parë, Andi Tomën, në mars dhe në prill ka përcaktuar fituesit e tenderave për tre lote të pjesës lindore të Unazës së Madhe të Tiranës dhe të një pjese të mbetur në anën jugperëndimore të saj.
Tenderat zhvillohen në një kohë kur qeveria po bëhet gati të mbyllë dosjet e saj, para zgjedhjeve parlamentare. Ato nuk kanë të bëjnë me dëshirën e papërmbajtur të kryeministrit Berisha për të prerë shirita, pasi do të realizohen në një afat nga 12 deri në 24 muaj, por gjithsesi këto shpallje kanë të bëjnë me mbylljen gati të plotë e kapitullit të përcaktimit të ndërtuesve të Unazës së madhe, një vepër voluminoze dhe e kushtueshme njëkohësisht, që janë kryesisht njerëz të afërt me pushtetarët e sotëm.
Kostoja totale e tri segmenteve nga TEG-u drejt Farkës, Shkozës, Kinostudios dhe Babrrusë, plus pjesën nga Qendra Kristal deri tek Shkolla Teknologjike, pa përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, është 6.4 miliardë lekë të reja, ndërkohë që me TVSH të përfshirë ajo është afro 7.7 miliardë lekë, ose 55 milionë euro. Kjo do të thotë se për të ndërtuar një kilometër rrugë në këto segmente mesatarisht shteti do të ketë një kosto prej 6.9 milionë eurosh. Kjo, pa përfshirë koston e shpronësimeve, që do të jetë një dosje më vete.
Emrat e kompanive të sipërpërmendura figurojnë shpesh në prokurimet masive publike të qeverisë shqiptare, madje jo vetëm për rrugët. Gener 2 ka kryer edhe shtrimin e të gjithë rrjetit me bandë të gjerë për teknologjinë e informacionit në të gjithë Shqipërinë. Karl Gega Konstruksion dhe Albavia kanë një aksioner të përbashkët, që është Sh. Rakipaj dhe kjo e fundit është e pranishme edhe në rrugë dytësore, të marra kohët e fundit, si në Dajç Shkodër, Bistrovicë Berat apo Bilaj Krujë.
Por, caktimi i fituesve në tender nuk do të thotë detyrimisht se këto kompani kanë marrë paratë për të kryer punimet. Në fillim të muajit prill, me anë të një vendimi të Bordit të Menaxhimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, të kryesuar nga nr.2 i MPPT. Zv.ministri Ernest Noka, janë caktuar vetëm 9 miliardë lekë për të vazhduar të gjitha punimet e infrastrukturës në mbarë vendin, ndërkohë që 7.7 miliardë i kërkon vetëm përfundimi i punimeve për segmentet e sipërpërmendura.
Në fakt, ky dokument thekson se në dispozicion të tri loteve të pjesës lindore të Unazës së Tiranës do të vihen nga 40 milionë lekë të reja, ndërkohë që 96 milionë do të shkojnë për pagesën e ndërtimit të segmentit të mbetur jugperëndimor prej 600 metrash. Pra, në total, fondi që do të japë shteti është rreth 1.5 milionë euro, nga totali prej 55 milionësh. Por, për kompanitë dhe drejtuesit e ministrisë së Transporteve e rëndësishme ka qenë që të “zenë rradhën” e punimeve, ndërkohë që faturat në vijim mund t’i paguajë tjetërkush.
TENDERAT E KRYER NË MARS-PRILL 2013 PËR UNAZËN E MADHE TË TIRANËS
Segmenti Vlera pa TVSH Tenderi Gjatësia Afati Fitues
Kristal-Teknologjike 582.564.465 lekë 18 mars 0.6 km 12 muaj Karl Gega Konstruksion
Unaza Lindore Loti I 1.955.797.770 lekë 10 prill 4 km 24 muaj Gener 2
Unaza Lindore Loti II 1.942.441.074 lekë 18 prill 2 km 24 muaj Albavia
Unaza Lindore Loti III 1.933.742.407 lekë 19 prill 1.5 km 24 muaj Gjoka Konstruksion
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.05.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)