12 histori mbresëlënëse, të strehimit dhe shpëtimit të jetës së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, janë shpalosur në ekspozitën e titulluar “Besa” në “Bunk'Art 2”. Në të, si lajtmotiv shëtit një normë e lashtë zakonore shqiptare ”Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.

Janë histori njerëzore, shqiptarësh të thjeshtë, të rrëfyera përmes fotove dhe tregimeve të mbledhura nga fotografi Norman Gershman, për llogari të Muzeut të Holokaustit Yad Vashem, i cili ka bashkëpunuar me Bunk’Art për ta sjellë për herë të parë në Shqipëri këtë ekspozitë.

Nën kurimin e gazetarit Carlo Bollino, ekspozita ndërthur, fotografitë dhe rrëfimet, me një instalacion emocionues të valixheve me kujtime, histori e dhimbje, që vijnë nga larg, nën frikën dhe terrorin e kampeve shfarosëse naziste dhe përballë gjejnë një derë të bukur shqiptare, që rri gjithmonë hapur dhe i mirëpret…..

Beqir Qoqja: Nuk bëra asgjë të veçantë. Të gjithë hebrejte janë vëllezërit tanë.

Vessel Veseli: Në Shqipëri nuk ka të huaj ka vetëm mysafirë.

Destan dhe Lime Balla: Po strehonim fëmijët e Zotit nën besën tonë

Ali Shëqer Pashkaj: Babai besonte se te shpëtosh një jetë është rrugë për në parajsë…

Të gjithë tregojnë historitë e tyre të mikpritjes, dhe shpëtimit të hebrenjve, që kanë në thelb, “Besën” ndaj mikut të shtëpisë. Të gjithë ata kanë marrë tashmë titullin “I drejtë mes kombeve”  akorduar nga muzeu “Yad Vashem” në Jeruzalem dhe me medalje Nderi i Kombit nga presidenti i Republikës i Shqipërisë.

Merushe Kadiu: Babai im tha se gjermanët do të duhej të vrisnin më parë familjen tonë para se linin të vrisnin miqte tanë hebrenj.

Nuro Hoxha: Ofruam mbrojtje dhe humanizëm ndaj hebrenjve. Pse? Besa, miqësia dhe kurani i shenjtë.

Vëllezërit  Hamid dhe Xhemal Veseli: Çdo trokitje në derë është bekim nga Zoti

Kasem Jakup Koçerri: Të shpëtosh një jetë do të thotë te shkosh në parajsë…” Besa buron nga Kurani”.

Beqir Qoqja, Vesel e Fatime Veseli dhe djali i tyre Refik Veseli,  Destan dhe Lime Balla, Ali Sheqer Pashkaj, Besim dhe Hiqmet Zyma,  Mefail Biçaku dhe djali i tij Niazi Biçaku, Merushe Kadiu (vajza e Besim dhe Aishe kadiut), Nuro Hoxha, Zyrha Kasapi dhe djali i saj Hamdi Kasapi, vëllezerit Hamid dhe Xhemal Veseli, Kasem Jakup Koçerri dhe Eshref Shpuza…

Historitë e këtyre 12 familjeve, janë vetëm disa nga lista me mbi  70 shqiptarë që janë shpallur “Të Drejtë midis Kombeve”, një titull nderi që populli hebre u jep të huajve që kanë rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar jetën e një hebreu.

Nga viti 1933 deri në fillimin e luftës, afërsisht 800 hebrenj të përndjekur nga Rajhu erdhën në Shqipëri. Po ashtu,  rreth 1000 hebrenj të tjerë u strehuan në Shqipëri gjatë Luftës. Sipas burimeve të tjerë kanë qenë më shumë se 3500.

Edhe pse autoritetet shqiptare përpiluan lista emrash, ato nuk u dorëzuan kurrë tek gjermanët.

Fati i hebrenjve në Shqipëri gjatë Holokaustit ishte i jashtëzakonshëm në përfundimin e tij: të gjithë hebrenjtë që ndodheshin brenda kufijve të Shqipërisë gjatë pushtimit gjerman – si vendasit, ashtu edhe refugjatët – u shpëtuan, përveç një familjeje të vetme. Si rast unik në vendet e Evropës, në fund të luftës, në Shqipëri kishte më shumë hebrenj sesa në fillim.