Rrugëtim në Qytetin e Rilindjes!

Rrugëtim në Qytetin e Rilindjes!

Ne jemi thjesht copëza në memorien e Kohës – me këto fjalë pa e fshehur aspak emocionin e hijshëm e nisi leksionin përmes diseksionit kadaverik Dr. Marcello Ceccaroni.

Ai do të shpaloste teknikën e tij në të njëjtin ambient ku më shumë se 500 vjet më parë Leonardo da Vinçi kishte realizuar pjesën më të madhe të disekimeve në zonat e nëndheshme të spitalit Santa Maria Nuova të Firences.

Ky është spitali më i vjetër në botë akoma funksional, i themeluar në 1288 nga Folco Portinari, babai i Beatriçes së bukur së cilës do ti thurte vargje Dante Alighieri. Në këto dhoma të nëndheshme, të pahapura më parë për publikun, Leonardo do ti jepte udhë studimit  të anatomisë njerëzore duke shënuar një etapë të re në mjekësi.

Para tij disekimet kishin vetëm qëllim didaktik për tu përshkruar studentëve anatominë e cila ishte fortësisht e lidhur me teoritë mjekësore hipokratike e aristoteliane, ndërsa me Leonardon lind një anatomi “moderne” duke vlerësuar shkaqet e sëmundjes dhe funksionin e organeve. Punimet e realizuara prej tij mbetën për shumë kohë të panjohura ndërsa konceptet revolucionare mbi nocionin e zhvillimit proporcional të shprehura më së miri në L’Uomo Vitruviano, përbëjnë pikën kyçe në përpjekjen e Leonardos për të lidhur njeriun me shkencat e tjera dhe  Natyrën.

Kështu qindra vjet më parë gjeniu fiorentin do të shenjonte përjetësisht bashkëjetësën e artit dhe shkencës në zhvillimin mjekësor. Ishte ndoshta edhe kjo arsyeja që Shoqata Amerikane e Gjinekologjisë Laparoskopike e kishte pagëzuar me emrin “Rilindja e kirurgjisë” (Surgical Renaissance) konferencën mbi kirurgjinë gjinekologjike mini-invazive të mbajtur këtë fillim Maj në Firence.

Figurat më të njohura të endoskopisë gjinekologjike shpalosën në një maratonë kirurgjie të drejtpërdrejtë teknikat kirurgjikale duke aplikuar teknologjitë më të avancuara aktuale para një audience prej më shumë se 800 gjinekologësh nga 62 vende.

Një event ku u demonstrua standardi i artë i trajtimit kirugjikal ku ndërthuren novacionet biomjekësore përmes teknologjisë 3D dhe robotikës me artin e duarve që tejkalojnë pandalim limitet në kërkim të përsosmërisë.

Të mësuarit se lodh kurrë mendjen – një kuotim nga Leonardo i rri këndshëm petkut të edukimit në vazhdim të mjekësisë aktuale. Shërbimi ynë i gjinekologjisë ka shumë për të bërë në drejtim të kirugjisë mini-invazive.

Përveç disa tentativave të izoluara, duket se gjinekologjia në Shqipëri ka mbetur peng i një mentaliteti frenues që autoritetin e kërkon përmes pozitës dhe jo ekselencës profesionale, duke u bërë shpesh here pengesë e futjes së një fryme të re që lejon zhvillimin e kapaciteteve profesionale duke krijuar pole të referencës në trajtimin e patologjive të ndryshme përmes stafeve të dedikuara në mikrospecialitete të përcaktuara.

Vitin e kaluar 5 spitale rajonale u paisën me kolona të laparoskopisë, nga një investim vizionar i strukturave përgjegjëse për shëndetësinë por shkalla e vënies në funksion është jo në nivelin e duhur, pasi përpara kemi sfidën e madhe të trajnimit të burimeve njerëzore.

Mjekët nuk aftësohen vetëm nga trajnime profesionale, ka gjithmonë një zonë gri në profesionin tonë ku rreziku qëndron arrogant pas perdes se të panjohurës. Rrezik të cilin të gjithë mjekët herët a vonë do të duhet ta marrin në sy e ta tejkalojnë me guxim.

Guximi në mjekësi nuk është vetëm karakteristikë individuale por një institucion i formësuar që kërkon një mjedis të caktuar për tu zhvilluar, mjedis i cili në vendin tonë jo gjithmonë është miqësor.  Këto mendime ndaj me bashkëmoshatarin dhe kolegun tim me të cilin gjendesha në auditor.

Një koleg dhe mik me të cilin kemi kaluar të njëjtën rrugë sfidash, kemi patur trajektore të ngjashme formimi e që për më shumë na lidhin perceptime e dëshira, pasion e vizione të përbashkëta në mënyrën se si e shohim ecjen përpara në aftësimin e vazhdueshëm profesional.

Ndërsa endemi në këto mendime papritmas miku im ndjehet keq, sekondat rrokullisen frikshëm ndërsa pema e trupit të tij bie në pavetëdije. Ne jemi mjekë, po fuqia e njohurive tona shpesh herë na bën të vetëdishëm për pafuqinë tonë.

Minutat e mëpasëm që rezultojnë vendimtar për jetën e një individi zhvillohen me një kronologji ideale. Një ansambël veprimesh heroike të zhvilluara në një simfoni perfekte mbushur plot humanizëm dhe shpresë e mbi të gjitha një sistem sinkron që në mënyrë të standardizuar triazhon rastin sipas shkallës së rëndesës që nga telefonata për ndihmë.

Rropama e ngjarjes nuk të lejon fillimisht të jesh i ndjeshëm për shpejtësinë e reagimit, autoambulanca që paraqitet brenda 7-8 minutash, manipulimet reanimuese për minuta të tëra në vendngjarje, vendimmarrja për intervent kirurgjikal dhe angioplastika pasuese brenda orës së parë, janë të gjitha një kaskadë veprimesh që rrjedhin pa ndalesë e alarm ndërkohë që filli i humanizmit dhe luftës në emër të Jetës përçohet kudo.

Jam më shumë se i lumtur ndërsa komunikoj pas 24 orësh me mikun tim. E panevojshme të theksosh rëndësinë e funksionimit të shërbimit të urgjencës në të gjitha hallkat e tij. A po bëjmë sa duhet në këtë drejtim edhe ne?

Krijimi i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore shënon një pikë kthese në rimëkëmbjen e një shërbimi ku më shumë se kudo tjetër sekondat peshojnë shekuj dhe errësira lehtazi takon dritën.

Kjo qendër duhet mbështetur akoma më shumë dhe riorganizimi përmes alokimit të njësive të ndihmës së shpejtë në zona të përcaktuara duhet përforcuar ndërkohë që struktura duhet të funksionojë në mënyrë automome siç dhe emërtohet si shërbim paraspitalor; dhe kjo pikë së pari nënkupton buxhete dhe burime njerëzore të pavarura nga strukturat spitalore.

E ardhmja e sistemit kalon vetëm përmes forcimit të shërbimit të urgjencës një parim që strukturat tona e kanë përqafuar vitet e fundit dhe duhet çuar më tej.

Mjekësia është shkencë dhe art, po ndërsa shkencën mjekësore e përfitojmë përmes programesh të çertifikuara ku mund ta bëjmë tonin artin e mjekësisë. Humanizmin pikë së pari.

Për shumicën e mjekëve sëmundja ime është një rast i zakonshëm gjatë shërbimeve të tyre, ndërsa për mua është kriza e jetës sime. Do të ndjehesha më mirë nëse do të kisha një mjek i cili së paku të ndjente këtë mospërputhje – shkruante Anatole Broyard një ish kritik i njohur në New York Times. Kjo është sfida jonë e përditshme.

Të ndjesh së pas një rasti të “veçantë” është një realitet i pamasë ku përthyhen ëndrra, përpjekje, dëshira të cilat s’do të mund ti perceptojmë kurrë përmes stetoskopit. Po nëse nuk e kultivojmë këtë ndjesi a mund të zhvillojmë sa duhet marrëdhënien mjek – pacient? Duke u fokusuar te simptoma dhe ekzaminime a do të mund të jemi më të suksesshëm dhe më të besueshëm apo në këtë mënyrë duke u angazhuar në shifra e imazhe po humbasim aftësitë komunikuese që janë në themel të besimit të pacientit ndaj nesh?!

Aktualisht ka një hendek të qartë të krijuar mes mjekut dhe pacientëve, pasojë e së cilës janë edhe ngjarje të dënueshme të dhunës ndaj mjekëve, madje nisma ligjore po ndërmerren në mbrojtjen që u takon profesionistëve të shëndetësisë. Por a mos vallë kemi shkuar shumë larg! Ndoshta është momenti të bëjmë një hap prapa, për të ecur përpara në një rrugë ku besimi është baza e suksesit.

Ne mjekët të parët. Në emër të jetës, në emër të Humanizmit. Universiteti i Mjekësisë në Gjenevë ka dizenjuar një program të posaçëm pjesë e kurikulës pikërisht për të përmirësuar aftësitë komunikuese të profesionistëve të shëndetësisë, me objektiva të qarta ku përfshihet kontektstualizimi i gjendjes klinike të pacientit bazuar edhe në sfondin e karakteristikave sociale, demografike dhe kulturore. Shumë më tepër mund të arrijmë përmes zhvillimit të artit të mjekësisë.

Mjekët përshkruajnë medikamente që i njohin pak, në shërimin e sëmundjeve që njohin akoma më pak, për njerëz për të cilët nuk kanë farë njohuri – shprehej Volteri si për të përcaktuar  edhe drejtimet që duhet të ndjekim në përmirësimin e shërbimit mjekësor.

Këto mendime më vijnë ndërsa jam familjari mjek i mjekut pacient në Firence, qytetin e Rilindjes; rilindje të cilën fati e desh ta përjetoja në mënyrë të shumëfishtë!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale