Rrugëtim simbolik ekzistencial në
librin  "Vrima” të Rita Petros

Rrugëtim simbolik ekzistencial në<br />librin 
Rita Petro ka krijuar njëfarë poeme në vargje. Janë copëza poezish që krijojnë tërësi artistike. Mund të lexohen veçmas, por edhe si pjesë të veçanta të një kënge të gjatë: të dhimbshme, njerëzore, përtejnjerëzore; sa e kësajbotshme, po aq e përtejbotshme; sa lokale, po aq universale...

Rita Petro ka formësuar një përmbledhje poetike tërësisht metaforike. Si lexues ndiej kënaqësinë estetike gjatë zbërthimit të kësaj metafore mbi rrugëtimin jetësor të njeriut. Zbërthimi i kësaj metafore është pothuajse i pamundshëm, përpos nëse bëhet nëpërmjet gjuhës së harruar, e cila shpreh realitetin e thellë simbolik.
 
Por kjo gjuhë është e harruar.
 
Në këtë rast ne flasim me gjuhën njerëzore, si reflektim i gjuhës së harruar, gjuhës së ëndrrës, prandaj që në fillim e dimë se do të themi pak për një realitet të thellë simbolik.
 
Rita Petro ka krijuar njëfarë poeme në vargje. Janë copëza poezish që krijojnë tërësi artistike. Mund të lexohen veçmas, por edhe si pjesë të veçanta të një kënge të gjatë: të dhimbshme, njerëzore, përtejnjerëzore; sa e kësajbotshme, po aq e përtejbotshme; sa lokale, po aq universale. Rrugëtimi jetësor fillon nga parabola, nga lëngu amnor dhe nuk përfundon me fundin njerëzor. Ka diçka përtej horizontit që e kap shikimi ynë prej njeriu.
 
Sipas vetëdijes racionale e empirike ne jemi produkt i përvojës jetësore dhe i asaj të mbartur prej kësaj bote. Sipas vetëdijes mitike ne jemi pjesë edhe e parabotës. Vijmë në këtë botë duke mbartur intelektin e kohërave dhe Shpirtin Universal. Kemi shumëçka që nga zanafilla e njeriut, nga gjendja “ex nihilo” ose gjendja e asgjësë.
 
Burimin e poezisë ne e gjejmë pikërisht te miti. Vijimësia e letërsisë së shkruar, përafërsisht, është sipas kësaj linje: miti – letërsia antike – vepra epokash të ndryshme – veprat bashkëkohore.Teksa lexojmë poezinë e Rita Petros kemi ndjesinë se shtegtojmë nëpër kohëra, kultura e qytetërime të ndryshme, që dendësohen në një pikë dhe krijojnë një botë simbolike. Kemi në këtë botë refleksione, dilema, tejkalime kohore e hapësinore, sipërfaqe të një bote emocionale të brendshme dhe reflektime përmasash të ndryshme ekzistenciale.
 
Rrugëtimi jetësor shoqërohet me kufizime të lirisë. Jo të lirisë arbitrare, që nuk e njeh pendesën, por të lirisë së pakufishme njerëzore dhe përtej njerëzore, që formësohet nëpërmjet ngushëllimit.Në këtë rrugëtim nga lëngu amnor kufizimet vijnë në forma të ndryshme, duke filluar nga mjeku, si subjekt i parë që merr pjesë në nxjerrjen e një shpirti nga vrima, duke vazhduar më pas me nënën e babanë, që duan të lënë shenjat e tyre në botën e njeriut, pastaj të shtetit, pra policisë, ligjit, priftit, bosit e deri tek pasardhësi, që njëkohësisht të fal kënaqësi e kufizim. Ky kufizim të përkujton tregimin “Çmendina” të Khalil Gibranit. Një tregim mbi botën ku quhesh i çmendur nëse dëshiron të jesh vetvetja dhe nëse refuzon të jesh si të tjerët.
 
Në këtë përmbledhje poetike Rita Petro e shfrytëzon mitin shqiptar të Konstandinit dhe Doruntinës. E ridimensionon (ripërmason) dhe e risemantizon këtë mit. Në themelet e këtij mitit të ri nuk qëndron fjala e dhënë, por është një tjetër forcë e cila e shtyn njeriun për të kaluar kufizimet e jetës dhe të vdekjes. Është forcë e pasionit, e epshit, e dashurisë.
 
Dashuria “vëlla – motër” këtu nuk është vetëm dashuri njerëzore, incestuoze, që mund të zbërthehet nëpërmjet psikanalizës, por edhe  mitike e biblike. Kjo dashuri na kujton “Këngën e Këngëve”, që i përshkruhet Solomonit dhe e gjejmë si pjesën më të bukur të Biblës. Më pas e hasim te Lasgush Poradeci, ku termi “motër” është e dashura.
 
Nga ky këndvështrim mund të themi se në leximin e parë ne shohim vetëm një pjesë ajsbergu. Në thellësi është diçka më shumë, diçka më e mistershme, më hijesore, më flatore. Edhe ky lexim imi është vetëm gërvishtje në një mur, pas të cilit është një parabotë, këndejbotë e përtejbotë.
 
13 Dhjetor 2014
 

Poetja Rita Petro e ftuar në mbrëmjen poetike nga studentë e pedagogë në Tetovë  
 
Poetja Rita Petro ishte e ftuar në qytetin e Tetovës për librin e saj të fundit poetik Vrima, një libër që menjëherë, pas dritës së botimit u bë objekt i diskutimit në rrethet e letrarëve si dhe të lexuesve në Shqipëri. Kjo mbrëmje poetike u organizua nga një grup studentësh e pedagogësh nga të dyja Universitetet e Tetovës...të pranishëm ishin njerëz të njohur të letrave, shkrimtarë e studiues si dhe lexues.
 
Akademik Ali Aliu iu rikthye shkrimeve të tij kritike për librat e parë poetikë të Rita Petros ku nënvizoi se poetja vjen gati si zë “përjashta”...që nuk ia përcakton dot saktë as kohën, as shkollën, as brezin. Është një poezi që të nxit që t’i rikthehesh, edhe pse transparente, ku sensi i revoltës dhe i pikëllimit, nuk kanë shije të hidhur.

Vihet re gjakimi pas fjalës që shpërthen tavane limituese...
Po kështu gazetari dhe kritiku Salajdin Salihu ndaloi në mënyrën origjinale te shfrytëzimit nga poetja të mitit  shqiptar të Kostandinit dhe Doruntinës, ku në themelet e tij nuk qëndron fjala e dhënë, por forca e pasionit, e epshit, e dashurisë që kapërcen kufizimet e jetës dhe të vdekjes.

Poetja dhe pedagogia Vjollcë Berisha (që ishte njëkohësisht dhe moderatorja e aktivitetit) nxori në pah epërsinë sensuale dhe amësore të femrës, ku ekstaza dhe orgazma vijnë në trajtën e paralelizmit  të fuqive natyrore, si tërmeti dhe vullkani dhe atyre që fshihen brenda trupit të njeriut, konkretisht të vetë femrës.

Studiuesja Luljeta Isaku ndër të tjera u shpreh se heroi i Ritës është ai burrë që lufton për dashurinë dhe di të bëjë një grua të lumtur; studiuesi Zeqir Kadriu tha se më tepër se e guximshme, poezia e Ritës është e vetvetishme në prirjen për të thyer tabu.

Edhe rebelimi nuk është qëllim në vetvete…Rita shkruan ashtu si i ndien gjerat dhe këtu qëndron bukuria e vargut të saj. Në fund poetja Rita Petro iu përgjigj pyetjeve të disa studentëve të letërsisë, të cilët ishin të interesuar për zgjedhjen strukturore poetike të librit si dhe për raportin mes instinktit dhe vetëdijes në poezinë e sotme moderne shqipe e në veçanti të poezisë së saj.  E gjithë mbrëmja ishte e veçantë, ku recitimi i poezisë u shoqërua me tingujt e saksofonit, me jazz e rock, me verë të kuqe e whiskey...ashtu siç i shkon një poezie të tavanshpërthyese.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zjarr në fshatin Kurqele të Klosit, flakët rrezikuan banesat

Zjarr në fshatin Kurqele të Klosit, flakët rrezikuan banesat