Rrugëtimi i Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE

Rrugëtimi i Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE

Liderët e BE dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë

Në vitin 2003, Kroacia nisi serinë e aplikimeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). Kjo seri u mbyll të enjten, 14 vjet më vonë, kur Kosova aplikoi për anëtarësim. Mirëpo, vetëm Kroacia ka arritur ta përfundojë këtë rrugëtim deri më tani.

Statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE kanë arritur ta marrin Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, kurse për Bosnje dhe Hercegovinën ky vendim pritet të konfirmohet nga krerët e qeverive të vendeve anëtare të BE-së gjatë samitit të sotëm.

Nga këto, Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më shumë përparim drejt anëtarësimit në bllokun evropian, pasi që kanë hapur disa kapituj në bisedimet për anëtarësim. Ndërkohë, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor ende nuk e kanë filluar fazën e negociatave për anëtarësim, përderisa Kosova nuk e ka as statusin e vendit kandidat.

Ballkani Perëndimor në rrugëtimin drejt BE-së

Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet e Ballkanit Perëndimor që kanë bërë më shumë përparim drejt anëtarësimit në BE, pasi që kanë hapur disa kapituj në bisedimet për anëtarësim.

Të mërkurën, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE u nënshkrua nga presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti. Të tre udhëheqësit e Kosovës e cilësuan këtë moment “historik”, ndërsa Konjufca shtoi se pret që, pas dorëzimit të aplikimit, Komisioni Evropian të rekomandojë dhënien e statusit të vendit kandidat.

Aktualisht, janë tetë shtete që kanë zyrtarisht statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Turqia, Ukraina dhe Moldavia. Kosovës mund t’i duhen vite të tëra për ta fituar këtë status, pasi që edhe vendet e rajonit kanë pritur ngjashëm – si Shqipëria që priti pesë vjet, dhe Bosnja dhe Hercegovina gjashtë vjet. Megjithatë, disa vende, si Ukraina dhe Moldavia, pritën vetëm disa muaj për ta fituar këtë status.

Kohëzgjatja e procesit nga aplikimi në BE deri te statusi "kandidat"

Shqipërisë iu deshën pesë vjet për marrjen e statusit si kandidate, nga dita kur aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ndërsa, Ukrainës e Moldavisë iu deshën vetëm katër muaj.

Statusi i vendit kandidat jepet me vendim unanim të Këshillit Evropian - dhe duke marrë parasysh që pavarësinë e Kosovës nuk e njohin pesë nga 27 shtetet anëtare të BE-së, ky proces mund të jetë edhe më i ndërlikuar për vendin.

Mirëpo, edhe pa këtë pozitë unike të Kosovës, edhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor ky proces po u merr kohë. Kjo pasi që, siç thuhet në uebsajtin zyrtar të BE-së, “të bëhesh anëtar i BE-së është një procedurë komplekse që nuk ndodh brenda natës”. Vendeve që i janë bashkuar BE-së në vitet 2004, 2007 dhe 2013 – tri zgjerimet e fundit të bllokut evropian – u janë dashur nga tetë deri në 14 vjet që nga dorëzimi i aplikimit e deri te anëtarësimi në BE.

Kohëzgjatja e procesit nga aplikimi deri tek anëtarësimi në BE

Qipros iu deshën 14 vjet nga dorëzimi i aplikimit deri tek anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Ndërsa, Sllovenisë dhe Çekisë iu deshën nga tetë vjet.

Ky proces merr kohë, pasi që vendi kandidat duhet t’i përmbushë disa kritere, t’i përshtatë ligjet e veta me ato të BE-së, si dhe të presë ratifikimin e traktatit për anëtarësim në parlamentet e secilit vend anëtar të BE-së. Kriteret për aplikim – të njohura si “Kriteret e Kopenhagës” – kanë të bëjnë me stabilitetin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe funksionalitetin e tregut ekonomik.

Për vendet e Ballkanit Perëndimor janë vendosur edhe disa kushte shtesë, të përcaktuara përmes Procesit të Stabilizim-Asociimit. Kroacia – vendi i fundit që iu bashkua BE-së, në vitin 2013 – kishte aplikuar për anëtarësim më pak se 1 vit e gjysmë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Por, i gjithë procesi deri në anëtarësimin e Kroacisë kishte zgjatur 12 vjet.

Rruga e Kroacisë deri tek anëtarësimi në Bashkimin Evropian

 

Rrugëtimi i Kosovës mund të jetë më i ndërlikuar sesa ai i Kroacisë, pasi që kjo do të jetë hera e parë që një shtet aplikon për anëtarësim pa u njohur zyrtarisht nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës janë Spanja, Rumania, Qipro, Greqia dhe Sllovakia. Kosova është, gjithashtu, shteti i vetëm i rajonit që nuk ka liberalizim të vizave me BE-në. Kosova, deri më tani, ka vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, që u nënshkrua në Strasburg, më 17 tetor të vitit 2015.

Rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian

Komisioni Evropian e ka përfshirë Kosovën raportet vjetore të progresit për zgjerim që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008. Megjithatë, Kosova nuk ka bërë shume progres në rrugen drejt anëtarësimit./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    16 Nëntor, 09:13

    Kush ka pension më të ulët bonus më të madh në fundvit? Si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore