Pasi mbërrin në Shkodër, për të shkuar në Kasnec të pret një rrugë e gjatë. Rruga premton asfalt deri në fshatin Prekal. Më tej fuoristrada është një kriter i panegociueshëm. Nga Prekali deri në zonën e Kirit të komunës Pult rruga është e egër. Shoferi ynë, Paulini, të cilin na e siguroi kryetari i komunës Pult pas një udhëtimi rreth 1 orë e gjysmë na zbriti në Kir, pranë një lokali të tipit "ëestern". Prej kësaj pike do të fillonte dhe pjesa më e vështirë, ngjitja në këmbë e malit për të shkuar në Kasnec, kësaj here ishte ngjitja në këmbë e panegociueshme, pasi as fuoristrada nuk kishte ç'tu bënte shtigjeve të thepisura të malësisë së egër të Dukagjinit. Pasi ndaluam në kir shkuam në një barrakë të sajuar me një banak dhe vetëm me karrige, ishte një lokal i Dukagjinit, një lokal pa tavolina. Diçka e veçantë por shumë më i veçantë dhe surprizues do na shfaqej banakieri i lokalit. Ai quhet Kol Gjeloshaj. Një njohës perfekt i zonës, ndalesa në lokalin e tij na dha një ide të qartë se sa kohë e mund do të na merrte ngjitja për në Kasnec. Itinerari ynë drejt Malit do të ishte në formë "V"-je. Në fillim një zbritje e thepisur që do zgjaste diku te 25 minuta dhe më pas një ngjitje e vështirë dhe sfiduese drejt malit ku ndodhej fshati e cila parashikohej të zgjaste rreth 1 orë e diçka më tepër. Banakieri i lokalit, Kolë Gjeloshaj, u tregua krejt i gatshëm të na shoqëronte, a thua se do dilnim thjesht një shëtitje në qendër të Shkodrës. Pasi thirri një kushëri të vetin ta zëvendësonte në lokalin e tij pa tavolina, Kolë Gjeloshaj u kthye në udhërrëfyesin tonë. Pasi na habiti gatishmëria e tij për ti hyrë mundit me disa të panjohur gazetarë, akoma më shumë na surprizoi vendosmëria e tij e palëkundur për të qenë ai që do mbante stativin e kamerës përgjatë gjithë shtigjeve. E çfarë shtigjesh! Një miks vendkalimesh mes ferrash gurrësh e një pjerrësie raskapitëse nën 40 gradë celcius. Pa udhërrëfyesin tonë Kol Gjeloshaj gjithçka do të kishte qenë një mision i pamundur. Bisedat me detaje mbi traditat e zonës, apo të kaluarën e fshatit e bënë ngjitjen për në Kasnec disi më të lehtë. Për zbritjen mendoi sërish udhërrëfyesi ynë. Rrugën e kthimit na e zgjodhi nga një tjetër shteg, që të nxirrte në bregun e lumit Kir, të paktën sa për tu freskuar pas 5 orësh në mal. Pas kthimit sërish pikëtakimi me shoferin do të ishte lokali pa tavolina i udhërrëfyesit tonë. Pas ngjitjes së malit, dhe zbritjes së tij,karriget e lokalit pa tavolina na dukeshin si luksi më i madh, ndërsa rrugëtimi në rrugët e Kirit me fuoristradë i ngjante thjesht një guide turistike.
Marre nga Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com
Marre nga Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)












