Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet për parandalimin e aksidenteve dhe sigurisë në rrugë.
Vetëm gjatë javës së fundit kanë vendosur 325 gjoba për shkelësit e rregullave të qarkullimit përfshirë këtu: mosrespektim të radhës në trafik; për pengim/bllokim të lëvizjes si pasojë e ndalimeve/pushimeve të gabuara të automjeteve; për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara; për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit.
Ndërkohë kanë nisur hetimet edhe për 31 drejtues automjetesh.
Njoftimi i plotë:
325 masa administrative dhe 31 procedime penale gjatë javës së fundit ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, të cilët rrezikuan sigurinë në rrugë dhe/ose penguan lëvizjen.
Konstatimet janë rezultat i intensifikimit të monitorimeve në të gjitha akset e kryeqytetit, me prezencë të shtuar të shërbimeve të Policisë Rrugore dhe me përdorimin e pajisjeve logjistike bashkëkohore.
Objektivat madhorë të planit të masave janë parandalimi i ngjarjeve me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës, si dhe parandalimi i kaosit në trafik.
Konkretisht:
-për mosrespektim të radhës në trafik, u vendosën 120 masa;
-për pengim/bllokim të lëvizjes si pasojë e ndalimeve/pushimeve të gabuara të automjeteve, janë ngritur me karrotrec 98 automjete;
-për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, u vendosën 64 masa;
-për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit, u vendosën 43 masa.
Policia Rrugore apelon sërish për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e tjerë të rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke kontribuar drejtpërdrejt në parandalimin e aksidenteve dhe në mbrojtjen e jetës dhe shëndetit.
Gjithashtu, fton qytetarët të njoftojnë menjëherë Policinë për çdo shkelje të rregullave që konstatojnë, duke garantuar reagim të shpejtë dhe konform parashikimeve ligjore.
Komente









