TIRANË- As mbështetja për liderët e UÇK-së, që do të kulmojë me tubimin mbarë-kombëtar në Tiranë nuk i bëri dot bashkë dy palët në Kuvendin e Shqipërisë. Përballë vendimit për të bojkotuar protestën e së premtes, Taulant Balla i hodhi dorashkën e sfidës opozitës duke i kërkuar të ngrihet mbi interesat politike e t’i bashkohet sheshit "Skënderbej“ . Balla se kryeministri Edi Rama nuk do të jetë në protestë, duke e pyetur kështu PD-në se përse nuk i bashkohet protestës.
“Pse nuk vini? Me kushtin që të mos e politizojë. Bëni dhe ju nesër një protestë meqë nuk doni me veteranët e luftës së UÇK. As me ne, bëni një tuajën. Mos hajdeni në shesh, por bëjeni në Shqup ose në ndonjë shesh tjetër dhe me këtë rast do tu vijë më shumë.”, tha Balla.”, tha Balla.
Berishën e akuzoi se i ka shërbyer Serbisë, duke i kujtuar se në të njëjtin vit kur miratohej raporti i Dick Marty kundër UÇK, kreu vrasje ndaj popullit opozitar. Ndërsa me ironi e quajti ‘dhëndër’ të Serbisë.
“Tifozët serbë kur donin të na shanin na thirrni 'Sali Berisha', 'Sali Berisha'. Një gazetar dhe mori në telefon dhe i tha more doktor pse thërrasin tifoz serb emrin tënd. E thërrasin se Saliu është dhëndri i mirë i Serbisë i ka shërbyer mirë Serbisë sa herë ka pasur mundësi.”, tha Balla.
Replikën kryedemokrati ia dha duke akuzuar të parin e socialistëve si mbështetës të presidentit të serbëve, Aleksandar Vuçiç dhe duke thënë se protesta në kryeqytetin shqiptar synon të godasë Albin Kurtin.
“Mitingu që bëhet me nuanca të theksuara kundër qeverisë së Kosovës. Kishte planifikuar 60 minuta Edi Rama fjalim, njësoj si të dilte Vuçiçi të fliste aty. (...) A mundet një shqiptar, të shkelmojë mbi këtë gjak, po pse e bëni këtë sepse kreu juaj është një argat i Vuçiç, pse e bëni këtë sepse kreu juaj është shërbëtor i Vuçiç. Vrasja për shkaqe etnike e civilëve është gjenocid”, tha Berisha.
Mbrojtjen Ramës, ia rezervuan ministra e ish ministra.
"Nuk besoj ju si grup si parlamentar apo opozita mund të na japin ne leksione patriotizmi për Kosovën. Kryeministri është ai që përsëritur në mes të Beogradit kërkesën për njohje të Kosovës", tha Pirro Vengu.
"Rama është avokat i shkëlqyer i çështjes së Kosovës. Me qëndrime të forta diplomatike, aty ku bëhet politika europiane dhe ndërkombëtare, ka kërkuar me forcë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga 5 vende të BE që ende refuzojnë ta njohin", tha Ulsi Manja.
Zgjidhjen sherrit mes dy të palëve të mëdha, PD dhe PS-së, synoi tja jepte Redi Muça i Lëvizjes Bashkë, për të cilin diskutimet se kush është më shumë patriot tingëlluan hipokrizi.
"Ka një zgjidhje farë të thjeshtë, njëra palë le të pranojë gjenocidin në Kosovë dhe gjithë së bashku le të shkojmë në tubimin për krerët e UÇK-së. Nuk ka pse të vazhdojë kjo farsë", tha Muçi.
Prej disa seancash, Kuvendi përplaset mbi debatin e miratimit të rezolutës për të dënuar genocidin serb mbi kosovën. PD insiston te kjo çështje, që për socialistët është ezauruar prej vitesh.
Gjatë seancës, PS rrëzoi kërkesat e opozitës për mocion me debat për programin e qeverisë, fondet e IPARD dhe kërkesën për rezolutë që dënon gjenocidin serb në Kosovë.
Deputetja e PS Marjana Koçeku, e njohur si Neomalsorja ka mbajtur fjalimin e saj të parë në Kuvend gjatë seancës së sotme plenare duke vënë theksin tek zhvillimi i zonave të Veriut dhe veçanërisht të Dukagjinit.
Në fjalën e saj, Koçeku theksoi se misioni i saj politik është përfaqësimi me dinjitet i komuniteteve të lëna pas dhe përmirësimi i kushteve të jetesës në zonat veriore të vendit.
Deputetja kujtoi se para dy vitesh nisi ndërtimi i rrugës së Dukagjinit, një investim që sipas saj ka sjellë impakt të dukshëm në jetën e komunitetit lokal dhe ka rritur interesin për zhvillim ekonomik e turistik të zonës, ndërsa bëri me dije se së shpejti do të nisë edhe projekti për ndërtimin e rrugës Shalë-Tropojë.
'Unë jam në këtë Kuvend për të realizuar atë moton europian që thotë mendo globalisht dhe vepro lokalisht. Zona që unë përfaqësoj veçanërisht Dukagjini ka shumë mungesa dhe nevoja. Para dy vitesh u fillua rruga e Dukagjinit dhe ka pasur impakt dhe një rritje të interesi të vet komunitetit. Në këtë moment që ne jemi jam e lumtur që mbështetja e kryeministrit nuk mungon dhe rruga e Dukagjinit do të shkojë drejt asfaltimit.
Së shpejti do të nis edhe rruga Shalë- Tropojë për ti dhënë alpeve vëmendjen që meritojnë, sepse asnjë zonë më mirë nuk mund të zhvillojë turizmin më mirë se kjo zonë. Jam e bindur se ajo që do të vij është më e mire se ajo që ka shkuar. Dua ta mbyll këtë fjalim timin duke i falënderuar të gjithë qytetarët e Shkodrës që më kanë votuar’, tha ajo.

Pasi kryeparlamentari Niko Peleshi e përjashtoi kreun e Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, ky i fundit ka refuzuar që të lërë sallën e Kuvendit.
Bardhi ka qëndruar në sallë, edhe pse seanca u ndërpre fillimisht për 5 minuta.
Pas rifillimit dhe refuzimit të Bardhit për t’u larguar nga seanca, Peleshi ndërpreu sërish seancën dhe ftoi Bardhin që të lërë sallën e Kuvendit.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, gjatë një replike në Parlament, ka ironizuar deputetët e Partisë Demokratike, teksa tha se Shqipëria nuk është rikuperuar akoma nga komunistë si ata.
Ndërsa më tej ironizoi sërish teksa iu the deputetëve demokratë, se PS shyqyr që i ka, ndërsa Shqipëria gjynah që i ka.
“Nuk do ta merrja më fjalën për veprimtarinë e Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, edhe pse bëj pjesë në grupin e atyre njerëzve që kërkoj më shumë nga këto institucione. Edhe pse një pasojë që nuk janë rikuperuar ende në Shqipëri, janë komunistët si këta. Edhe ndonjë komunist i 68’, që ka ngel peng i idealeve të dhjetorit, Partia Demokratike. Unë ua them shpesh, ne shyqyr që ju kemi, Shqipëria gjynah që ju ka. Për ne iu paçim sa malet. Dini ju që ka pasur avionë të NATO-së në 98’?
Unë kam respekt për personin që ju ka shkruar të dhënat, por lexojani mirë tekstin. Nuk ka pasur kurrë kryetar të PS-së që të ngrejë protesta, pasi kjo parti që unë kam nderin ta përfaqësoj, në gjithë historinë e vet, nga 12 qershori 1991 deri në këtë moment, nuk gjen...”, tha Balla teksa më pas kërkoi 5 minuta pushim, pasi u ndërpre nga deputetët e opozitës.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, i pyetur për protestën e veteranëve të UÇK-së në mbështetje të ish-komandantëve të luftës, u përgjigj se ai nuk e beson kurrë se protesta është rruga e duhur për t’iu kundërvënë gjykatës.
“Së pari, në princip, unë nuk besoj kurrë se protesta është rruga për t’iu kundërvënë Gjykatës.” – u shpreh Berisha.
I pyetur nga gazetarët pas daljes nga Kuvendi, lidhur me atë se edhe ai ka protestuar kundër Gjykatës, Berisha e ka përgënjeshtruar me forcë, duke u shprehur: “Jo, asnjëherë! Nuk kanë qenë protesta, por konferenca shtypi.”
Ky qëndrim i ri i Berishës përsa i përket argumentit të tij për mosmarrje pjesë në protestën mbështetëse ndaj ish-krerëve të UÇK-së, është i habitshëm, duke pasur parasysh se Berisha është nga ata politikan që në këto vitet e fundit gjithçka që e ka bërë në drejtim të PD-së e ka bërë në funksion të presionit ndaj Gjykatës.
Kujtojmë se çdo muaj, Berisha i mbledh militantët e PD-së te hyrja e SPAK dhe e GJKKO-së nga ku lëshon akuza monstruoze për prokurorët dhe gjykatësit e çështjes së tij.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka akuzuar mazhorancën se po shkatërrojnë shtëpitë e vjetra të qytetit të Durrësit për t’ia dhënë kompanive të huaja tokën për të ndërtuar.
Ndër të tjera, Zhupa pas raportimit të Institutit te Studimeve dhe Pasojave të Krimeve të Komunizmit, tha se mazhoranca duke përjashtuar këtë institucion na shkuarja e historisë së komunizmit në Shqipëri, dhe dhënien e të drejtës Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që drejtohet nga Skënder Gjinushi, po kërkojnë të glorifikojnë ‘paraardhësit’ e tyre.
Deputetja e PD thotë se periudha më e errët e historisë së Shqipërisë nuk mund t’i lihet në dorë Skënder Gjinushit, i cili ka shërbyer si ministër i kohës së komunizmit.
“Ka tre ditë që janë vënë në funksion që nga presidenti, kryeministri, kryetari i parlamentit, se këta ushtarët Kumbaro dhe Gonxhe kanë qenë gjithmonë në shërbim, janë vënë në shërbim të pritjes së granofit në Tiranë për t’i mbushur axhendën dhe të ardhurat me trashëgiminë kulturore shqiptare. Pasi i dhanë Butrintin e Drilon Tushemishtin, Elbasanin, tani ka për detyrë të shembi 70 shtëpitë të durrsakëve dhe t’i japë dhe trashëgiminë historike të Durrësit.
Se turistët nuk do të vijnë për të parë shtëpitë e vjetra të durrsakëve do të vijë të shohin lulishtet që do të ndërtojë ADF-ja. Mos u bëni kaq vasalë, dhe fuqinë e lobimit tani e ka humbur dhe mundohuni që të ruani më shumë historinë e trashëgiminë e shqiptarëve sesa qokat tuaja për lobim.
Gjatë gjithë kohës keni dëshirën të glorifikoni figurat e komunizmit të ripërdorni në publik simbolet e komunizmit, të jepni në postet e rëndësishme shtetërorë figura të komunizmit sepse jeni të lidhur me atë kohë e parti, thjeshtë i keni ndryshuar emrin vetes.
Siç ndodhte në ministrinë e të vërtetës, ju bëni gjithçka që të zhdukni faktet që të rishkruani historinë, aq sa në Shqipëri jemi në paradoksin që ky institut nuk ka të drejtë të jetë bashkëpunëtor kur shkruhet historia e komunizmit për Shqipërinë. Këtë e shkruan sipas jush Akademia e Shkencave të Shqipërisë që drejtohet nga Skënder Gjinushi, ish-ministër i kohës së komunizmit. Pra ia keni dhënë xhelatëve që të shkruajnë për të që kanë bërë. Imagjoni çfarë versioni do të marrim ne kur ju nuk lejoni Institutin e Studimeve dhe Pasojave të Krimeve të Komunizmit që të japi kontribut për pjesën më të errët të komunizmit, të krimit. Ju e bëni sepse doni që Skënder Gjinushi të glorifikojë paraardhësit tuaj, parinë e punës, Enver Hoxhën. Shqipëria sot ndodhet në një diktaturë moderne”, tha Zhupa.
Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj sulmoi Presidentin Barajm Begaj duke e cilësuar si “shërbëtor të maxhorancës dhe kamarier të Ramës”. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Gjekmarkaj tha se e kanë menduar si të paqenë, por në fakt kanë gabuar sepse po tregon se është “zgjatim i pushtetit” dhe jo përfaqësues i qytetarëve. Kjo, sipas tij, është një tradhti ndaj vendit.
“Edhe institucionet e tjera që duhet të ishin të pavarura janë shndërruar në degë të ekzekutivit. Presidenti i Republikës që padrejtësisht e mendonim të paqenë, por jemi gabuar. Në fakt është i dëmshëm. Ka zgjedhur të mos jetë më garant i unitetit kombëtar, të jetë garant i interesave të veta meskine. Të njëjtën kohë shërbëtor i mazhorancës, kamarier i kryeministrit me akte gjeste e fjalë. Një president që e sheh veten si zgjatim i pushtetit dhe jo si përfaqësues i të gjithë qytetarëve është dëm për vendin. Kjo është tradhëti ndaj shoqërisë”, tha Gjekmarkaj.
Një ditë më parë, PD depozitoi në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Begajt duke renditur 7 shkelje, nga dekretimi i zgjedhjeve në Tiranë, kërkesa e Presidentit në Kushtetuese për sqarimin e mandatit të anëtarëve të kësaj gjykate, dekretimi i Diellës ministre, dekretimi i ligjit për komisionet hetimore, apo edhe akuzat se lejoi përfshirje të trupës diplomatike dhe kabinetit të tij në zgjedhje. Po ashtu, PD pretendon se Begaj rezulton i punësuar në një klinikë private në Tiranë, si edhe ka favorizuar një kompani sigurimesh duke i dhënë tenderët e Presidencës, ndërsa ajo në këmbim i ka punësuar djalin fiktivisht.
Kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla iu përgjigj akuzave të Flamur Nokës për votën e diasporës. Teksa mori fjalën në Kuvend, Balla tha se e dëgjuar shpesh PD-në që të qahet për votën e diasporës, por u kujtoi se kanë bërë kallëzim në SPAK dhe përgjigjen që kanë marrë pas hetimit.
Ai i drejtohet Nokës duke i thënë se do t’i mundin edhe në zgjedhjet e ardhshme.
“Ju kam dëgjuar shpesh të qaheni se iu paskemi vjedhur votat edhe në Shqipëri edhe në diasporë. por di që i jeni drejtuar SPAK me kallëzim sa i përket asaj që është pjesa organizative e PS në kuadër të një fushate për votën e diasporës. Keni dalë te gardhi, bërë akuza por di edhe nga sa u tha edhe në raportim në kuvend se keni marrë përgjigjen e hetimit dhe mbi atë përgjigje të hetimit për mosfillim nuk keni bërë as ankesë në GJKKO sepse procedura parashikon kur pala nuk është dakord me vendimin shkon dhe apelon. Pra keni pranuar arsyetimin e bërë dhe që SPAK e ka hetuar këtë çështje në detaj.
Dhe pasi e keni marrë përgjigjen dhe u bënë 4 muaj, s’ka ndodhur asnjëherë në zgjedhjet në Shqipëri, që 4 muaj keni hetuar votat 1 më 1. Sa i përket votat të diasporës, ju kemi mundur o Flamur në të gjithë botën, nga Amerika në Kanada, nga Britania e Madhe në Evropë po të duash edhe në Australi. Dhe do t’ju mundin prapë edhe në 2029, më vjen keq që s’i kemi për zgjedhjet vendor votat e diasporës.”, tha Balla.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu i kujtoi Sali Berishës vrasjet e 21 Janarit 2011. Nga Foltorja e Kuvendit, Gogu kujtoi gjithashtu edhe akuzat e vazhdueshme që janë bërë ndaj Berishës se ka thyer embargon dhe iu ka dhënë naftë serbëve që kryenin vrasjet në Kosovë.
Nga Foltorja e Kuvendit, Gogu po ashtu i përmendi edhe firmat piramidale duke i thënë se hodhi në erë depozitat e shqiptarëve. Më tutje e ironizoi, teksa tha se "Zotëria i 21 Janarit" del bllof kur flet për narkoshtet gjatë gjithë kohës, ndërsa pak ditë më parë, presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen vlerësoi gjatë vizitës që mbajti në Tiranë përparimin e Shqipërisë në rrugën evropiane.
“Ke në ndërgjegje protestues të paqtë të vrarë në bulevard, shqiptarë që iu ke vjedhur depozitat dhe ua ke hedhur në erë. Dhe bashkë me të ke djegur të gjithë vendin, është përpjekja që shikoni sot gjithë këtë hipokrizi, që e patë edhe në historinë e Kosovës. Kisha një pyetje. Atë mëngjes kur makineria serbe ishte nisur për të kryer ato vrasje me çfarë nafte ishin mbushur? Kush ia kishte shitur naftën makinerisë serbe? Atyre luftëtarëve që thanë liria ka emër kush i thirri banditë dhe kush i minoi në veprimtarinë e tyre dhe kush hapi çdo zyrë të kancelarive evopiane dhe doli në mes atje ku është mohuar për tërë jetën Kosova, dhe tha kjo histori ka mbaruar. Te ai bulevardi që keni tmerr se keni mëkate të mëdha. Përpara disa ditësh te ai bulevard një zonjë evropiane tha me gojën plot se Shqipëria ka bërë përparim mbresëlënës. Ndërkohë që zotëria e 21 janarit thërret narkoshtet.”, tha Gogu.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, pas raportimit të drejtuesve të institucione në Kuvend, ka deklaruar se këta të fundit nuk duhet të largohen menjëherë pas raportimit.
Bardhi tha se në kuadër të llogaridhënies, drejtuesit e institucioneve duhet që të dëgjojnë shqetësimet e deputetëve.
“Raportimi i institucioni të krijuara nga Kuvendit, është një momentin llogaridhënie nga këto institucione. Është një fyerje madhe për deputetët në këtë sallë, sa kanë mbaruar leximin e fjalës janë larguar. Debati bëhet që ata të dëgjojnë shqetësimet që kanë deputetët, të kenë mundësi që të njihen me shqetësimet që ngrenë deputetët dhe sigurisht në kuadër të llogaridhënies, të reflektojnë të gjitha ato shqetësime politike në punën e tyre të përditshme. Tani ne i dëgjuam me gjithë respekt të dy drejtuesit e institucioneve dhe besoj se secili deputet meriton të njëjtin respekt nga drejtuesit e institucioneve të cilat janë krijuar nga ky Kuvend”, theksoi Bardhi në fjalën e tij.
Kreu i PD-së, Sali Berisha nga Kuvendi “shënjestroi” edhe ministren virtuale Diella, duke thënë se është bërë mafia e vjedhjes sepse po ia jep tenderat qeverisë. Sipas tij, korrupsioni mund të luftohet me blockchain si i vetmi mekanizëm që sipas tij e lufton këtë fenomen, por këtë s'e lejon qeveria.
“Diella më foli mua…e kuptoj se shumë nga ju do të donit fytyrën e Diellës por ka fytyrën e Anila Bishës. Keni xhelozi. Diella të gjitha tenderët po ia jep qeverisë. Shikoni prokurrimet. Diella është bërë mafia e vjedhjes së qrveritarëve. Doni transparencë, botoni ligjet për blockchain, por keni frikë. Ka një mekanizëmpër të bërë transparencë për qytetarët, ka një teknologji, është blockchain. Jo në chatbot që zihen deputetet se kush të bërë foton përpara aty. Është një maskë për të fshehur përlarjen që bëni. Doni transparencën, miratoni ligjet për blockchain. Ata që e kanë bërë i kanë dhënë goditje të fuqishme korrupsionit.”, tha Berisha.
Deputeti i PS, Ulsi Manja i bëri thirrje opozitës që të marë pjesë në protestën e organizuar nga veteranët e UÇK-së nesër në Tiranë. Manja tha se refuzon të bëhet pjesë e debatit se kush e do më shumë Kosovën, duke thënë se Kosova është pjesë e çdo shqiptari. Manja tha se Rama është avokat i shkëlqyer i çështjes së Kosovës.
“Refuzoj të bëhem pjesë e këtij debati se kush e do Kosovën më shumë dhe kush më pak, Kosova është një pjesë e jona, është amaneti që e kemi thënë të gjithë nuk falet dhe secili e ka dëshmuar me vepra se kush e do më shumë me Kosovën në momentin kur Kosova e ka dash këtë mbështetje prej nesh. Kush e ka dash më shumë Kosovën kur makineria e Milloshevicç tentoi të shfaroste Kosovën, rroku armët dhe pagoi me gjak pavarësinë që ka Kosova sot dhe prandaj quhen ajka e kombit, kush nuk e bëri, hapi dyert për mijëra shqiptarë të Kosovës që u shpërndanë nga makineria e Millosheviç. Mos na fusni në ndjeshmëri veri-jug, se as e majta e as e djathta, se Kosova është pjesë e çdo shqiptari dhe çdo njeriu që ka gjak shqiptari, sa për Ramën, ai s’ka nevojë për avokatinë time, në cilësinë time si ish ministër kam patur rastin ta shoqëroj në disa vizita zyrtare në Europë dhe dua ta them publikisht është avokat i shkëlqyer i çështjes së Kosovës. Me qëndrime të forta diplomatike, aty ku bëhet politika europiane dhe ndërkombëtare, ka kërkuar me forcë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga 5 vende të BE që ende refuzojnë ta njohin. Patriotë me fjalë e rezoluta e deklarata bëhen të gjithë por ju lutem në protestën që do zhvillohet nesër në Tiranë ne do shkojë si qytetarë e shqiptarë, si mund të merret qëndrim politik të dalim nesër në protestë apo jo. UÇK është faqja e ndritur e luftës së Kosovë për pavarësi e liri. Kur të shkruhet historia Sali, të jeni i bindur që secili prej nesh e ka vendin aty me dritëhijet tona, me të mirat dhe të këqijat”, tha Manja.
Deputeti i Lëvizja Bashkë, Redi Muçi gjatë fjalës së tij për replikë në Kuvend, ka hedhur akuza ndaj mazhorancës dhe opozitës se po bëjnë patriotizëm fals.
Ai tha të votohet gjenocidi serb në Kosovë dhe nesër të shkojnë së bashku në tubimin për UÇK-në.
“U bënë dy orë që në këtë seancë i bihet gjoksit se kush e do më shumë Kosovën. Duke akuzuar në mënyrë të ndërsjelltë se kush ka bërë akuza me Vuçiçin dhe kush e ka bërë me Milosheviçin. Ka një zgjidhje farë të thjeshtë, njëra palë le të pranojë gjenocidin në Kosovë dhe gjithë së bashku le të shkojmë në tubimin për krerët e UÇK-së. Nuk ka pse të vazhdojë kjo farsë këtu e dy orë. Sa i përket patriotizmit dhe dashurinë për atdheun, e keni dëshmuar të dyja palët, për të keqqeverisyur shqiptarët, për të vjedhur fondet. E treguat edhe sot”, tha Muçi
Kreu i PD-së, Sali Berisha mori sërish fjalën mnë Kuvend pas kritikave që bëri Ulsi Manja lidhur me ndasitë në qëndrime për Kosovën. Berisha përmendi protestën e nesërme në mbështetje të UÇK-së që do të mbahet në Tiranë duke thënë se Rama kishte planifikuar fjalim 60 minuta por u tërhoq.
“Si mund të ndahemi ne me këtë? Ua them me sinqeritet si parlamenti i republikës serbe të Bosnjes? Të dënosh genocidin është detyrim absolut i njeriut të qytetëruar dhe të bëhet ky diskutim! Edi Rama u tregua po aq sa Vuçiç, armik i Kosovës. I vuri sanksionet i pari. U vu vu në shërbim të skenarit të ndarjes së koosovës. E përjashtoi nga të gjitha nismat. I dërgoi njerëzit për të përmbysur Albin Kurtin. Ne kemi homologë në PDK, herë del e para dhe herë e treta ne mbetemi aty… edhe në mitingun që bëhet me nuanca të theksuara kundër të qeverisë së Kosovës? Kishte planifikuar 60 min Rama fjalim, si të dilte me fol Vuçiç”, tha Berisha.

Për më shumë se dy orë deputetët në Kuvend, u përplasën për kërkesat e opozitës lidhur me mocionet me debat për programin e qeverisë, rezolutën ndaj Kosovës, apo edhe fondet e IPARD.
Më poshtë, disa nga fotot më pikante të seancës, të fiksuara nga LSA.
Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka akuzuar mazhorancë për mosdhënien e mbështetjes së duhur ndaj Kosovës dhe ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen të paraburgosur në Hagë.
Blushi tha se protesta e organizuar për ditën e nesërme dhe ftesa e mazhorancës për të marrë pjesë, është një ‘tentativë’ për të bashkuar shqiptarët me antishqiptarët.
“Çështja e Kosovës dhe interesi kombëtar prevalon mbi procedurë e rregullore. Un i mirëkuptoj thirrjet për të vendosur Shqipërinë mbi partinë por nuk mund të pranoj që kjo thirrje të bëhet nga ata që kanë vendosur Jugosllavinë mbi Shqipërisë.
Sot Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të ngritur çështjen e Kosovës, për të kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së si në Këshillin e Europës, NATO e OKB. Por a mund të ketë sot, dhe a mund të ketë ftesë për protestë ku duan të bashkojnë shqiptarët me antishqiptarët”, tha Blushi.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu i është drejtuar deputeti Erald Kapri si dhe grupit opozitar pas akuzave se Rama ka punuar kundër Kosovës. Vengu tha se askush nga opozita nuk është në gjendje për t’i dhënë leksione patriotizmi mazhorancës. Vengu tha se Rama ka kërkuar në mes të Beogradit njohjen e Kosovës.
“Erald Kapri: Në mënyrë të pazakontë u përmend, Kosova ju ndoshta do bënit mirë ta ndaloni. Nuk mund të ndihet Kosova në këtë moment të vështirë dhe të provokoni opozitën dilni në miting.
Tani që e majta ka një komplekse të madhe me Kosovën kjo ndihet. Historia e së majtës nis herët me Kosovën, që me faktin që shteti shqiptar ishte përgjegjës për vrasjen e qindra të rinj në masakrën e Tivarit. Ndaj është e ndershme që ky parlament të bëjë seancën të posaçme dhe nuk mund të trajtohet në një retorikë politike që nuk na bën nder asnjërit.
Pirro Vengu: Kapri nuk besoj ju si grup si parlamentar apo opozita mund të na japin ne leksione patriotizmi për Kosovën. Kryeministri është ai që përsëritur në mes të Beogradit kërkesën për njohje të Kosovës. Kjo qeveri jo vetëm që ka çuar përpara projekte zhvillimore me Kosovën, por sikur ju keni çuar përpara Rrugën e Kombit, ne po çojnë Hekurudhën e Kombit.
Kjo qeveri e ka përfshirë Kosovën në kuadër të bashkëpunimeve strategjie, ushtarake dhe rajonale. Është momenti që dhe ju t’i bashkoheni iniciativës për të futur Kosovën bashkë me Kroacinë në iniciativa ushtarake dhe mbrojtjes rajonale. Nuk ka leksione patriotizmi, hajdeni nesër në protestë të bashkohemi si komb.
Kreu i Grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardhi ka hedhur akuza ndaj qeverisë dhe mazhorancës se kanë vjedhur fondet e IPARD. Bardhi hodhi akuza se fondet e IPARD kanë shkuar për babain e Suel Çelës dhe jo për fermerët e Elbasanit.
Më tej ai bëri me dije se opozita do të kërkojë ngritjen e një komisioni Hetimor për abuzimet me fondet e IPARD.
“Të gjithë e panë interesin e deputetëve të PS-së për fermërët shqiptarë. Mocioni ishte për fermerët dhe doli këtu dhe foli 30 sekonda për fermerët dhe unë do të shpjegoj arsyet pse Taulanti nuk flet dot për fondet e IPARD dhe fermerët. Fillimisht një repklikë për atë që dëgjuam këtu. Kemi marrë shembullin tuaj, ku në datë 24.05.2024 ngritët të famshmin ‘Komisionin Xhafa’ për anti-korrupsionin. Propozuat një rezolutë në Seancë plenare. U votua rezoluta, dhe më pas u votua ngritja e këtij komisioni.
Dilni këtu dhe nuk doni të flisni pse BE na ka bllokuar fondet miliona euro që shkojnë për fermerët shqiptar. Jemi vendi i vetëm në Europë që na janë bllokuar fondet, se kjo qeveri këtu ka vjedhur paratë e taksapaguesve evropiane. Ne nuk donim të bënim debat politik për këtë çështje.
Ju siguroj që brenda javës, do të kërkojmë ngritjen e komisionit Hetimor. Ne do të verifikojmë sesi babai i Suel Çelës, mori paratë e fermerëve shqiptar. Në vend që një fermer i Elbasanit, t’i merrte 250 mijë euro, nuk i mori ai, por babai i Suel Çelës. Dhe sigurisht ju nuk doni që të flasim për këtë çështje. Ne nuk donim të bënin debat politik, por si organi që kemi ratifikuar marrëveshjen për grantis, ne kemi për detyrë që të hetojmë sesi besimi i institucioneve europiane, por edhe besimi i Kuvendit që ka ratifikuar marrëveshjen, për fondet e programit IPARD, janë shkelur nga qeveria.
Janë bërë publike të dhëna se ish-drejtuesja e AZHBR-së Frida Krifca, të cilën më pas Edi Rama e uli në karrigen e ministres, shpërndante paratë nga fondet e IPARD, për familjarët e vet, që në vend t’i marrin fermerët. Këtu kam një listë të gjatë, sesi kryetarët tuaj të bashkive, sesi familjarë të deputetëve të PS-së, kanë marrë fondet e IPARD. Pra të dashur fermerë, kanë marrë mundin dhe djersën tuaj, prandaj këta nuk flasin për këtë çështje. Kemi dy vite që presim qeverinë, që t’i kthejë përgjigje BE-së, që paratë e IPARD 3, nuk do të vidhen 33 mln euro. Qeveria të gjejë zgjidhjen për zhbllokimin e fondeve, pasi femerët janë në vështirësi për t'ia dalë në fund të muajit dhe këto para m,und të jenë ndihmesë për ta”, tha Bardhi.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ironizoi Sali Berishën teksa po fliste për krimet që janë kryer nga serbët në Kosovë. Në një moment, ai i drejtohet Berishës se sa herë përmend ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçin për kontributin e tij në UÇK, ai bërtet dhe ‘pickon’ Flamur Nokën.
“Sot komandantët e UÇK mbahen të arrestuar. Mos bërtit! Sa herë që flas unë për komandantët ti bërtet. Ça ke ti, të shpon ai ty (referuar Nokës)? Mos e shpo mo? Po flas për Hashim Thaçin o Sali, mos e shpo Flamurin. Lëre Flamurin. Sa herë flas për Hashimin shpon Flamurin. Ne shqiptarët jemi gjithmonë mirënjohës komunitetit ndërkombëtar dhe në mënyrë të veçantë SHBA që na erdhën në ndihmë”, tha Balla.
Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri ka shpërthyer kundër Edi Ramës pas diskutimeve për kërkesën për mocion me debat për miratimin e një rezolute për gjenocidin në Kosovë. Xhaferri ka akuzuar Ramën si përkrahës i serbëve.
“Flet për Kosovën sikur ai e ka çliruar. E vetja gjë që ka çliruar janë thasët e votave të DHL, i paketoi e i solli siç i deshi. Unë jam krenar që jam dhëndër i Kosovës. Djali dhe vajza janë bij dhe bija të Kosovës. Në të njëjtën kohë dhe prejardhjen familjare e kam nga themelues të Lëvizjes së Ballit Kombëtar të cilën Kinostudioja juaj e bëri qesharake, por në Kosovë e Maqedoni janë heronjtë më të mëdhenj të trevave.
Kur Mit’hat Frashëri, Ali Këlcyra, Abaz Ermenji luftonin për bashkimin e trevave, paraardhësi juaj, ishte i deleguar nga Miladim Popoviçi për të prishur marrëveshjen e Mukjes. Kur bashkëshortja ime 7 vjeç, përzihej nga çetnikët dhe paramilitarët serb, ky person (Edi Rama) i jepte çelësin Goran Bregoviç që inspironte çetnikët serb për të vrarë dhe prerë shqiptarët dhe të gjithë ato masakra që përmendi Berisha. Dhe kur përmendet marrëveshja me Rusisë, shikoni sa i qeshur është ky zotëria me Lavrovin në krah. Për Kosovë dhe për bashkim kombëtar të jeni të sigurtë që jeni pasardhës të asaj partie që e copëtuar vendin”, tha Xhaferri.
Kreu i PR Fatmir Mediu ka deklaruar se nesër do të marrë pjesë në protestën e organizuar në Tiranë për UÇK-në. Ai tha se do të jetë si qytetar në protestë dhe se nuk pyet Taulant Ballën për të marrë pjesë.
“Ka një shprehje se kush harron historinë, duhet ta përsërisë atë. Për fat të keq, një pjesë e juaja nuk e kanë njohur atë. Për më tepër në këtë sallë, kur duhet të bashkohemi, ne ndahemi për një gjë që ka të bëjë me interesin tonë kombëtar. Unë kam pasur nderin që t’i njoh personalisht Hashim Thaçin dhe krerët e tjerë të UÇK-së. Ky parlament nuk mund të ketë çështje më të rëndësishme se Kosova. Ne duhet ta mbajmë këtë çështje tani, pasi nuk mund të na ndajë asnjë qëndrim politik për këtë çështje. Por ne nuk mund të jemi në krah të UÇK-së dhe në krah tjetër partner me Vuçiçin. Për sa i përket pyetjes se ku do të jemi ne, por si qytetarë do të jem kudo dhe jo si politikan. Absulutisht nuk të pyes ty Taulant Balla, se do jem kudo që është Kosova dhe nuk të marr leje dhe as kërkoj të më ftosh ti në çështje që kanë të bëjnë me Kosovën”, tha Mediu.
Ndërsa kreu i grupit Parlamentar tw PS-sw Taulant Balla, në replikë, hodhi akuza ndaj Mediut se 28 Ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, hodhi në erë Gërdecin.
“Meqenëse ju bëra një kronologji, të gjithçkaje që keni bërë për ta dëmtuar Kosovën. 28 ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, hodhët në erë Gërdecin të dy bashkë”, tha Balla.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla mori sërish fjalën në Kuvend lidhur me kërkesën e PD-së për mocion me debat për bllokimin e fondeve të IPARD në bujqësi. Balla tha se opozitarët po ndjekin një strategji vetëpersekutimi dhe se kërkesat e tyre do t'i pranojnë kur të jenë të rregullta.
Më tej, bëri edhe një tjetër thirrje për PD-në që të vërë Shqipërinë para partisë dhe të bëhen pjesë nesër në protestën në mbështetje të UÇK-së. Balla bën edhe një autokritikë teksa thotë se si përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë dhe ata në Kuvendin e Kosovës nuk kanë bërë mjaftueshëm për të vënë në pah shkëlqimin e merituar të fitores dhe pastërtinë e Luftës Çlirimtare të Kosovës.
“Ua kemi thënë edhe në Konferencën e Kryetarëve mos u vetëpersekutoni, jo që po bëni keni filluar një strategji vetëpersekutimi. Po sillini kërkesat siç duhet. Konkluzioni i kësaj kërkese është një komision i posaçëm. Sot miratohet në Kuvend, një nënkomision i përhershëm, jo 6 muaj por 4 vjet për këtë çështje që keni kërkuar. Sillni emrat e anëtarëve dhe do të merret me të gjithë fondet për financimin në bujqësi. Keni kërkuar gjëra që nuk kanë mundësi t’ua miratojmë. Dua të ndërlidh me dy çështje. I dëgjova syresh por asnjëri prej jush numk rfelektoi nga dje sot, dua nga kjo foltore, jo si politikan, as si kryetar i grupit të PS, por besoj se shpreh atë që mbahet fshehurazi në zemrën e atyre që mbi partinë vënë Shqipërinë. Vëreni Shqipërinë mbi partinë. Dilni nga urdhri dhe hajdeni nesër në protestën mbarëkombëtare,. Nuk jemi ne organizatorë, as këtej dhe as andej, janë organizatat e UÇK. Populli shqiptar kudo, është në nderin e secilit prej nesh të jemi për veteranët e UÇK jo në krye. Përpjekja për të bërë pis idealin e UÇK, për të ndryshuar historinë me vendime gjykatash duhet të marrë nesër nga Tirana një përgjigje për të gjitha palët. Ka ndodhur 5 marsi, dhe në 5 mars ka pasur debate të tilla por nesër është 5 mars, në 5 mars u bashkuam sepse makineria serbe shfarosi dhe vrau familjen Jashari. Sot makineria serbe ia ka arritur qëllimin edhe përmes ndonjë bashkëpunëtori, dhe mbështetjes së Serbisë, të bëjë pis luftën e UÇK dhe nëse i hidhnim sytë që nga çlirimi i Kosovës dhe sot, dhe të pyesim veten si përfaqësues të popullit shqiptar, edhe këtu në kuvendin e Shqipërisë dhe atje të Kosovës, historia do na kritikonte të gjithëve sepse kemi të paktën për këtë duhet të biem dakord, kemi treguar shkujdesje për të mbrojtur shkëlqimin e merituar të fitores dhe pastërtinë e Luftës Çlirimtare te Kosovës. Kur ne gëzonim fitoren, humbësit dhe aleatët e tyre u kujdesën mjeshtërisht që ta njollosnin tinëzisht luftën e ndritshme çlirimtare.”, tha Balla.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, nga foltorja e Kuvendit i kujtoi Sali Berishës edhe vrasjet e 21 Janarit 2011. Sipas tij, nuk është rastësi që ngjarja ndodhi pak ditë para se të miratohej edhe raporti i turpshëm i Dick Marty kundër UÇK-së. Ai hedh akuza ndaj Berishës duke thënë se vrau popullin opozitar me vrasjet në bulevard dhe më pas u miratua edhe raporti, që siç thotë Balla, u iniciua nga Konstandin Kosachev, një zyrtar i Dumës Ruse që kishte mbajtur një takim më herët me Berishën.
“Si ka mundësi që gjatë qeverisjes tënde u ndoqën, përndoqën drejtues të UÇK këtu në Tiranë dhe pati akuza për vrasjen e njerëzve të UÇK në Tiranë. Si ka mundësi që e mbylle Berishën e parë me Shqipëri të rrënuar ndërsa Kosova kishte më shumë se kurrë se kurrë në atë moment për Shqipërinë? Si ka mundësi që Kosova shkonte në Rambuje me përfaqësuesit e vet, ndërsa ti sulmoje Rambujenë edhe Tiranën me zjarr dhe dhunë. Si ka mundësi që më 17 dhjetor 2010 ti prisje në godinën e kryeministrisë të besuarin e Putinit, kryetarin e Komisionitt të Jashtëm të Dumës Ruse, Konstandin Kosachev. Më pas u hartua edhe raporti i turpshëm për gjoja hetimin për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të qenieve njerëzore.
Ky proces kundër komandantëve na nisi si hetim për trafikim e organeve dhe na përfundoi në mbajtjen peng të presidentit të Kosovës për 5 vjet deri tani. Si ka mundësi që vetëm 37 ditë me takimin u miratua ajo rezolutë e turpshme? Si ka mundësi qe vetëm 4 ditë para se të miratohej rezoluta ti dhe urdhër të vriteshin populli opozitar në sheshin dhe bulevardin Dëshmorët e Kombit? 4 ditë përpara se ti bëhej dëmi më i madh historisë së re të kombit shqiptar, ti vrisje popullin opozitar. Si ka mundësi që je përfshirë në sulme personale e të ulëta kundër Thaçit dhe nuk ke nxjerrë kurrë një fjalë për ata që mbante prej 5 vitesh në burgun e Hagës.”, tha Balla.
Kreu i grupit Parlamentar të PD-së i ka bëri thirrje kryeparlamentarit Niko Peleshit që të respektojë rregulloren e Kuvendit.
Bardhi tha se sa herë ka një propozim, pala tjetër duhet të japë mendimin dhe më pas të kalohet në votim.
“Është e disata herë duhet të kujtojmë rregulloren. Sa herë ka një propozim, pala tjetër duhet të japë mendimin. Ju sa herë merrni propozimin, ju e hidhni në votim, pa dëgjuar nëse ky propozim është në përputhje me rregulloren. E para nuk kemi nevojë që të lexojmë letra bakalli, që na vijnë nga Taulant Balla. Kemi lexuar mjaftueshëm përgjime të SKY ECC dhe na mjaftojnë ato për të kuptuar cilësinë e letrave që dëshiron të na serviri Taulant Balla. E dyta rregullorja të detyron një procedurë të caktuar, pasi flitet 10 minuta po dhe 10 minuta kundër, kalohet në votim për mocionin. Ai mund të ngrihet dhe mund të thojë që s’ka debat, ose kalojmë në votim. Nesër mund të thojë që mund të mbyllim Parlamentin, por kjo nuk do të thotë që Kuvendi të kthehet në një listë dëshirash të Taulant Ballës, Ua thash edhe dje në Konferencën e Kryetarëve, ose mbani rolin tuaj ose lëshoni karrigen”, tha Bardhi.
Kreu i PD, Sali Berisha foli në Kuvend për kërkesën e opozitës për mocion me debat për gjenocidin serb në Kosovë. Berisha iu përgjigj Ballës i cili me ironi e quajti dhëndër të Serbisë, ndërsa kreu i PD akuzoi kryeministrin Rama se është shërbëtor i Aleksandër Vuçiç.
Më tej, Berisha akuzoi shumicën se nuk dënon gjenocidin serb në Kosovë. Ku e gjeni këtë forcë të shkelmoni mbi gjakun e këtyre njerëzve, i pyeti Berisha socialistët. Ndërsa tha se edhe serbë po të ishin dhe gjenocidin ta kishin bërë shqiptarët, do tw votonte pro.
“Gjatë periudhës 1998-1999 forcat serbe kryen rreth 100 maskara të evidentuara ndaj popullsisë së saj. Kështu u vranë rreth 1400 fëmijë. Ata që shkelin mbi gjakun, sakrificën e tyre, këtij gjenocidi të tmerrshëm, ata nuk janë shqiptar, por nuk janë njerëz, Ju të tillë nuk mund ta paraqisni veten. Këto janë shifra të rezolutës që parlamentit të Kosovës që ne duhej ta adoptonim menjëherë. Të mos shohësh veten si shqiptar, do të thotë të jesh një qenie pa ndërgjegje. Kjo është jashtë lloj koncepti, po si mund të transformoni gjakun tuaj ju, edhe ju keni në familje tuaj njerëz që kanë luftuar, që kanë rënë për atdhe. A mundet një shqiptar, të shkelmojë mbi këtë gjak, po pse e bëni këtë sepse kreu juaj është një argat i Vuçiç, pse e bëni këtë sepse kreu juaj është shërbëtor i Vuçiç. Vrasja për shkaqe etnike e civilëve është gjenocid. Çfarë ju shtyn të jeni kaq të pandjeshëm ndaj një çështje më thelbësore në ndërgjegjen e njeriut, në ndërgjegjen kombëtare. Ku e gjeni forcën ju të shkelmoni mbi gjakun dhe jetën e këtyre njerëzve. Edhe serb po të ishin do të votoja po ta kishin bërë shqiptaret. Edhe maqedonas po të ishin do ta votoja po ta kishim bërë shqiptarë. Gjenocidi është krimi më i shëmtuar. Ju bëheni bashkautorë në krim me Ramën, ”, tha Berisha.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla duke komentuar kërkesën për mocionin me debat lidhur me gjenocidin serb në Kosovë, i renditi Sali Berishës një sërë akuzash. Ai tha se çdo kërkesë nga Berisha lidhur me Kosovën nuk ështe asnjëherë me qëllim të mirë. Balla iu kujtoi gjithashtu edhe 9 rezolutat të miratuara ndër vite nga Kuveni i Shqipërisë që dënojnë krimet e serbëve në shtetin tjetër shqiptar.
Sipas Ballës, mospjesëmarrja e PD-së në protestën që do të mbahet nesër në Tiranë në mbështetje të UÇK-së tregon qëndrimet e partisë kundër Kosovës. Më pas iu drejton një tjetër ftesë për të marrë pjesë pasi Kryeministri Rama nuk do të jetë për shkak se nuk do të politizojë protestën.
“Kuvendi ka miratuar nga 1991 deri në 2025, 9 rezoluta dhe 11 deklarata sa i përket gjithçka ka ndodhur në Kosovë nga ‘91 e deri në 2025/ Po shikoja rezolutën e miratuar në ’91 me konsensus të plotë nga deputetët e asaj legjislaturë, shumë kuptimplotë për momentin që ka jetuar Kosova. E kështu me radhë vit pas viti. Ua kam bërë gati. Do të kërkoja që përpara se të hedhim në votim këtë kërkesë tuajën të radhës t’i lexoni dhe nuk do të harxhoj më asnjë sekond nga koha e vyer e Kuvendit për këtë çështje për të cilën ua kemi dhënë përgjigjen shpesh. Por po kaloj në diçka që është emergjente, asgjë që vjen nga Berisha, e kur lidhet me Kosovën nuk ka ardhur dhe s’ka për të ardhur kurrë ndonjëherë për mirë. Vendimi i PD i bërë publik dje për të bojkotuar protestën e nesërme mbarëkombëtare në mbështetje të UÇK është konfirmim i qëndrimeve dhe veprimeve kundër interesit të Kosovës. Meqë thatë se nuk doni të jeni përkrah kryeministrit, ai nuk do të jetë nesër. Pse nuk vini? Me kushtin që të mos e politizojë. Bëni dhe ju nesër një protestë meqë nuk doni me veteranët e luftës së UÇK. As me ne, bëni një tuajën. Mos hajdeni në shesh, por bëjeni në Shqup ose në ndonjë shesh tjetër dhe me këtë rast do tu vijë më shumë.”, tha Balla.”, tha Balla.
Më pas ai tha se ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova refuzoi të mbante takime dhe komunikim me Berishën.
"Historia e ka qëndruar fare qartë se rastësia mund të ndodhë një apo dy herë por jo gjithmonë. Që në mandatin e parë të atij (Berishës) si president, me shumë veprime iu vu ndesh interesit të Kosovës. A ishte shkelja e embardos të OKB kundër furnizimit me naftë të Millosheviçit në dëm të Kosovës? Po apo jo? Si ka mundësi që në krye të kësaj shkelje ishte vetë shteti dhe vetë PD? Si ka mundësi që të gjithë dëshmitarët të takimit të famshëm Berisha-Millosheviç u përndoqën arrestuan dhe vranë, në Shqipëri do të vinte kasapi i Ballkanit për t'u takuar me shefin e shërbimit sekret edhe ka dëshmuar komandanti Thaçi? Si ka mundësi që prej '95 presidenti i Kosovës, i ndjeri Ibrahim Rugova shmangu çdo komunikim me Berishën deri kur u nda nga jeta. ", tha Balla.
Deputeti demokrat, Tomor Alizoti kërkoi në Kuvend rikthimin e seancës së parë parlamentare për të diskutuar programin e qeverisë. Kjo kërkesë u rrëzua në Kuvend me 73 vota kundër.
Alizoti u shpreh se debati është shtylla kryesore e demokracisë dhe Kuvendit dhe se diskutimi i programit qeverisës është nevojë dhe për qytetarët e Shqipërisë.
“Debati është pika më kryesore që është në interesin madhor të qeverisë. Ejani të diskutojmë është i rëndësishëm dhe për ato që na shohin. E kam lexuar programin dhe kam parë shumë pak fjalë për shpopullimin dhe aspak për Kosovën.
Demokracia jeton nga debati. Riktheni seancën e parë që është shtylla e parlamentit shqiptar. Dëgjojeni dhe kritikën tonë dhe po të jetë e pavend. Jemi pranë BE-së por shumë larg praktikimit të demokracisë. Nuk mund të mbyllet seancën parlamentare për reagime emocionale. Nuk mund ta mbyllni seancën se u mërzitët ju apo lideri juaj. Kritika e zhvillon parlamentin.
Ju do keni shansin madhor të mbroni arritjen tuaj, ju ja hoqët këtë të drejtë vetes. Pra sot jeni të dobët, mund të keni shumë mandate, por jeni në debat të dobët.
Ku qëndron e majta juaj? I majti evropian është me punëtorin, ju jeni me horrin. Ju jeni me oligarkun me të fortin e lagjes, të Elbasanit, Durrësit. Ku qëndron klasa punëtorë, i pamunduri. Rreth jush janë të gjithë oligarkët dhe të fortët.
Ky është realiteti i një partie sociale që sot duhet të ishte në debat ideologjik. Këto fjalë vlejnë për atë jashtë. Në program nuk pashë asnjë fjalë për Kosovën. Si ka mundësi që nuk miratohet një rezolutë për gjenocidin në Kosovë.
Nuk ka një rezolutë për gjenocidin. Kosova është dhimbje. Parlamenti sot me mazhorancën e saj, e ka problem të miratojë një rezolutë gjenocidi për gjysmën e kombit shqiptar. Kjo është turp për publikun.
Ju që jeni të majtë, po ju i vidhni ilaçet fëmijëve e të sëmurëve me kancer. Un ei që gjysma e Elbasanit është me kamera, edhe Durrësi edhe Vlora. Ku është një realitet që nuk e mohoni dot. Duhet të diskutim sot për programin e Shqipërisë, për një qëllim të përbashkët për të zhvilluar Shqipërinë, por me dy ide të ndryshme, majtë dhe të djathtë. Shumica që unë besoj se është artificiale, nuk ka gjithmonë të drejtë”, tha Alizoti.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, teksa i përmendi Sali Berishës disa akuza që i janë bërë ndër vite lidhur me Kosovën, përmendi edhe një detaj nga ndeshja Serbi-Shqipëri në Leskovac. Balla, i cili e ndoqi ndeshjen nga afër, tha se tifozët serbë kur donin t’i shanin thërrisnin Sali Berisha.
Më tej, Balla e ironizoi se Berisha është "dhëndër" i Serbisë, duke iu referuar akuzave ndaj tij.
“Për habinë time, e plot miqve të tjerë me të cilët isha në Leskovac para tre ditësh. Tifozët serb kur donin të na shanin na thirrnin Berisha berishal. Ia ka treguar një gazetar që ishte pranë meje. E mori në telefon dhe i tha mor doktor çfarë kanë këto tifozët serbë që thirrnin emrin tënd? E thërrasin se është dhëndri i mirë i Serbisë. I ka shërbyer Serbisë mirë sa herë ka pasur mundësi”, tha Balla.
Kreu i Grupit Parlamentar i PS-së, Taulant Balla iu drejtua opozitës lidhur me kërkesat e saj për mocion me debat, për bilancin e qeverisë nga periudha 2013-2025 apo për programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme, nuk do të miratohen për sa kohë i sjellin të cunguara. Balla akuzoi PD-në se qëllimisht i dërgon këto kërkesa në mënyrë të tillë, pasi është vetë ajo që nuk dëshiron të bëjë debat.
"Ne ecim vetëm përpara, dhe mund të bëjmë mocion me debat për çështje që ndërlidhen me rrugën tonë evropiane, anëtarësimin në BE. Do e kemi shumë shpejt një debat të tillë sepse qeveria ka detyrimin të sjellë këtu në kuvend raporton sa i përket ecurisë së procesit së integrimit. Kur vajtëm në konferencën e kryetarëve dhe në kërkesë nuk figuronte një gjë e tillë na u tha se kërkesa është për anëtarësimin në BE. Por kur shkon më tej në kërkesë se kërkohet po ashtu si pjesë e këtij mocioni edhe efikasiteti i qeverisjes që sipas kërkuesve u ndërlidhka edhe me integritetin e ministrave të emëruar. Pastaj të shkojmë te besimi i qytetarëve, madje marrim përsipër të konstatojmë për çështje të vëçantë edhe marrëdhëniet e shtetit me partnerët ndërkombëtarë. Është e qartë që keni një përpjekje, një turravrap mes njëri-tjetrit. Kjo vihet re në ato diskutime edhe në Konferencën e Kryetarëve ku nuk kuptohet më se kush drejton, por iu kërkoj të jemi të sinqertë. E kuptoj se këto kërkesa 3, i keni bërë mangët, sakate dhe të na pamundësoni edhe ne dëshirën që të zhvillojmë me ju një jetë parlamentare normale. I sillni kërkesat vetë mangët, të shtrembëruara se vetë nuk doni debat. Unë s'mund të pranoj dot asnjë kërkesë që bie në kundërshtim me rregulloren. Meqenëse ju kam dëgjuar prej disa ditësh, disa këtu që thonë se kërkesa e kryetarit të grupit të PS për të ndërprerë diskutimet dhe kaluar në votim është e paligjshme, theksoj nenin 49, çështjet të procedurës. Dëgjojeni dhe mësojeni. Për çështje të procedurës janë kërkesat që janë të bëjnë me zbatimin e rregullores, kërkesa që mbajnë propozime për ndryshime ose plotësime të rendit të ditës ndërprerje ose shtyrje e seancës plenare. Ajo që kemi bërë në dy seanca në 18 shtator dhe në të fundit, i jam referuar këtij neni. Kam kërkuar ndërprerjen e diskutimeve dhe kërkesa është marrë dhe më pas…Keni kohë boll, do ta mësoni siç e kam mësuar përmendësh", tha Balla.
Besnik Brahimi dhe Shkurt Lasku janë dy deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët vijnë nga radhët e Partisë Socialdemokrate.
Brahimi dhe Lasku futen në Kuvend si më të votuarit nga listat e PSD-së në Shkodër pas dorëheqjes së Tom Doshit dhe Sabina Jorgos.
Komente











Vetem Viçiçi mundet me na tregu sa paguan per secilen pal, se me sa kuptoj, gjitha Palet merrkan pages nga Viçiçi, e te gjitha palet e ditkan qe re hjithe falen te Viçiçi.
Përgjigju