Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar aksionin për lirimin e korsive të dedikuara për transport publik dhe bllokimin e mjeteve elektrike.
Gjatë 72 orëve të fundit Rrugorja bën me dije se ka hequr me karrotrec 40 automjete të cilat kishin bllokuar hapësirat për transportin publik.
Ndërkohë gjatë këtij aksioni ka bllokuar edhe 102 mjete elektrike - nga këto 90 janë monopatina dhe 12 motoçikleta elektrike.
25 persona u arrestuan/nën hetim për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. 3 prej shoferëve rezultuan nën efektin e lëndëve narkotike.
Njoftimi i plotë:
Prioritete të punës së shërbimeve të Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, gjatë 72 orëve të fundit, ishin:
Lirimi i korsive të dedikuara për transport publik;
Evidentimi dhe ndalimi i shtetasve që drejtojnë mjetet, në efektin e alkoolit ose të lëndëve narkotike,
Konstatimi i rasteve të mospagimit të masave administrative;
Kontrolli i zbatimit të udhëzimit për ndalimin e përkohshëm të patinave elektrike.
Në përfundim të kontrolleve të zhvilluara në akse të ndryshme të kryeqytetit:
-40 automjete u tërhoqën me mjet ngritës, nga korsitë e dedikuara;
-25 shtetas u arrestuan/proceduan penalisht për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor. 3 prej tyre drejtonin automjete, në efektin e lëndëve narkotike;
-76 leje qarkullimi iu tërhoqën shtetasve që rezultojnë debitorë, për mospagim të detyrimeve administrative;
-90 monopatina dhe 12 motoçikleta elektrike u sekuestruan, për lëvizje në kundërshtim me udhëzimin nr. 169, datë 13.10.2025, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për ndalimin e përkohshëm të qarkullimit të patinave elektrike dhe çdo varianti të tyre të kombinuar, për arsye që lidhen me sigurinë publike dhe sigurinë e qarkullimit rrugor.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos përdorin korsitë e dedikuara dhe të mos drejtojnë mjetin në efektin e alkoolit apo të substancave narkotike.
Kontrollet do të vijojnë çdo ditë, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Komente









