Rubrika 'Në librari' me katër tituj të ri! Nga kryevepra e Musil tek 'Lidershipi' i Ismail Qemalit, monografia për Anagnostin e romani Ermal Metës

Rubrika “Në Librari” përgatitur nga gazetarja Anila Dedaj vjen këtë fundjavë me katër tituj të rinj.

Rubrika e Librit 1

“Burri pa cilësi” i Robert Musil, përkthyer nga Jonila Godole

90 vjet pas botimit të parë, studiuesja Jonila Godole  dhe shtëpia botuese "Onufri" sjellin në shqip, një nga kryeveprat absolute të Letërsisë së viteve ‘900-ës. E njohur në të gjitha vendet e Evropës e më gjerë,  vepra monumentale e Robert Musil “Burri pa cilësi”, është konceptuar në tri pjesë. I sjell lexuesit shqiptar në vëllimin e parë, një hulumtim me saktësi të pamëshirshme e ironik, të vlerave të shoqërisë në zbehje. Klasiku austriak e nis veprën, në fund të Luftës së Parë Botërore, e mbetet e papërfunduar për shkak të vdekjes së tij në vitin 1942.

“Është një moment i rëndësishëm në letërsinë shqiptare sjellja e Robert Musil dhe “Njeriu pa cilësi’. Kjo vepër është shkruar në të njëjtën kohë kur Xhejms Xhojsi shkruante “Uliksin” dhe kishim Rainer Maria Rilke që shkruante “Elegji Duine”. Pra, tre ndër veprat më të rëndësishme në letërsinë evropiane dhe letërsinë botërore më vonë. Dhe ky është autori që është më pak i njohur për publikun shqiptar. Në atë kohë që ai jetoi vlerat e shoqërisë evropiane kishin filluar të shkërrmoqeshin dhe të binin dhe ky është autori i parë që nxjerr në pah përmes pjesës simbolike që merret  me rënien e Perandorisë Austro-Hungareze, në thelb është një metaforë për shkatërrimin e vlerave dhe të strukturave të mënyrës së komunikimit të vlerave njerëzore të asaj kohe.  Pra ,ai flet për njeriun pa cilësi në parim, por që në thelb i shkon shumë realitetit shqiptar dhe është një vepër, të cilën uroj që lexuesi shqiptar , që studentët e letërsisë,  përkthyesit e rinj  dhe të gjithë ata që e duan letërsinë ta shohin edhe në kontekstin e Shqipërisë në këtë tranzicion të stërzgjatur", shprehet studiuesja dhe përkthyesja e librit Jonila Godole

“Themeluesi- Lidershipi i Ismail Qemalit” nga Evarist Beqiri

Evarist Beqiri dhe shtëpia botuese 'Mediaprint' sjellin në një këndvështrim të ri, figurën e “Themeluesit” të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit. Autori zbërthen në mbi 400 faqe aftësitë e jashtëzakonshme të lidershpit të hartuesit të Deklaratës së Pavarësisë e kryeministrit të parë, duke tentuar të shmang mitizimin e të nxit mendimin kritik përmes ballafaqimit të fakteve, që nisin nga fëmijëria e vendlindja tek rrugëtimi si nënpunës në administratën e Perandorisë Osmane, roli si Prijës i Kombit, Amshimi e vlerësimi që i është bërë figurës së tij.

"Në këtë libër ne kemi një dimension krejt të ri të Ismail Qemalit, sepse në historigrafinë tonë nuk është trajtuar asnjëherë ky aspekt i tij, pra lidershpi. Në përgjithësi, sa i përket figurës së Ismail Qemalit, në studimet që janë bërë gjatë monizmit, dhe janë bërë disa të tilla nga figura si Koli Xoxe, Skënder Luarasi etj., por brenda kufizimeve të kohës. Një pjesë e jetës së Ismail Qemalit, apo të familjes Vlora, nuk jepet në tërësinë e vet, dhe shumë të dhëna mbaheshin të fshehura. Kështu që ky libër na risjell në të gjithë gamën e mundshme, figurën e Ismail Qemalit, historinë e familjes Vlora dhe historinë e Shqipërisë përmes kësaj familje të madhe, familje perandorake do të thoja, e cila ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e Shqipërisë dhe në historinë tonë moderne. Mund të them për figurën e Ismail Qemalit si lider, që ishte sa racional aq edhe empatik, në vendimarrjen e tij. Kështu që ky aspekt i tij, deri më sot nuk ishte përpunuar sa duhet dhe  shpresoj që me kontributin tim të kem bërë një libër që tu shërbejë të gjithë brezave", shprehet autori Evarist Beqiri, jurist e pedagog.

Monografia “Dhimitër Anagnosti- Artisti, Bota, Imazhi” nga Josif Papagjoni

Artisti, bota e imazhi ,“Dhimitër Anagnosti”, një nga kineastët më emblematikë shqiptarë vjen  për lexuesit në një monografi të  shtrirë në dy kohë me autor studiuesin Josif Papagjoni, si botim i Akademisë së Shkencave. Kritiku e merr nxitjen prej një bisede të gjatë për mendimin estetik me Anagnostin, mbajtur 2 dekada më herët dhe e plotëson gradualisht, në vitet e me krijimtarinë që pason.

"Unë e shoh Anagnostin si një personazh eminent të kinematografisë shqiptare, ku ndër të tjera do të veçoheshin sigurisht qenësia e tij si regjisor autor, çka do të thotë se  gjithë skenarët ai i bënte vet, dhe subjektin, narrativën, mesazhet, gjithçka e konceptonte fillimisht vet. Dhe më pas fillonte pastaj sendërtimi. E dyta që mund të them për artin e tij të jashtëzakonshëm, për ne si shqiptarë, është një madhështi që filmat e tij kanë. Është më tutje karakteri shqiptar. Personazhet burojnë nga populli shqiptar, janë pjesë e popullit, janë pjesë e antropologjisë, e kulturës sonë. Janë tipa apo arketipa shqiptarë, që i shikojmë shumë në filma të tij që nga “Malet me blerim mbuluar” te “Përrallë nga e kaluara”, ku kemi çajupin të konvertuar ndryshe, po që arketipat janë këtu...  Anagnosti ka mbi dhjetë filma artistikë që mbeten në arealin e kinematografisë sonë më të mirë shqiptare. Personazhi i Anagnostit ka sjellë mesazhe të mëdha arketipin e shqiptarit. Filmat e tij kanë funksionuar në kohën kur janë bëërë por kanë brenda vetes dhe tharmin e universales", thotë autori Josif Papagjoni.

“Nesër e përgjithmonë” nga Ermal Meta

Ermal Meta, lëndën e parë të sprovës së tij në prozë e merr në vendlindjen e tij. Me romanin “Nesër e përgjithmonë”, ai sjell përmes historisë jetësore të Kajanit, stuhinë e konflikteve që zhvillohen në Shqipëri, nga viti 1943, deri në fillim të viteve ’90. Durimi i qenies njerëzore në zhvillimet e kobshme të regjimit komunist, që mbërrijnë deri në gjirin e famijes, vihet në pikëpyetje, e ndërkaq, autori, me këtë vështrim mbi të shkuarën, kërkon të ndihmojë në të kuptuarin Shqipërinë e post diktaturës.

“Ka shumë histori të vërteta, sepse unë kam studiuar e lexuar shumë para se të shkruaja këtë libër, i jam referuar shumë burimeve. Kam lexuar intervista , dokumente historike, libra... Edhe duke folur me të afërmit e mi, kam zbuluar histori të pabesueshme, sepse ky vend është plot me histori të tilla, si dhe me personazhe të jashtëzakonshëm! Dhe në brendësi të kësaj kopertine janë shumë personazhe që unë i kam bashkuar përmes fictionit. Sigurisht që këta personazhe në jetën reale nuk janë takuar kurrë, por unë i solla bashkë në këtë libër, sepse nuk kisha si qëllim të bëja një analizë historike. Doja thjesht të tregoja jetën e një njeriu, përgjatë një harku prej 47 vitesh zhvillim të jetës së tij, nga fëmijë në burrë me flokë të thinjura. E përmes kësaj ti zbuloja lexuesit diçka më shumë për vendin tonë”, shprehet më tej artisti Ermal Meta, autor i romanit.

/LR/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja