TIRANË- Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot Ambasadorin e Malit të Zi, Dušan Mrdovic, me rastin e mbarimit të mandatit të tij në Shqipëri. Siç njofton zyra e shtypit, kryetari Ruçi, vlerësoi bashkëpunimin e marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, si marrëdhënie partneriteti dhe fqinjësie të mirë, të cilat shërbejnë si një shembull referues në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.
“Shqipëria vlerëson orientimin euro-atlantik të MZ, performancën si një partner të rëndësishëm fqinj, aleat në NATO dhe në procesin e anëtarësimit në BE. Bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve është garant për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe orientimit euro-atlantik të rajonit.”, theksoi Kryetari Ruçi.
Kryetari i Kuvendit nënvizoi se shqiptarët në Mal të Zi po luajnë një rol vendimtar për të ardhmen euro-atlantike të vendit dhe për ruajtjen e kohezionit të shoqërisë dhe vendit dhe se diplomacia proaktive parlamentare dhe kontributi i grupeve të miqësisë, përmes shkëmbimit të vizitave dhe angazhimeve të tjera, ka kontribuar në promovimin e projekteve ndërkufitare dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve.
Ambasadori Dušan Mrdovic falenderoi Kryetarin e Kuvendit për vlerësimin e bashkëpunimit midis të dy vendeve si edhe kontributin e Ambasadës së Malit të Zi në këtë proces dhe vuri në dukje se Mali i Zi do të mbështesë Shqipërinë në përpjekjet e saj të integrimit europian dhe çeljes së negociatave. Mali i Zi mbështet integrimin europian dhe euro-atlantik të të gjithë vendeve të rajonit, vuri në dukje Ambasadori Mrdovic.