Duke patur dijeni të plotë në lidhje me të vërtetën e kësaj çështjeje dhe për kohën që flet Ansari, ministri Ruli ka deklaruar se METE dhe KESH-i, pasi janë njohur dhe kanë shqyrtuar propozimin e paraqitur nga Zafar Ansar, janë prononcuar në mënyrë të qartë në atë kohë, duke e konsideruar të paleverdisshëm dhe aspak në dobi të shtetit shqiptar, për shkak të kushteve të ekskluzivitetit që Ansar kërkonte të vendoste, si dhe çmimeve të disfavorshme që ai pretendonte.
“Kjo dhe vetëm kjo ka qenë arsyeja e refuzimit të projektit”, thekson Ruli nëpërmjet një deklarate për shtyp.
“Ishin këto kushte që vendoste Ansar, që e bënin këtë propozim të tijin, ndër më të paleverdishmit dhe më të papranueshmit që kanë mbërritur në adresën tonë. Çdo arsye tjetër e servirur këto kohë, është thjesht spekulim i qëllimshëm dhe dashakeq. Deklaratat që bën sot biznesmeni në fjalë, janë kaq absurde dhe të pavërteta, saqë e vetmja gjë që vjen në mendje, që mund të ketë shtyrë z. Ansar për t’i nxjerrë nga goja, është kthimi i “borxhit” ndaj atyre që e bënë konsull nderi para vitit 2005”, shton Ruli.
Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)