Rushaj në Report TV te ‘5 Pyetjet’: Situata në PD s’është rozë! Nuk ka konflikt, por debat emocional Basha-Berisha! Me përjashtimin e ish-kryeministrit u shmang një 'luftë' e vërtetë me SHBA

TIRANË- Me përjashtimin e Sali Berishës të shpallur ‘Non Grata’ nga SHBA, situata në Partinë Demokratike, nuk është “rozë” dhe këtë e pranon vetë kreu i grupit parlamentar Alfred Rushaj i cili ishte i ftuar sot në '5 pyetjet nga Babaramo' në Report Tv, megjithatë, ai refuzon që ta quajë një konflikt. Përtej deklaratave e akuzave të ashpra nga Sali Berisha se Lulzim Basha është një lider i thyer dhe tentativës së tij për ta larguar nga kreu i PD-së, Rushaj, e quan një debat emocional mes demokratëve, por kurrsesi një konflikt mes “babait dhe birit politik”. Me rënien e emocioneve, Rushaj thekson se do të logjikohet se përjashtimi i Berishës, ishte vendimi më i mirë që Lulzim Basha mori, pasi kjo shmangu një "luftë" të vërtetë me SHBA-në.

“Që ka një debat është e qartë, do të isha i pa sinqertë nëse do thoja që çdo gjë po shkon shumë mirë, konflikt nuk mund të quhet, ka një debat, debat emocional mes demokratëve, Berisha ngjall shumë emocione te ne demokratët, jemi rritur duke parë betejat opozitare të tij. Situata nuk është rozë, që nuk ka debat, nuk mund ta themi, por kjo gjë mendoj që nuk mund të karakterizohet si konflikt dhe me kalimin e kohës, kur emocionet të bien, njerëzit do të mund të identifikojnë gjënë që është më e logjikshme, atë vendimmarrje që ka eliminuar një konflikt të vërtetë ndërmjet PD dhe një partneri të rëndësishëm siç është SHBA”, tha Rushaj.

Figurat që u është besuar që të mbajnë peshën në opinionin publik lidhur me arsyetimin mbi vendimin për përjashtimin e Sali Berishës, sa herë që janë pyetur japin të njëjtin argument: ‘Basha mori këtë vendim për të shmangur pasojat që do të rëndonin mbi PD’! “Recitimi” i kësaj fraze, për Rushajn, nuk do të thotë se ka një tekst apo një urdhër nga vetë Basha, por është thjesht e vërteta, më e mira për demokratët në rrafsh afatgjatë.

“Nuk ka një tekst të gatshëm që e përsërisim, është shumë emocionale dhe delikate për një arsye, nuk besoj se Berisha ka marrë ndonjëherë lekë gjatë ushtrimit të detyrës, por vendimmarrja ndaj tij nuk varet, e ka marrë dikush tjetër. Vendimin e ka marrë Blinken dhe Basha duhet të merrej me pasojat që mund të kishte me PD, pavarësisht si ju duket juve, ajo çfarë është e pranueshme është se vendimmarrja ka pasur në konsideratë, interesin më të mirë afat mesëm dhe afatgjatë”, tha ai.

Në një kohë kur Berisha synon largimin e kryedemokratit, për Rushajn nuk ka dyshim që Basha është kryetari legjitim i PD-së që ka dalë nga zgjedhjet legjitime. 

“Nuk besoj që ka dyshim që ai është kryetar legjitim i PD, pavarësisht komenteve apo pakënaqësive që dikush mund të ketë. Berisha ka qenë një figurë e rëndësishme e PD, mandati i Bashës është i qartë se dhe vetë Berisha e ka pranuar se ai nuk është i përfshirë në çështjen e vendimmarrjes së PD dhe kjo është e vërtetë, votëbesimi i demokratëve është për kryetarin legjitim”, tha ai.

Akuzës se Lulzim Basha, njëjtë si paraardhësi i tij, nuk shkon dot në SHBA, Rushaj nuk dha një përgjigje shteruese.

“Basha nuk shkon dot në SHBA? Nuk e besoj, nuk i kam kërkuar Bashës që të më tregojë pasaportën apo vizën”, tha ai.

Në fund, kreu i grupit parlamentar të PD-së tha se më LSI-në ka një marrëdhënie korrekte, por jo një marrëveshje të shkruar në letër, e ndërsa sa i përket bashkëpunimit me mazhorancën për ndryshimet në Kushtetutë, ai shtoi se përveç deklaratave në media, nuk kanë marrë një propozim konkret. Për rrjedhojë, nuk po e diskutojnë një mundësi të tillë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:03
Basha e ka të ndaluar të shkojë në SHBA? Rushaj: S’e besoj! S’i kam kërkuar të më tregojë vizën apo pasaportën

Një nga akuzat më të rënda që ka ardhur nga vetë ish-kryeministri Sali Berisha, gjithmonë pasi u përjashtua nga grupi i PD-së, është se Lulzim Basha nuk mund të shkojë në SHBA. Lidhur me këtë akuzë i pyetur në Report Tv, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj nuk dha një përgjigje shteruese, por tha se Basha “mund” të shkojë për vizitë pune në Amerikë.

“Basha nuk shkon dot në SHBA? Nuk e besoj, nuk i kam kërkuar Bashës që të më tregojë pasaportën apo vizën. Besoj se mund të shkoj sa herë të ketë ftesa apo takime pune në Amerikë”, tha Rushaj.

Ora 22:00
Takimi i Bashës me Kim, Rushaj: SHBA e ka dhënë mesazhin e qartë se do të punojë ngushtësisht me PD

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj, nuk ka dashur që të flasë shumë për takimin e ambasadores së SHBA-së, Yuri Kim në selinë blu me Lulzim Bashën. Ai tha se ajo që është me rëndësi është mesazhi që ajo ka dhënë më herët përtej zhvillimeve në PD, se SHBA do të punojë gjithnjë e më ngushtë më këtë forcë politike.

“Gjërat që nuk janë bërë publike nuk duhen bërë publike, kam dëgjuar deklaratën çfarë Kim tha, që SHBA janë të gatshme të punojnë më ngushtë se asnjëherë me PD dhe kryetarin e saj si dhe kënaqësinë, kur tha se është e gatshme mezi pret që të bashkëpunojnë me PD në qeverisjen e ardhshme janë mesazhe të qartë”, tha Rushaj për Babaramon.

Ora 21:58
Reforma territoriale dhe zgjatja e Vettingut, Rushaj: Nuk kemi një propozim konkret nga PS, vetëm deklarata publike

 

Ndryshimet në Kushtetutë për zgjatjen e Vettingut si dhe reformën territoriale kërkojnë bashkëpunimin mazhorancë dhe opozitë. Megjithatë, përtej shtrirjes së dorës nga ana e mazhorancës, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj thotë se nuk ka asnjë propozim konkret nga PS-ja.

“Nuk kemi marrë asnjë propozim, është bërë publik, por është e njëjta gjë  me reformën administrative, ne kemi një qëllim dhe projekt, dhe kur unë kërkon ndryshim Kushtetues duhet të them se çfarë nuk shkon dhe çfarë duhet të arrijë, nuk i kemi parë dhe nuk i kemi marrë, dhe do flasim atëherë kur do të na paraqiten”, tha Rushaj.

B.K./I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ “Amour” është shfaqja teatrore tek Universiteti i Arteve! Capital T koncert në Shkodër

Aktivitetet kulturore/ “Amour” është shfaqja teatrore tek Universiteti i Arteve! Capital T koncert në Shkodër