MOSKË, 19 nëntor /ATSH-ANSA/ - Moska ka nevojë për garanci 100 për qind që Perëndimi nuk do ta marrë në konsideratë një anëtarësim të mundshëm të Ukrainës në NATO, deklaroi Dmitri Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin, në një intervistë për BBC-në.
"Na pëlqen të dëgjojmë që NATO-ja do të heqë dorë nga afrimi drejt kufijve rusë si edhe nga përpjekja për të shkatërruar ekuilibrin e fuqisë", shpjegoi Peskov.
"Por, fatkeqësisht ne nuk po i dëgjojmë këto fjalë dhe kjo na bën nervozë, ndërkohë që NATO-ja po afrohet progresivisht në kufijtë tanë", theksoi ai.
Pas krizës ukrainase, gjatë këtyre muajve të fundit NATO-ja ka vendosur të forcojë praninë e saj në rajonin balltik dhe në lindje të Evropës.
Në fund të gushtit qeveria ukrainase depozitoi në parlament një projektligj për heqjen nga kushtetuta të statusit të vendit të paangazhuar.
Kryeministri ukrainas, Arseni Iatseniuk deklaroi se objektivi më i afërt i vendit të tij ishte marrja e statusit "partner special" i Aleancës së Atlantikut Verior./ a.jor.