Presidenti rus, Vladimir Putin përshëndeti sot presidentin e ri polak, Andrzej Duda, zgjedhur një ditë më parë duke shprehur shpresën për përmirësimin e marrëdhënieve të tendosura mes dy vendev në sfondin e krizës ukrainase.
Në telegramin e tij përshëndetës, Putin theksoi se shpresonte se zgjedhja e Dudas do të mundësojë vendosjen e marrëdhënieve konstruktive, themeluar mbi principet e fqinjësisë së mirë dhe respektin reciprok", sipas një komunikate të Kremlinit.
"Ne shpresojmë gjithmonë për marrëdhënie të mira, të paanshme dhe pa paragjykime, në interes të të gjithëve", theksoi përveç të tjerave zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
Konservatori Andrzej Duda u zgjodh dje president i Polonisë me 53 për qind të votave duke mundur presidentin në ikje të qendrës së djathtë Bronislaw Komorowski, i cili pranoi dështimin dhe mori 47 për qind të votave, sipas një sondazhi realizuar pas mbylljes së votimit.
Fitorja e juristit 43-vjeçar, që do të konfirmohet zyrtarisht sot, do të mund t'i hapë rrugën rikthimit në pushtet të mentorit të tij, Jaroslaw Kaczynski, lideri i Partisë konservatore dhe populiste Ligj dhe Drejtësi (PiS), gjatë zgjedhjeve legjislative të parashikuara për në vjeshtë.
Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Polonisë, historikisht shumë komplekse, janë në nivelin më të ulët që prej fillimit të konfliktit në lindje të Ukrainës një vit më parë./
/atsh/