Rusia dhe fillimi i një lufte të re të ftohtë

Rusia dhe fillimi i një lufte të re të ftohtë

Deri më 24 shkurt, kur Presidenti Vladimir Putin urdhëroi futjen e trupave ruse në Ukrainë, Lufta e Ftohtë i përkiste muzeve të historisë, si një periudhë e errët në historinë e Evropës. Por ndasitë mes Moskës dhe Perëndimit nuk po tregojnë shenja përmirësimi. Analistët thonë se situata aktuale e marrëdhënieve Rusi-Perëndim mund të jetë fillimi i një lufte të re të ftohtë, ose vazhdimi i luftës së vjetër.

Më shumë se katër muaj pas fillimit të sulmit rus në Ukrainë, bota ka ndryshuar, ndërsa Rusia është pozicionuar sërish kundër Perëndimit. Udhëheqja ruse e akuzon NATO-n se ka ngritur në Evropë një perde të re të hekurt, pas takimit të krerëve të vendeve të aleancës në Madrid muajin e kaluar.

“Konkluzioni më i mirë që mund të nxjerrim është se në takimin e Madridit, NATO-ja bëri një lloj evolucioni, që pas themelimit në vitin 1949 duke u kthyer tek rrënjët e saj, në parimet e ofrimit të sigurisë ushtarake, që daton që nga periudha e kohës së Luftës së Ftohtë”, tha Zëvendësministri i Jashtëm rus Aleksandër Grushko.

I izoluar në arenën ndërkombëtare, presidenti rus po kërkon të forcojë lidhjet me ata pak aleatë që i kanë mbetur, veçanërisht me udhëheqësin bjellorus, Alexander Lukashenko. Ata kanë në plan të unifikojnë vendet e tyre dhe Presidenti Putin thotë se në fakt Perëndimi po ndihmon në arritjen e këtij qëllimi.

“Trysnia e pashembullt politike dhe me sanksione, e ushtruar nga i ashtuquajturi ‘Perëndim kolektiv’ po na shtyn të përshpejtojmë procesin e integrimit”, tha Presidenti Putin.

Në një Evropë të ndarë, mundësia që Ukraina dhe Moldavia, dikur pjesë të Bashkimit Sovjetik, të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, është gjithashtu një çështje shqetësuese për Kremlinin. Por analistët thonë se NATO-ja është frika kryesore e Moskës.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Andrey Kortunov, Drejtor i Përgjithshëm i Këshillit të Çështjeve Ndërkombëtare Ruse, një institut hulumtues për politikën e jashtme me seli në Moskë.

“Udhëheqja ruse është kryesisht e shqetësuar nga vendosja e infrastrukturës ushtarake armiqësore në territorin e këtyre vendeve. Por meqenëse Bashkimi Evropian nuk është një lojtar i fortë në fushën e sigurisë, afrimi i Ukrainës me BE-në duhet të përbëjë më pak shqetësim për Kremlinin sesa afrimi i Ukrainës me NATO-n”.

Në rrugët e Moskës, opinionet ndaj NATO-s janë shpesh negative.

“Ne nuk jemi agresivë. Por, ju (NATO), mos u futni në territorin tonë. Putini ka të drejtë kur thotë: ‘Ne nuk ju prekim ju. Dhe ju (NATO) mos prekni kufijtë tanë’”, thotë një banor i Moskës.

Por ka edhe nga ata që, pasi sigurohen se nuk i përkasim televizionit shtetëror rus, shprehen ndryshe.

“Nuk e konsideroj (NATO) armiqësore, as nuk e konsideroj se ka vënë në shënjestër Rusinë. Le të themi se është një klub interesash. Nuk shoh se përbën ndonjë kërcënim për Rusinë”, thotë për Zërin e Amerikës një banore e Moskës.

Ndërkohë që situata vazhdon të jetë e rëndë, shumë njerëz në Rusi besojnë se një perde e re e hekurt po shtrihet në të gjithë Evropën, një luftë e ftohtë e dytë, ose ndoshta rikthimi i Luftës së Ftohtë që nuk u zhduk kurrë../VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Sot Champions League është për ata me zemër të fortë! Liverpool pret Real Madridin, Juve e Dortmund në udhëtim

Sot Champions League është për ata me zemër të fortë! Liverpool pret Real Madridin, Juve e Dortmund në udhëtim