Sulmet ruse në Ukrainë kanë goditur kompleksin rezidencial ku banon ambasadori shqiptar në Kiev, Ernal Filo. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Jashtme e cila njofton se jeta e tij është vënë në rrezik serioz, diçka e papranueshme.

Ministria thotë se ambasadori rus në Shqipëri, Alexey Zaytsev, është thirrur për shpjegime. Paralelisht bën thirrje për ndalimin e këtyre sulmeve nga ana e Rusisë dhe kthimin në negociata.

“Shqipëria dënon me forcë një tjetër sulm brutal në shkallë të gjerë me raketa balistike dhe dronë të nisur mbrëmjen e fundit nga Rusia ndaj objektivave civile në Ukrainë, në një shpërfillje totale të jetës dhe dinjitetit njerëzor. Këtë herë u godit kompleksi rezidencial ku banon Ambasadori i Shqipërisë në Ukrainë, duke e vënë jetën e tij në rrezik serioz. Kjo është e papranueshme! Targetimi i zonave civile dhe vënia në rrezik e personelit diplomatik përfaqëson një përshkallëzim të rëndë dhe një tjetër kujtesë të zymtë të kostos njerëzore të agresionit të vazhdueshëm të Rusisë", shkruan Hoxha.

Ministri Hoxha i bën thirrje Rusisë që të ndalë sulmet dhe të ulet në negociata, duke theksuar qëndrimin e Shqipërisë krah Ukrainës.

"Kjo luftë e zgjedhur nga Rusia ka zgjatur shumë gjatë. Për më shumë se katër vjet që nga pushtimi i paligjshëm në shkallë të gjerë, Rusia ka targetuar pa pushim infrastrukturën energjetike, shkollat, spitalet dhe shtëpitë në të gjithë Ukrainën. Megjithatë, ajo nuk ka arritur të thyejë guximin, vendosmërinë, qëndrueshmërinë dhe forcën e popullit ukrainas. Rusia nuk po fiton; ajo vetëm po vret, po nxit vuajtje dhe shkatërrim. Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj Rusisë që të ndërpresë menjëherë këto sulme, t'i japë fund luftës kundër Ukrainës, të respektojë plotësisht ligjin ndërkombëtar dhe të kthehet në negociata.

Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë fort pranë Ukrainës dhe përsërit mbështetjen e saj të palëkundur për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ata që janë përgjegjës për këto sulme duhet të mbahen përgjegjës. Ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri është thirrur për shpjegime”, shprehet ministri Ferit Hoxha.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:30
Ekskluzive/ Report Tv siguron pamjet e sulmit rus në rezidencën e ambasadorit shqiptar në Kiev (VIDEO)

Report Tv ka siguruar pamjet e sulmit rus në kompleksin rezidencial të ambasadorit shqiptar në Kiev, Ernal Filos.

Siç shihet, raketat kanë sjellë dëmtime të shumta, si edhe zjarre.

Për shkak të sulmeve, një person ka humbur jetën dhe rreth 40 të tjerë janë plagosur. Mes të plagosurve është edhe një djalë 15-vjeçar, ndërsa 20 persona janë dërguar në spital, tha kryebashkiaku Vitali Klitschko.

Shpërthime u dëgjuan në të gjithë qytetin, ndërsa raportohen dëme në të gjitha distriktet.