Katër persona kanë humbur jetën dhe të paktën 50 të tjerë janë lënduar si pasojë e sulmit masiv rus ndaj Kievit gjatë natës. Tre fëmijë janë mes të plagosurve, ndërsa operacionet e shpëtimit janë ende në vazhdim.
Sulmi preku edhe rezidencën e ambasadorit shqiptar në Ukrainë, Ernal Filos. Lajmi raportohet nga mediat ukrainase, të cilat po ndjekin aktivitetin e ekipeve të shpëtimit. Dëme janë regjistruar në ndërtesa në shumë zona të qytetit.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, bëri një përmbledhje të dëmeve materiale në qytet. Në distriktin Darnytsia, një ndërtesë që përdorej si konvikt, disa ambiente jo-rezidenciale, një pikë karburanti dhe disa automjete të parkuara pranë një pallati banimi u dëmtuan nga mbetjet e dronëve dhe raketave.
Në distriktin Obolonsky, një dron goditi një banesë private njëkatëshe. Gjithashtu, pas goditjes së një droni tjetër pranë një ndërtese trekatëshe, shpërtheu një zjarr në një zonë të hapur. Në të njëjtin distrikt, një tjetër goditje shkaktoi zjarr në një pallat 16-katësh dhe një tjetër vatër zjarri në një zonë të hapur, e cila u përhap në një ndërtesë tjetër banimi.
Në distriktin Shevchenkivskyi, dy pallate banimi dhe një qendër zyrash u dëmtuan nga rënia e mbetjeve të raketave, ndërsa disa automjete të parkuara morën flakë. Zjarre shpërthyen edhe në dy shkolla për shkak të mbetjeve të raketave. Gjithashtu u shua një zjarr në një tubacion gazi mes dy ndërtesave banimi.
Në distriktin Dnipro, mbetje raketash ranë mbi çatinë e një pallati banimi. Një zjarr shpërtheu edhe pas goditjes së një banese private nga një dron. U dëmtuan gjithashtu një magazinë dhe një garazh kooperativ.
Në distriktin Svyatoshynskyi, mbetje rakete ranë mbi një shtëpi private njëkatëshe. Në Podilskyi, mbetje të tjera ranë në territorin e ndërtesave jo-rezidenciale. Në lagjen Holosiivskyi, mbetje rakete goditën çatinë e një pallati 24-katësh.
Në distriktin Desnyanskyi, mbetjet e një droni goditën një supermarket dhe një qendër tregtare. Ndërsa në distriktin Solomyanskyi, një dron goditi katin e 23-të të një pallati 24-katësh, duke shkaktuar zjarr dhe dëmtime të strukturës së ndërtesës. Një tjetër zjarr shpërtheu në distriktin Pechersk pasi një dron goditi një pallat 20-katësh.
“Kryeqyteti është vënë nën një sulm masiv balistik. Nisje të tjera janë ende të mundshme”, shkroi në Telegram Tymur Tkachenko, kreu i administratës ushtarake të Kievit, pak pas mesnatës.
Të shtunën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi se kishte shenja që Rusia po përgatitej për “një sulm të kombinuar ndaj territorit ukrainas, përfshirë Kievin”.
Ai iu referua informacioneve të inteligjencës nga Ukraina, Europa dhe SHBA-të, sipas të cilave Rusia po përgatiste një sulm me raketën Oreshnik, e cila thuhet se udhëton me më shumë se 10 herë shpejtësinë e zërit dhe aktualisht është e pamundur të kapet nga sistemet mbrojtëse./Corriere della Sera
Komente










