Rusia ka kërcënuar të nisë një valë të re “sulmesh sistematike” kundër Kievit, disa ditë pasi kreu një nga sulmet e saj më të mëdha në kryeqytetin ukrainas që nga fillimi i luftës.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme ruse tha se sulmet e reja do të kenë në shënjestër “qendrat e vendimmarrjes dhe postet komanduese”, si dhe objektet për prodhimin e dronëve në Kiev.
Moska u bëri thirrje shtetasve të huaj dhe diplomatëve që të largohen nga kryeqyteti ukrainas “sa më shpejt të jetë e mundur”, ndërsa paralajmëroi qytetarët të shmangin ndërtesat administrative dhe objektet ushtarake.
Ndërkohë Ukraina nga ana tjetër ka deklaruar se kërcënimet e Rusisë ishin "asgjë më pak se shantazh i paturpshëm" dhe u bëri thirrje aleatëve të rrisin presionin mbi Moskën.
Sulmet në shkallë të gjerë ruse në fundjavë vranë katër persona dhe plagosën rreth 100 të tjerë në Kiev dhe zona të tjera. Gjithashtu gjatë këtyre sulmeve u godit edhe rezidenca e ambasadorit shqiptar Ernal Filo, që në një deklaratë për Report Tv tha se ‘pa vdekjen me sy’.
Rusia ka nisur disa valë sulmesh vdekjeprurëse me raketa dhe dronë ndaj Kievit pas armëpushimit me rastin e paradës vjetore të Ditës së Fitores në Moskë, 9 maj.
Ushtroa përdori dhjetëra raketa balistike dhe qindra dronë për të goditur kryeqytetin, si dhe qëlloi një raketë hipersonike Oreshnik me aftësi bërthamore në zonën e Bila Tserkva, 90 km në jug të Kievit.
Komente











