Rusia kërkon garanci të qarta sigurie nga Perëndimi

Rusia kërkon garanci të qarta sigurie nga Perëndimi

Prej muajsh NATO dhe BE kritikojnë marshimin e trupave të Rusisë në kufirin me Ukrainën. Moska kërkon t’i jepet fund zgjerimit të NATO-s në lindje dhe po rrit presionin duke kërkuar garanci për sigurinë. Në kulmin e tensioneve me Ukrainën Rusia i ka paraqitur disa kërkesa SHBA-së dhe NATO-s. Qeveria në Moskë publikoi projektet për dy marrëveshje me qëllim që të ndalohet zgjerimi në lindje i aleancës si dhe krijimi i bazave mbrojtëse ushtarake të SHBA-së në shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik. Sfondi ka të bëjë me frikën e Perëndimit, se forcat ruse mund të ndërhyjnë në Ukrainë.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergej Rjabkov tha, se SHBA duhet ta vlerësojnë me seriozitet nismën e qeverisë së tij. Qeveria ruse nuk është e gatshme ta pranojë gjatë situatën e krijuar. Rusia dhe Perëndimi duhet t’i rikonceptojnë raportet mes tyre. Qeveria e tij është e gatshme të negociojë menjëherë në një vend neutral me SHBA-në, tha zëvendësministri rus. Uashingtonit i është propozuar një takim në Gjenevë. Eshtë vendimtare, që garancitë për sigurinë të kërkuara nga Rusia të kenë „efekt ligjor”, theksoi Rjabkov.

Reagim i ftohtë nga Uashingtoni

Qeveria e SHBA parimisht është shprehur e gatshme për dialog, por njëkohësisht hodhi poshtë në mënyrë strikte kërkesat e Rusisë. “Ne jemi të gatshëm, të bisedojmë për këtë”, tha një përfaqësuese e qeverisë së SHBA-së. Udhëheqja në Moskë megjithatë e di, se disa nga kërkesat e saj janë të „papranueshme”. SHBA pas konsultimeve me aleatët e tyre në BE „javën e ardhshme do të përgjigjen me një propozim konkret”.

Zëdhënësja e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, Jen Psaki, bëri të qartë ndërkaq, se: “Nuk do të ketë bisedime për sigurinë e Europës pa aleatët e partnerët tanë europianë.” Psaki shtoi: “Ne nuk do t’i vemë në pikëpyetje parimet themelore, mbi të cilat është konceptuar siguria europiane, përfshi edhe të drejtën e të gjitha vendeve, për të vendosur për të ardhmen e tyre pa u influencuar nga jashtë.”

Në projektin për marrëveshjen e sigurisë me SHBA-në, Rusia kërkon nga qeveria në Uashington që të pengojë anëtarësimin e ish-republikave sovjetike në NATO. Moska kërkon gjithashtu nga SHBA-ja premtimin, se nuk do të ndërtohen baza mbrojtëse ushtarake ne ish-republikat sovjetike, që nuk janë pjesë e NATO-s. Sipas dëshirës së Rusisë, SHBA duhet të heqin dorë nga çdo lloj bashkëpunimi ushtarak me këto vende. Gjatë angazhimit ushtarak në Afganistan bazat mbrojtëse në ish-republikat sovjetike UIzbekistan dhe Kirgistan kanë luajtur një rol qendror për SHBA-në.

Në sfondin e lëvizjeve masive të trupave ruse në kufirin me Ukrainën po shtohen shqetësimet, se Moska mund ta sulmojë vendin fqinj. Vendet e grupit G7 dhe BE-ja e kërcënojnë Rusinë nëse ndërmerr një hap të tillë me „pasoja masive”. Në të kundërt Kremlini akuzon Ukrainën, se po armatoset prej Perëndimit dhe po tenton manovrën ushtarake të NATO-s në afërsi të kufirit me Rusinë.

Rusia javën e kaluar kërkoi, që NATO ta pezullojë perspektivën e anëtarësimit për Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Një anëtarësim i këtyre dy vendeve në NATO as që shtrohet për diskutim, veçanërisht Ukraina bashkëpunon ngushtë me Perëndimin, kryesisht me SHBA-në.

Të martën (14.12) presidenti rus Putin I bëri thirrje NATO-s dhe SHBA-së për bisedime “të menjëhershme” lidhur me „garancitë ligjore për vendin tonë”. Duhet të përjashtohet, sipas Putinit, një zgjerim i aleancës ushtarake në Lindje si dhe dislokimi i sistemeve të armatimeve në Ukrainë dhe në vende të tjera fqinjë të Rusisë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg të enjten (16.12) i hodhi poshtë kategorikisht kërkesat e Rusisë, për përjashtimin e anëtarësimit të Ukrainës në aleancë dhe theksoi një partneritet të ngushtë me Kievin./DW

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave