Lideri i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, shfrytëzoi vizitën e tij në Moskë ndër të tjera edhe për të sulmuar marrëveshjen e bashkëpunimit ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, duke e cilësuar atë si një “aleancë anti-serbe”.

Duke folur pas takimit me Sergei Shoigu, sekretar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dodik tha se edhe Rusia ndan të njëjtin qëndrim ndaj marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë. Dodik akuzoi gjithashtu vendet perëndimore, veçanërisht Gjermaninë, për forcimin e kapaciteteve ushtarake në Europë.

Gjatë qëndrimit në Moskë, ai shprehu mbështetje të hapur edhe për veprimet e Rusisë në Ukrainë, duke përdorur terminologjinë e përdorur nga Kremlini për luftën dhe duke e quajtur atë “operacion special ushtarak”.

“Ne e mbështesim qartë operacionin special ushtarak dhe dëshirojmë që Rusia t’i arrijë qëllimet e saj”, deklaroi Dodik për mediat nga Republika Sërpska që e shoqëronin në Moskë.

Deklaratat e sfidantit të Perëndimit në Ballkan janë konsistente me shqetësimet që Serbia dhe Aleksandër Vuçiç në emër të saj ka shprehur kundër bashkëpunimit mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, ndërkohë që NATO i cilëson të dyja si të një rëndësie kyçe për sigurinë e Perëndimit në rajon.