Të paktën një person është vrarë dhe 15 të tjerë janë plagosur nga bombardimet ruse mbrëmjen e së enjtes në Kramatorsk, në lindje të Ukrainës. Kreu i administratës ushtarake të rajonit, Vadim Filashkin, tha se forcat ruse e sulmuan Kramatorskun dhe fshatin Bilenke gjithsej tetë herë.
Në Kramatorsk, qytet pranë vijës së frontit në rajonin e Donetskut, janë raportuar dëme në disa objekte, përfshirë një pallat banimi. Filashkin u bëri thirrje banorëve që të largohen drejt zonave më të sigurta të Ukrainës.
Ndërkohë, një tjetër sulm rus është raportuar në Zaporizhia, në juglindje të vendit, ku janë plagosur dy persona. Sipas kreut të administratës ushtarake rajonale, Ivan Fedorov, një sulm goditi një rrugë pranë një automjeti, i cili pësoi dëme.
Ndërkohë sipas një raporti të publikuar sot nga Misioni i Monitorimit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, të paktën 437 civilë u vranë dhe 2 610 u plagosën në Ukrainë gjatë korrikut, si pasojë e sulmeve ruse.
Numri i viktimave civile u rrit me rreth 30% krahasuar me qershorin dhe me 70% në raport me korrikun e vitit të kaluar. OKB-ja thekson se korriku ishte muaji me numrin më të lartë të civilëve të vrarë që nga maji 2022.
Veçanërisht shqetësues është bilanci për fëmijët; 17 fëmijë u vranë dhe 166 u plagosën, shifra më e lartë e viktimave fëmijë që nga prilli 2022. OKB-ja paralajmëron se numri real i viktimave mund të jetë edhe më i madh, pasi verifikimi i disa rasteve vazhdon.
Kryeqyteti Kiev ishte ndër zonat më të goditura. Në korrik atje u vranë 54 persona dhe mbi 200 të tjerë u plagosën.
Sipas raportit, përshkallëzimi i dhunës lidhet me sulmet masive ruse me raket, ndërsa dronët dhe bombat e drejtuara vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të madh për popullsinë civile.
Ukraina ka paralajmëruar prej muajsh se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore nuk janë të mjaftueshme për t’u përballur me intensifikimin e sulmeve me raketa balistike, veçanërisht për shkak të mungesës së raketave për sistemet “Patriot”

Avionët luftarakë të NATO-s rrëzuan një dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore të Letonisë, njoftoi Forca Ajrore e vendit.
Incidenti ndodhi pak orë pasi autoritetet ruse raportuan se një qendër e rëndësishme e eksportit të energjisë në rajonin e Leningradit, në veriperëndim të Rusisë, ishte vënë në shënjestër të një sulmi me dron gjatë natës.
Ministria e Mbrojtjes e Letonisë deklaroi më vonë se droni kishte hyrë në hapësirën ajrore të vendit “si rezultat i luftës elektronike ruse”.
Ngjarja ka rritur shqetësimet për sigurinë në krahun lindor të NATO-s, veçanërisht pasi Letonia kufizohet me Rusinë dhe është pjesë e aleancës ushtarake.








Komente
Komento