TIRANE - Gjyqtarja Vjosa Zaimi është kërcënuar mesditën e kësaj të enjte nga një 18-vjeçare e cila ka tentuar ta qëllojë me biçak në sallën e gjyqit, por është ndalur nga sekretarja e më pas arrestuar nga policia.
 
Ngjarja është shënuar në gjykatën e Tiranës teksa e reja ishte paraqitur për të marrë urdhër mbrojtje, por kjo kërkesë e saj nuk është miratuar nga gjykatësja e kaq ka mjaftuar për të arritur deri në kërcënimin ndaj Zaimit.
 
Aktualisht e reja është ndaluar nga policia dhe ndodhet në ambientet e komisariatit numër dy, ku po merret në pyetje për të hedhur dritë mbi ngjarjen.
 
Po ashtu në pyetje janë marrë dhe policët e turnit të shërbimit në gjykatë, të cilët kanë përgjegjësi për kontrollin e çdo shtetasi që futet në ambientet e gjykatës për t’i hequr sendet e ndaluara.
 
E reja ka shprehur pendesën për ngjarjen duke deklaruar se nuk kisha qëllim ta godisja gjyqtaren, por ajo tashmë do të përballet me drejtësinë me akuzën e goditjes për shkak të detyrës ndaj gjyqtares.
 
Vetë gjyqtarja nuk ka dashur ta komentoj ngjarjen, por ky nuk është rasti i parë që në gjykatën e Tiranës ndodhin incidente të tilla ku me sa duket siguria lë për të dëshiruar.
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)