Ish-punonjës i zyrës së Partisë Socialiste në Sarandë, Agron Cane, i cili akuzohet se kërkoi marrëdhënie seksuale në këmbim të një vendi pune ka përfunduar në spital. Burime nga spitali i Sarandës bëjnë me dije se ai ka mbërritur mbrëmë i shoqëruar nga forcat policore pasi ka shfaqur probleme shëndetësore. Pas ekzaminimit të mjekëve u pa se ai kishte problem me zemrën dhe tensionin, ndërsa ka filluar të shfaqë dhe shenja të depresionit. Ai qëndron në një dhomë të veçantë në repartin e imazhërisë, ku ruhet nga efektivë të policisë. Agron Cane u arrestua në 17 gusht pasi një grua e denoncoi se i kishte kërkuar të kryente marrëdhënie seksuale me të dhe vajzën e saj minorene në këmbim të një vendi pune. Ajo arriti që të regjistronte një bisedë me të dhe skandali u bë publik në media. Pas këtij skandali, prokuroria nisi menjëherë hetimet dhe arrestoi shtetasin Agron Canen, duke i kërkuar më pas gjykatës së Sarandës caktimin e masës së sigurisë të “arrestit në burg”, kërkesë kjo që është miratuar nga gjykata.