S'ka datë për raundin e dytë
Kuvendi: Vendoset nesë

TIRANË – Pas djegies së raundit të parë pa asnjë votim dhe asnjë kandidat zyrtar, politika shqiptare futet në debat edhe për datën e raundit të dytë të votimit për garën presidenciale.
Palët, PS e PD në konferencën e kryetarëve të grupeve kuvendore, nuk kanë gjetur dot konsensus as për datën se kur do të mbahet ky raund. Kuvendi: Vendimi nesër në séancë.
Më herët kryeministri Berisha tha se PD e LSI i qëndrojnë emrit të Xhezair Zaganjorit si kandidat për president, ndërsa ende nuk ka asnjë firmë zyrtare për të.
PS refuzon dhe kërkon më parë tryezën për miratimin e : reformës zgjedhore, parlamentare dhe heqjen e imunitetit.

ORA 13:00 - PËRFUNDON KONFERENCA E KRYETARËVE: S'KA KONSENSUS PËR RAUNDIN E DYTË
Konferenca e kryetarëve të grupeve kuvendore nuk ka mundur dot të  vendosë se kur do te mbahet raundi i dytë i votimit për Presidentin.
Takimi ka zgjatur rreth 30 minuta, ku mazhoranca e djathë ka propozuar që votimit të bëhet më 4 qershor, ndërsa kreu i deputetëve socialistë Ruçi ka kërkuar që të votohej të martën e javës së ardhshme, më 5 qershor.

"Në këto kushte, Konferenca gjykoi që (për mungesë konsensusi), zgjedhja e njërës prej këtyre alternativave duhet të bëhet sipas rregullores në seancën e nesërme parlamentare", thuhet në deklaratën për shtyp të zyrës së shtypit të Kuvendit.


ORA 11:40 - MBYLLET SEANCA, SEQUI: PROCESI I RENDESISHEM
Ambasadori Aleksandër Arvizu, Ambasadorja Franceze nuk dhanë asnjë prononcim për shtyp pasi dolën nga seanca në Kuvend, ndërsa Sequi shkurt tha se “Është një proces i rëndësishëm dhe do të doja të kufizoja komentet”. Ndërkohë mësohet se ambasadori amerikan Arvizu pritet të takohet me kreun e PS, Edi Rama në selinë e kësaj partie.

ORA 11:30 – META: KANDIDATI YNË, ZAGANJORI VENDOS STANDARD
Kreu i LSI, Ilir Meta ka deklaruar në Kuvend se propozimi imazhorancës, ende jo zyrtar për Xhezair Zaganjorin është përpjekja për të vendosur një standard në politikë.

“Si rrallë si ndonjë kandidat tjetër, emri ynë konkret gërsheton përvojën diplomatike, me atë të gjyësorit dhe përvojën akademike duke dhënë mesazhin e qartë se politika ka aftësinë të shohë edhe përtëj vetes”, tha Meta.



ORA 11:15 - RAMA: TË THIRRET TRYEZA PARLAMENTARE
“Duhet të ulemi dhe të gjejmë fillin e arsyes për të bashkëpunuar. Ne nuk kemi kushtëzuar axhendën se si mund të ndahen katër pikat që kemi propozuar dhe se si mund të zgjidhen ato brenda harkut të këtij sesioni parlamentar. Ne e kemi bërë propozimin tonë që të ulemi në tryezë dhe të shprehim pikëpamjet tona”, tha Rama në një intervistë për Sokol Ballën në ‘Top Story’.
Ndër të tjera Rama theksoi se bisedimet janë të nevojshme për të realizuar katër detyrimet që nuk janë shpikur nga opozita, nuk janë as ultimatume, as parakushte për të dialoguar, por janë substanca e asaj cfarë kërkon prej muajsh komuniteti ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian.

Rama theksoi se kryeministri në fjalimin e tij në Parlament ishte i qartë; ai kërkon të tërheqë zvarrë parlamentin, të humbasë kohën e këtyre raundeve të para për të ardhur përsëri në pikënisjen e tij për të realizuar zgjedhjen e një presidenti, në shërbim të tij.


ORA 10:50 – BERISHA: RAMA RA DAKORD ME MUA PËR PRESIDENTIN
Pas fjalës së kreut të grupit parlamentar socialist reagoi kryeministri Sali Berisha në seancën e Kuvendit ku po zhvillohej raundi i parë për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Sipas tij, mazhoranca është e vendosur të bëjë gjithçka për ti dhënë vendit presidentin në lartësinë kushtetuese të detyrës së tij, personalitetin, gruan apo burrin me integritet të lartë e të gjithsanshëm.
“Në këtë kontekst dhe në përputhje me Kushtetutën mazhoranca, e cila ka një marrëveshje për të zgjedhur me konsensusin mes PD-LSI Presidentin, është ngritur mbi këtë marrëveshje, është ngritur në lartësinë e kërkesave të Kushtetutës, të cilën e kemi shkrojtur siç ka dashur Partia Socialiste dhe siç ka kërkuar kryetari i saj. Po, kjo është e vërteta. Ka kërkuar që tre raundet e para të votohet me 3/5 dhe unë e kam konsideruar dhe e konsideroj se është në interesin më të mirë që qytetarët shqiptarë të shohin tek kryetari i shtetit një njeri me mbështetje më të gjërë të mundshme”, theksoi Berisha.

Kreu i mazhorancës tha se PS kërkon që të rilindë bllokun e ish regjimit komunist me ultimatume dhe presion. Ai për të disatën herë brenda pak ditësh ka arsyet “pse” mazhoranca nuk bie dakord me propozimet e socialistëve.
“ODIHR nuk mund të merret me fobira dhe obsesionet e PS. Me retorika boshe Rama s’mund tu hedhë sy qytetarëve shqiptarë, kanë ikur ato kohëra nuk është më koha e territ dhe censurës. Hapësira informative shqiptare ndriçohet në dhjetëra media të cilat kanë meritën historike sepse kanë nxjerrë vendin nga censura. Për t’ia ndriccuar rrugën zotit Ruçi për t’i bërë dritë në parlament doli editoriali i shkruar nga ish këshilltari im për çështjet kozmopolite që ju e keni për çështje atdhetarie”, tha Berisha.

Ai ka bërë të ditur se PS se në garën e vitit 2007, ka eliminuar nga lista e saj e kandidatëve, ish gjeneralin Arjan Zaimi, vetëm për arsyen, sipas Berishës, pasi ishte nga Skrapari.

ORA 10:40 – RUÇI: BERISHA S’PRANOI TË TAKONTE RAMËN
Kryetari i grupit kuvendor socialist deklaroi në fjalën e tij në fillim të seancës së posacme se Berisha ka refuzuar të takohet më kreun e opozitës për reformat e kërkuara nga e majta.
“Rama u ka kërkuar një letër ku u kërkon takim – dialog – negociata – process. Këtë ofertë duhet ta kishit bërë ju, s’patët asnjë minutë kohë. Berisha I takoi të gjithë por jo Ramën. Kreu i mazhorancës nuk do të ulet me kundërshtarin”, tha Ruçi në fjalën e tij.


Ruçi theksoi se në qoftë se do të kthehemi 5 vjet para në kohë kur është zgjedhur Presidenti dhe të shikohen seancat e parlamentit do të vihet re përsëritja e së njëjtës situatë.

“Mendoj se nuk ka asnjë ndryshim, e njëjta situatë si 5 vjet më parë, një seancë formale pa kandidat, ku flasim për negociata dhe stërmundime të mëdha ku asnjë kandidat nuk ka, por as negociata nuk ka. Ndodh kështu rëndom në Shqipëri kur politika bën gabime të reja, por jo të përsërisësh gabimet e kaluara. Kjo ndodh se si në 2007 edhe në 2012 është i njëjti regjisor i njëjti skenarist, prodhohet i njëjti teatër dhe e njëjta kontradiktë. Opozita shqiptare ka qenë serioze që në momentet e para që është hapur ky proces, që të shohë tej interesave të ngushta partiake, pasi nuk zgjidhet kryeplaku i fshatit, por kreu i shtetit”, u shpreh Ruçi,
Kreu i deputetëve socialistë përsëriti ftesën për tryezë politike për 4 pikat e opozitës.
“Do të jemi në misionin tonë në cdo raund edhe pas këtij raundi të dështuar për fajin tuaj. Asnjëherë nuk është vonë për tu dakordësuar e për të arritur një konsesus sipas frymës së Kushtetutës për t’I dhënë vendit një President sic duhet”, tha ai.



ORA 10: 30 - NIS SEANCA, TOPALLI: S'KEMI ASNJE KANDIDAT
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në hapjen e seancës plenare i është referuar raportit të Komisionit të ligjeve, duke konfirmuar se as koalicioni qeveritar dhe asnjë forcë tjetër politike nuk ka paraqitur asnjë kandidat për President.


TAKIMI RUCI  - PATOZI, PS REFUZON ZAGANJORIN
Në Kryesinë e Kuvendit krerët e dy grupeve parlamentare Astrit Patozi, i PD-së dhe Gramoz Ruçi u takuan sot në orën 09: 00 për të biseduar lidhur me emrin e presidentit e Presidentit të ri.
 
Kryetari i grupit kuvendor Gramoz Ruçi ka deklaruar se nuk ka patur asnjë negociatë me PD për propozimin që ajo mbështet për Presidentin e ri të vendit. Në një deklaratë për median pas takimit me kreun e grupit kuvendor demokrat Astrit Patozi, socialistët deklarojnë se ky është një kandidat i njëanshëm, i pakonsultuar me të majtët.
"Të presim të shohim nëse do ketë apo nuk do të ketë votim. Nëse do të paraqitet apo jo kandidati, shpresoj ende që mazhoranca t’i bëjë thirrje ndërgjegjes së saj për një proces konsensual me opozitën”, tha Ruçi


Por, për demokratët refuzimi i socialistëve për emrin e Xhezair Zaganjorin lidhet me vendimin e kryesocialistit Rama për të bllokuar cdo process në Shqipëri

“PS paragjykon duke u bazuar në vendimin e Ramës për të bllokuar cdo proces në vend. Rama na tha: Nuk pranojmë një ofertë të PD. Kur ne ishim terorikë na u tha se duhet të ishim konkretë. Kësaj mazhoranca nuk mund t’i mohohet e drejta e propozimit për presidentin e Republikës.
Refuzimi kategorik nuk ishte befasues por më la shije të hidhur. Përgjigja e ashpër e PS e bën të dështuar raundin e parë”, tha Patozi pas takimit me të mandatuarit e PS.


MBLIDHET KOMISIONI I LIGJEVE: KA SEANCE NE KUVEND, POR PA KANDIDAT TE REGJISTRUAR
Komisioni i ligjeve është mbledhur rreth orës 09.30 minuta ku ka konfirmuar se nuk ka ende asnjë kandidat zyrtar për garën presidenciale. Komisioni ka miratuar një projktraport në të cilin zyrtarizohet se asnjë firmë deputetetësh nuk është paraqitur si mbështetje për emra konkretë për President, në rastin konkret për Xhezair Zaganjorin. Emri i tij u konfirmua nga PD mbërmjen e djeshme si kandidat i mazhorancës për Presidentin e ri.
Projektraporti do të lexohet në seancën plenare, e cila pritet të mblidhet ditën e sotme. Sipas anëtarit të këktij komisionit, Viktor Gumi votimi në raundin e parë do të quhet i ezauruar edhe pse nuk ka asnjë kandidat zyrtar. Kësisoj, nëse sot mblidhet Kuvendi, raundi i dytë pritet të zhvillohet më 4 qershor.


KUSH ESHTE ZAGANJORI
Zaganjori vjen nga fusha e drejtësisë. Ai mban titullin Dr. i Shkencave Juridike dhe Profesor i Asociuar dhe është anëtar i Gjykatës Kushtetuese që prej 2003-shit, ndonëse i ka mbaruar afati në vitin 2010. Pavarësisht nga kjo, Zaganjori vazhdon ende të ruajë këtë post deri në emërimin e anëtarëve të rinj, duke mbetur kështu “peng” i bllokimit të drekretit të Presidentit Topi nga Partia Demokratike. Emri i Zaganjorit u përzgjodh mes disa kandidaturave. Shqiptarja.com ka mësuar se kush ishin rivalët e juristit:
- Kristaq Traja, ish-hartues i Kushtetutës
- Llesh Kola, ambasador në Itali
- Mimoza Halimi, ambasadore në Bruksel
- Dashnor Dervishi, ambasador në Athinë
- Ledi Bianku, gjyqtar shqiptar në Strasburg
- Ferit Hoxha, ambasador në OKB
- Fatos Nano, ish-kryeministër


ZAGANJORI, UDHEHEQESI I DOKTORATURES PER TOPALLIN
Xhezair Zaganjori, përpos jurist, ka qënë dhe udhëheqësi i doktoraturës për kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Çka pritet që të krijojë dhe probleme mes mazhorancës dhe opozitës për këtë kadidaturë, e cila shpeshherë dhe kur ka qënë në vendime kryesore të Gjykatës Kushtetuese, ka pasur rezerva në lidhje me anësinë e tij politike. Por që gjithsesi do të mësohet sot qëndrimi i PS për këtë kandidaturë dhe për ecurinë e kompromisit me mazhorancën për zgjedhjen e një presidenti konsensual.

(aq/jd/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave