Altin Dumani mban fjalimin e tij për largimin nga detyra si kryeprokuror i SPAK dhe kalimin e saj te Klodian Braho. Ai tha se drejtimi i Prokurorisë së Posaçme ka përfaqësuar një nga kapitujt më sfidues të karrierës së tij, privilegj e përgjegjësi njëkohësisht.
Pavarësisht vështirësive të këtij rrugëtimi, Dumani thotë se SPAK është më i fortë dhe i konsoliduar se më parë. Ai shprehu mirënjohje për këdo që ka kontribuar, përfshirë partnerët ndërkombëtar dhe është besimplotë për vijimësinë e misionit të SPAK nën drejtimin e Brahos.
Para se t’ia lë fjalën z. Braho, t’i kaloj zyrtarisht edhe stafetën, më lejoni të them dy fjalë. Sot mbyllet një kapitull që ka qenë ndër më sfiduesit të karrierës sime 26-vjeçare si prokuror. Drejtimi i Prokurorisë së Posaçme ka qenë një privilegj i madh, por edhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Në rrugën tonë jemi ndeshur me vendime të vështira, sfida institucionale dhe presione të mëdha Në çdo hap kemi punuar me integritet, profesionalizëm dhe vendosmëri. Sot mund të them me bindje se SPAK është më i fortë, më i konsoliduar dhe më i besueshëm se më parë. Këto arritje janë rezultat i punës së palodhur të të gjithëve: prokurorëve, oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, hetuesve financiarë, ekspertëve, stafit administrativ, kabinetit dhe të çdo punonjësi që ka kontribuar me ndershmëri e kurajë. Dua t’ju falënderoj përzemërsisht për përkushtimin, integritetin dhe sakrificat tuaja. Gjithashtu dua t’u shpreh mirënjohjen time partnerëve ndërkombëtarë që kanë qenë pranë nesh në çdo etapë me mbështetje dhe ekspertizë të pakushtëzuar. Kontributi i tyre ka qenë i çmuar për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe ndërtimin e standardeve që kemi sot Një falënderim i veçantë për publikun shqiptar, besimi i tij ka qenë forca jonë më e madhe. I uroj shumë suksese z. Braho në detyrën e re dhe kam bindjen se ai do të mbështetet mbi trashëgiminë 6-vjeçare duke e çuar përpara misionin e SPAK me integritet e vendosmëri.
Lajmi kryesor:
Altin Dumani i dorëzon 'stafetën' Klodian Brahos, kryeprokurori: Misioni i SPAK shkon përtej mandateve individuale, falënderime për paraardhësit









