Dua të ndaj me publikun e gjerë një ndjesi të frikshme që ka të bëjë me punësimin dhe me dëshirën e njerëzve për punë. Shumë njerëz, madje dhe forca politike, mendojnë se në Shqipëri ka papunësi të theksuar.

Por shifrat e dhëna dhe situata krejt e qetë sociale e vendit, asnjëherë nuk kanë konfldcbf; rmuar pretendimet e partive politike, sidomos ato opozitare. Statistika të besueshme nuk gjenden.

Po do të mjaftonte një status personal në fejsbuk për ofrimin e një mundësie për punë, që të shpërthente një stuhi e vërtetë kërkesash nga ana e vajzave dhe grave, çka tregoi një gjendje të rënduar të marrëdhënies me punën, një marrëdhënie mungesore, një kërkesë të theksuar për punë të dyta dhe me kohë të pjesshme.

Me qindra kërkesa brenda pak minutash, madje dhe nga njerëz të panjohur, të cilët e morën informacionin në kohë rekord, duke treguar se aftësia receptuese për këtë lloj informacioni është maksimale.

Përveç faktit që dhjetëra studente kërkonin të siguronin hyrjen në punë ende pa marrë diplomën, përveç ngulmimit për të marrë informacion të zgjeruar, përveç kërkesës për të punuar në një sektor të ndryshëm nga fusha e studimit, përveç shumë historive të tmerrshme jetësore, kjo ngjarje e vogël më hapi një horizont të kobshëm.

Në një moment të caktuar, mu akumulua gjithë ankthi i këtyre dhjetëra zonjave e zonjushave, duke më bërë të përjetoj një gjendje të vështirë psikike. Ishte sikur të isha në mendjen e tyre dhe të prekja gjithçka intime, vetë shpirtin e tyre.

Dhe kjo gjendje psikike u kthye në një frikë të stërmadhe. Çfarë do të ndodhte nëse kjo gjendje shpirtërore, nëse kjo nevojë e brendshme, nëse kjo mungesë, do të shfrytëzohej nga dikush apo nga diçka. Ato gra dhe vajza ishin të manipulueshme.

Me këtë nuk dua të them se ato ishin një mall me të cilin mund të abuzosh lehtë. Krejt e kundërta. Por ato mund të shfrytëzoheshin emocionalisht përmes premtimeve. Dhe jemi në kulmin e fushatës.

Dhe në fushatë, siç e dimë, mund të gënjesh paksa, sepse jemi në fushatë, dhe ajo çka thuhet në fushatë nuk ka as pasoja penale, as pasoja morale. Dhe partitë kryesore kanë premtuar numra gjigandë punësimi, mbi 250 mijë vende pune, sa një e katërta e premtimeve që bëri para do vitesh Berluskoni, i cili premtoi një milion vende pune dhe nuk e mbajti dot premtimin.

Madje, dhe Obama, mezi arriti të plotësonte deri në fund të mandatit një milion vende pune. Por ne vijojmë të shkruajmë në qiell premtimet tona me bojë të padukshme. Dhe njerëzit vijojnë të besojnë klasën politike shqiptare.

Dhe klasa politike e ka shfrytëzuar më së miri këtë zbrazëti shpirtërore të njerëzve tanë që janë në kërkim të punës, që janë në kërkim të dinjitetit, që janë në kërkim të një jete më të mirë. Jo se nuk e ka bërë më parë, po tashmë, mashtrimi ka kapur zenitin.

Me njerëzit mund të tallet e t’i vërë në lojë çfarëdolloj njeriu, çfarëdolloj mashtruesi, çfarëdolloj abuzuesi. Përveç faktit që plot njerëz marrin një rrogë nën minimumin e pagës së lejuar, përveç faktit që nuk pushojnë asnjë ditë të muajit dhe shfrytëzohen barbarisht, punonjësit shqiptarë janë të detyruar të durojnë dhe harbutërinë e pronarëve të tyre, që janë më tepër në rangun e skllavopronarit.

Një ndjesi e re për marrëdhëniet e punës duhet të lindë me zgjedhjet e reja, përndryshe gjithçka do të ishte e kotë.

Edhe pse nuk e kemi shfrytëzuar sa duhet situatën empirike të ofruar për të nxjerrë konkluzione racionale përmes induksionit, përsëri mendojmë se një refl ektim më i madh i kapaciteteve mendore, intelektuale e akademike, do të duhej të ishte i pranishëm gjatë fushatës, për t’u shndërruar në vlerë të shtuar pas fushatës.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)