Nëse në tavolinën e drekës, darkës ulemi me celularët në dorë kemi dështuar. Nëse në tavolinën tonë nuk flasim me njëri-tjetrin, nuk shijojmë dhe lavdërojmë kë ka gatuar, nuk tregojmë ditën me gëzimet dhe hidhërimet e saj, ne tashmë jemi bërë zombi. Nëse fëmijët tanë kalojnë ditën në celular dhe në social media, jemi afër fundit. Nuk jemi më të gjallë, të paktën të gjallë mes të gjallëve në këtë botë. Jemi kthyer në një mekanizëm që ushqen rrjetin gjigand, të famshin social media. Sa vetë kanë mundur ta shohin dokumentarin e Jeff Orlowskit në NetflixThe Social Dilemma”? Besoj pak. Gjithë bota po flet për të. Në kohë diktature shpikëm edhe kanoçet për të parë lirinë, për të përpirë çdo të re të bukur e të mençur që duhej parë e dëgjuar. Sot jemi futur të gjithë në atë kanoçe (që quhet smartfone) duke ndjekur jo gjëra të zgjuara, por duke parë jetët e të tjerëve, duke qenë pasivë, duke besuar teori konspirative e duke urryer.  

Disa prej nesh e kanë vënë re e disa prej nesh janë përpjekur të vendosin rregulla: celularët janë një mjet fantastik, i dobishëm, por jo fiksimi që na mban lidhur se sa pëlqime, reagime kemi në atë që shprehim online të mbërthyer mes dilemës nëse duhet të shprehim atë që na pëlqen ne, apo atë që duan të shohin, të lexojnë dhe pëlqejnë të tjerët. Ka profesione që janë të lidhura ngushtë me këtë: Artistët për shembull janë të “shtrënguar” të prodhojnë një produkt që duhet të pëlqehet, të kapë “antenat” e shijeve të sa më shumë njerëzve. Ose edhe politikanët. Për të marrë votat duhet të thonë atë që njerëzit më shumë duan të dëgjojnë, prandaj thonë edhe gënjeshtra. Nuk duhet të jetë kështu, por shumë politikanë, të ashtuquajturit populistë, bëjnë vetëm këtë: Thonë atë që duan të dëgjojnë të tjerët dhe të votohen.

Por pjesa tjetër e popullsisë jo! Nuk është i detyruar të ketë sa më shumë pëlqime për të marrë zemrat një gazetar, një jurist, një student, një mjeke, një rrobaqepëse, një inxhinier, një mësues, etj. etj. nuk duhet ta vrasin fare mendjen të thonë gjëra që iu pëlqejnë detyrimisht të tjerëve. Pjesa më e madhe e shoqërisë në social media duhet të jetë një shërbyese dhe raportuese e fakteve që ka parë, dëgjuar dhe provuar vetë. Prandaj nëse themi diçka, nuk duhet të presim, nuk duhet të ngulemi e të shohim sa na kanë pëlqyer. Nuk duhet të na interesojë e si rrjedhojë të kalojmë ditët e shpesh dhe netët tona me celularë në duar. Shumë prej nesh kanë lirinë për të mos u gozhduar në social media dhe ky është shpëtimi jonë. E duke qenë të lirë ne, do të jenë të lirë edhe fëmijët tanë, më të brishtët dhe të rrezikuarit sot nga bulizmi on line dhe nga ofrimi i modeleve aspak reale. I keni parë realisht bloggerat? Kush e ka parë live Kim Kardashian dhe nuk është zhgënjyer. Kush ka parë live vajza dhe djem që në rrjete sociale duken si yje Hollivudi, por në të realitet janë mëse normalë, plot cene dhe ndoshta edhe me keq se një djalë apo vajzë pa miliona ndjekës në rrjetet sociale. Atëherë, në vend që të mbërthehemi të ndjekim të tjerët, mos është koha të shohim e përmirësojmë vetveten? Secili prej nesh?

Dokumentari “The Social Dilemma” është thirrja më e fortë, e qartë, e zgjuar që i bëhet njerëzimit për të shpëtuar. Sot, jo nesër. Kjo është bukuria e tejskajshme e një vendi si Shtetet e Bashkuara të Amerikës: prodhojnë magjinë Google, Facebook, Youtube, Iphone, Instagram etj. etj. por nga i njëjti vend dalin dhe të rinj si Jeff Orlowski apo Tristan Harris që shohin mirë dhe thonë: Stop, nëse vazhdojmë kështu po shkojmë drejt një lufte civile, po shkatërrojmë demokracitë, po shkatërrojmë atë që kemi ndërtuar STOP. Tani duhet ndaluar.

Sa shqiptarë e kanë parë “The Social Dilemma”? Tek shumë prej nesh ka humbur dhe kurioziteti për të mësuar. “The social Dilemma? Jo nuk e kam parë…” përgjigjen edhe gazetarë, ndërkohë që kthehen e ulin sytë të kontrollojnë se kush i ka shkruar, kush e ka pëlqyer, kundërshtuar apo urryer online.