Ndërsa politika përditë bëhet gjithnjë e më agresive, përditë hedh në opinionin publik kauza gjysëmtëvërteta e gjysëmtërreme, që me kohën zhduken si flluska sapuni, përditë rrit tensionin me të vetmin qëllim përfitime privilegjesh, familjet shqiptare rënkojnë.
Pak muaj pasi emisioni "Pa gjurmë" ka nisur në ReportTV, redaksia mbushet plot. Njerëz që vijnë nga Jugu a Veriu, plot mesazhe në inbox. Në mail. Telefoni nuk pushon. Nëna shqiptare që kërkojnë fëmijët, bashkëshortë; vëllezër që kërkojnë motrat, histori aq të dhimbshme sa as në filmat më prekës të kinematografisë botërore, as në fantazinë e shkrimtarëve më të talentuar, nuk kemi mundur t'i shohim apo t'i lexojmë.
Realiteti i dhimbshëm tejkalon fantazinë dhe kjo ndodh në shumë familje anembanë Shqipërisë. Njerëz që kërkojnë gjurmë dhe drejtësi. Një turmë të dëshpëruarish që jetojnë mes nesh e që vërtiten nëpër media, pasi Shteti, shqiptarë që punojnë në polici, drejtësi, administratë, politikë i kanë përbuzur e i kanë lënë në mëshirën e fatit të keq.
Familjet shqiptare kanë halle të mëdha. Ndoshta qeset me ushqime apo rimodelimi i shtëpisë mund të zbukurojë diçka, por problemet sa vjen zbresin më thellë nëpër shtëpi.
Familjet shqiptare kanë gra të sëmura në shtëpi. Pa mbushur të 50 Majlinda nuk merr dot frymë dhe shtëtit nga spitali shtetëror në ato private vetëm duke humbur para e duke mos zgjidhur asgjë. Pa mbushur të 50 Dafina sheh sesi në krahët e saj krijohen gropa dhe duart nuk kanë forcën si më parë. Dafina ka një listë të gjatë analizash, radiografish e rezonancash. Ndërron mjekë e spitale, por askush nuk e kuron apo t'i shkruajë të zezë mbi të bardhë se me të, çfarë po ndodh. Neta po humb shikimin dhe rri e mbyllur në shtëpi. Nuk ka mbushur akoma të 50 as ajo. Gratë që mbanin e kujdeseshin për të gjithë, sot kanë nevojë për ndihmë e askush nuk bën asgjë me shpirt për to.
Ndërsa politikanët që mbushin listën e pasurisë me apartamente e vila kudo, ndërsa shërbehen nga gra të familjeve shqiptare plot halle, sëmundje e padrejtësi, nuk vënë re asgjë.