Në vijim të protestës që vijoi në ditën e 21-tëpërpara Kryeministrisë, një grup protestuesish ndërmorën një tjetër aksion simbolik, duke djegur dy figura të përmasave të mëdha me imazhet e kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha.

Dy figurat e dy politikanëve u vendosën krah njëra-tjetrës, kurse në duar kishin pankarta me mbishkrimin “Sa të kem jetë, dua pushtet”.

Pak çaste më vonë, protestuesit u vunë flakën përpara godinës së Kryeministrisë. 

Rreth orës 20:00, protesta u mbyll me shpërndarjen e protestuesve dhe rikthimin në normalitet të qarkullimit rrugor.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:53
Protesta te kryeministria, shoqërohen disa protestues (VIDEO)

 

Ditën e sotme, policia ka shoqëruar disa protestues në bulevardin “Dëshmorët e Kombit.”

Shoqërimet vijnë pas hyrjes në fuqi të aktit normativ për tubimet i cili parashikon edhe gjoba për protestuesit.

Ora 16:18
Protestuesit e maskuar i ndërpresin raportimin gazetarit të Report Tv, vënë muzikë dhe kërcejnë! Mes tyre edhe ‘maska’ e famshme e rrjetit (VIDEO)

 

Një moment i këndshëm ka ndodhur në protestën para kryeministrisë. Teksa gazetari i Report Tv Isa Myzyraj raportonte nga terreni, iu afruan një grup protestuesish të maskuar.

I pari sheh drejt kamerës dhe përshëndet me dorë. Më pas i bashkohen edhe të tjerët dhe duke mbajtur një boks muzike në dorë, kërcejnë nën ritmet e “Copines” të artistes Aya Nakamura.

Mes grupit është edhe protestuesi që është bërë i famshëm për gjestet e tij, që këtë herë mban edhe flamurin kuqezi në shpinë. Më pas, ai kthehet nga kamera dhe bën veprimin e famshëm që vendos duart fillimisht para gojës, më pas syve e në fund veshëve.

Ora 14:23
Një grup protestuesish marshojnë drejt Kryeministrisë, kërkojnë dorëheqjen e Ramës (VIDEO)

 

Një grup studentësh në Tiranë kanë marshuar drejt Kryeministrisë, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Me thirrjet 'revolucion' dhe ‘Rama n’burg, Berisha n’burg’, ata kërkojnë ndryshim të sistemit politik në Shqipëri.

Ndërkohë qindra efektivë Policie janë pozicionuar para Kryeministrisë, por edhe pranë institucioneve të tjera, për të siguruar mbarëvajtjen e protestës.