Sabit Brokaj: Berisha nuk e ka
shumicën e votave, skemë si në '96

Sabit Brokaj: Berisha nuk e ka <br />shumicën e votave, skemë si në '96
TIRANE - Anëtari i Këshillit Politik të PS, ish-ministri i Mbrojtjes Sabit Brokaj në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” shprehet i shqetësuar për manovrat më të fundit të Berishës për të futur në dorë të gjitha institucioneve zgjedhore. Ai thotë se kreu i qeverisë po tenton të përsërisë të njejtën skemë si në vitin ’96 pasi nuk i ka votat për të fituar, ndërkohë që dështoi për të futur në votim dhe 16 vjeçarët.

Ai kërkon nga opozita që të qëndrojë fort për të monitoruar gjithçka për të dhënë sinjal ndaj opinionit, Berishës dhe ndërkombëtarëve se nëse cënohet vota atëherë zgjedhjet nuk do të njihen. Brokaj thotë se opozita kishte të gjitha mundësitë të shkonte në zgjedhje pa Berishën por ishte shumë e shpërndarë dhe e pavendosur.

Kryeministri Berisha po kërkon të fusë në dorë të gjitha institucionet zgjedhore. Mendoni se mund të ketë ndonjë skemë për manipulimin e zgjedhjeve dhe shkatërrimin e tyre...?
Nuk ka rrugë tjetër përderisa kërkon të mbajë pushtetin me çdo kusht, pasi e di shumë mirë se nuk e ka shumicën e votuesve me vete.

Atëherë vetiu do t’i referohet pikërisht këtyre manovrave, që kanë filluar që në hartimin e ligjit për zgjedhjet, duke lënë shtigje për të manipuluar, lidhur me administratën zgjedhore dhe ku ka ca zyra mjaft ‘kompetente’ në Ministrinë e Brendshme që kanë bërë e bëjnë çudira lidhur me kartat false, me listat.

Gjëra që dihet sepse janë kapur në zgjedhjet e kaluara por që opozita s’ka ditur ose s’ka mundur të veprojë ligjërisht për t’i parandaluar ose dhe për t’i ndëshkuar pasi janë kryer. Kështu që Sali Berisha aktualisht ka me vete administrimin e zgjedhjeve, “luftëtarët” e shquar të KQZ që mund të shkelin çdo lloj ligji e çdo lloj rregulli vetëm e vetëm për të bërë atë që kërkon ai, pra shkatërrimin e zgjedhjeve.Dhe së fundmi Berisha ka dhe Kolegjin Zgjedhor, të cilët i kanë dhënë shembujt e tyre të neveritshëm dhe kriminalë për zgjedhjet.

Çfarë do të thotë një rrëshkitje në një skenar të mundshëm të ’96? Cilat do të ishin pasojat e një skenari të tillë?
Skenari nuk dihet. Ai mund të jetë i karakterit tepër të dhunshëm të demonstruar nga qeveria e atëhershme duke i nxjerrë përjashta me shkelma të gjithë komisionerët e opozitës si më ’96. Megjithatë dhunimi i zgjedhjeve pa zhurmë, gjykoj që është i planifikuar nga Berisha.

Mendoj që e ka relativisht më vështirë se më parë. Fakti që ai deshi të fusë në zgjedhje 16 vjeçarët ishte tregues i qartë që Saliut nuk i dalin llogartitë për të fituar zgjedhjet, përmes një mapinulimi jo të dhunshëm.

Kështu që tani do veprojë nëpërmjet shfrytëzimit të këtyre hapësirave të Kodit, rregullores së administrimit të votave dhe sidomos në bërthamën famëkeqe të Ministrisë Brendshme, KQZ dhe kolegjit.

Çfarë duhet të bëjë opozita në këtë rast për ta parandaluar...?
Opozita për mendimin ka pasur në dorë të hynte në zgjedhje pa Berishën, që kërkonte konseguencë, guxim politik, qëndrueshmëri por opozita është hedhur sa andej këtej me shumë zgjidhje dhe gati nga të gjitha është tërhequr. Kjo i ka dhënë kurajo Saliut, pasi ka pasur përballë një opozitë që i ka konstatuar shkeljet por nuk i ka vajtur deri në fund me konseguencë për të bërë zgjidhjen përkatëse të tyre.

Tani opozitës i mbetet që të monitorojë minutë për minutë dhe emër për emër listat e votuesve qëndrat e votimit, pasi janë shtuar dhe në mënyrë absolute të bëjë të ndërgjegjshëm opinionin publik, Sali Berishën dhe veçanërisht ndërkombëtarët se cilado qoftë shkelja e procesit të votimit korrekt, zgjedhjet nuk do të pranohen.

Dhe me domosdo të krijojë bindjen që shkelësit e ligjit dhe dhunuesit e zgjedhjeve do të ndëshkohen. Nëqoftë se ajo i monitorion zgjedhjet dhe rezultatin deri në fund, Berishës nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të përsërisë vitin 1996 dhe ai është fundi i tij.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

'Për herë të parë në det', Arbër Hajdari publikon foton me të bijën në plazh

'Për herë të parë në det', Arbër Hajdari publikon foton me të bijën në plazh