Safete Rugova: Si sfiduam me
"Gjeneralin" e Kadaresë në Beograd

Safete Rugova: Si sfiduam me <br />"Gjeneralin" e Kadaresë në Beograd
Aktorja e njohur kosovare Safete Rugova, me një jetë të pasur artistike dhe shoqërore, mban plot dinjitet në supet e saj 45 vjet karrierë. Ajo ka qenë dje për një vizitë të shkurtër në Tiranë. Erdhi si e ftuar nderi në Universitetin Vitrina. Në takimin me profesorët dhe studentët, pasi foli për veprimtarinë e saj dhe gjithë grave aktiviste të Kosovës Safete Rugova ka propozuar që Universitetit Vitrina t'i shtohet edhe një fakultet arti. Aktorja e njohur Safete Rugova ka dhënë një kontribut të veçantë në skenën e teatrit të Kossovës, por edhe ka luajtur një rol organizativ dhe emancipues në jetën shoqërore dhe politike të vendit për vite me radhë. Në këtë intervistë ajo rrëfen me modesti sesi nisi karriera e saj në skenë dhe cili është kontributi i saj në shoqatën e gruas "Motrat Qiriazi".

Zonja Safete, ju keni një karrierë interesante, në një vend si Kosova që ka kaluar peripeci gjatë përpjekjeve të saj lirinë dhe ruajtjen e identitetit kombëtar. Si nisi rruga juaj drejt aktrimit?
-Në rininë time kisha dëshmuar për një farë talenti edhe për të kënduar edhe për të aktruar në skenë. Si gjimnaziste unë angazhohesha në dy-tre shfaqje, por ajo që la më shumë mbresa ishte drama "Nita" e Josip Relës. Kjo është një dramë shumë e fortë e një autori me origjinë shqiptare nga Zara e Kroacisë. Josip Rela vinte nga një familje shumë e njohur shqiptare dhe kjo familje ende i ruan traditat, sepse edhe të birin e ka një violinist mjaft të njohur në Zagreb. Gjithnjë edhe në koncerte edhe përmes televizionit ata nuk harrojnë të thonë se janë shqiptarë. Është i bukur ky gjest, sepse figurat e mëdha e formojnë kombin e vet.

Çfarë subjekti ka drama "Nita", në Shqipëri nuk është shumë e njohur?
-Është drama e shqiptarëve nga Zara kur deshën t'i shpërngulnin në Kroaci. Subjekti bënë fjalë për një shqiptare nga Zara që thotë se unë nuk dua të shpërngulem nga vendi im dhe vesh rrobat e një mashkulli, duke u shndërruar në mashkull. Mirëpo ajo kohë më parë kishte njohur edhe një djalë simpatik Zefin dhe kjo e vendos atë në një situatë të vështirë dhe dilematike. Kur Zefi vendos të martohet me një tjetër, Nita dhe kjo ndodh në fundin e dramës i shkon në dasmë. Zefi nuk e njeh. Nita heq rrobat mashkullore dhe thotë: Unë jam Nita! Kjo ka qenë një dramë e trishtuar, por edhe kishte një lirikë të bukur, shkruar nga i madhi Josip Rela. Mbas shfaqjes në atë kohë regjisorët e vunë re mënyrës si aktorja dhe meqë nuk kishte shumë femra në teatër më thanë: "patjetër ti duhet të regjistrohesh në shkollën e lartë të dramës - e cila ekzistonte në atë kohë në Prishtinë - për të kryer shkollën dhe të formohesh si aktore". Prindërit e mi kishin mjaft dilema, sepse ne ishim shumë fëmijë. Pra nëntë fëmijë dhe prindërit kishin dëshirë të madhe të bëhesha mjeke. Edhe unë mendova më parë të studioja mjekësi sipas dëshirës së prindërve, por nisi të më tërhiqte më shumë drama dhe kreva shkollën e lartë të dramës. U punësova në 1968-n në Tetarin Kombëtar të Prishtinës. Që atëherë kam luajtur mbi 20 role, duke filluar nga heroinat e dramave shqiptare. Kam luajtur te "Trimi i mirë me shokë shumë". Kam luajtur "Norën" e Skanjetit e shumë drama të autorëve të tjerë si Anton Santori deri tek dramat kombëtare bashkëkohore. Pra përfundova duke dalë në pension me dramën e Azem Shkrelit, "Varri i qyqes" dhe një dramë tjetër, "Nata e Helverit", që ngjiti në skenë Altin Basha në Prishtinë. Unë u jam përkushtuar roleve të shumta gjatë gjithë kohës, por meqë në Kosovë kaluam edhe kohë të zymta na u desh ne grave të japim kontributin tonë dhe unë kam hyrë në lëvizjen e gruas dhe kam dalë nga ajo lëvizje si veprimtare.

Cilën lëvizje përfaqësoni?

-Ne kemi themeluar shoqatën e grave "Motrat Qiriazi", ku nisma e kësaj shoqate nisi në një situatë kur shkollat u mbyllura dhe përpjekja jonë nisi për arsimimin e vajzave. Në vitet '90 u desh që të organizohemi si popullatë në shoqata të ndryshme aktiviste, ku ishin edhe shoqata "Nënë Tereza", shoqata "Naim Frashëri", e shumë shoqata të tjera të grave. Prej 22 vjetësh unë jam aktiviste e shoqatës së grave "Motra Qiriazi" për arsimimin e vajzave. Fatkeqësisht kanë qene zona të prapambetura ato ku nisëm punën dhe fatbardhësisht ato zona tash kanë ndërruar pamjen. Ka shumë shkolla të reja, bëhet fjalë për zona të thella të Hasit, të Prizrenit, të Gjakovës. Ka vajza që kanë dalë mjeke, arsimtare dhe janë kthyer në vendet e tyre të punojnë, falë përpjekjeve të organizatave të grave në Kosovë.

Ardhja juaj tek Universiteti Vitrina, çfarë motivi pati?
-Menaxheri Shefqeti, i sjell herë pas here figurat e ndryshme nga Kosova duke filluar nga arti, politika, letërsia dhe kishin në agjendë edhe emrin tim. Ishte kënaqësia imja që erdha këtu, që u njoha me stafin me profesorët dhe kënaqësia ime më e madhe ishte sepse bëra edhe një propozim të hapet një degë për artet në këtë universitet.

Duke pasur ju kaq shumë interes për zhvillimin e arteve në Shqipëri, si ka mundësi që nuk u kanë bërë oferta të bashkëpunimit me Tetarin Kombëtar në Tiranë, siç ka ndodhur me disa nga aktorët e tjerë të njohur në Kosovë?
-Është pak vështirë t'i përgjigjem kësaj pyetjeje, por ne kemi pasur shansin të bashkëpunojmë me shumë aktorë nga Tirana, me shumë regjisorë. Por, interesant është se ka qenë vështirë që ne të vijmë andej për në Teatrin e Tiranës, por në film kjo ka ndoshur, sepse kemi aktorë që kanë ardhur në filmat e Xhuvanit apo regjisorëve të tjerë të filmit, në teatër kanë ardhur shumë pak. Unë kam qenë me shfaqje këtu. Kam qenë para 40 viteve me "Gjeneralin".

Me "Gjeneralin e Ushtrisë së vdekur?!"
-Po.

Ky qenka një kujtim i bukur. Le të kthehemi 40 vjet më parë…

-Po me kënaqësi ju tregoj. Unë pata kënaqësi që në atë kohë të punoja me regjisorët shumë të mirë. Pata kënaqësi që në xhirimet e filmit të punoja me Pirro Manin. Ne ishin shumë të rinj atëherë dhe puna për dy-tre muaj me Pirro Manin e regjisorë të tjerë më dha shanset që të mësoja. Ishte edhe një shkollë shumë e mirë për mua, koha kur xhiruam një film. Mësuam shumë nga Pirro Mani. Mësuam shumë edhe nga skenografi Agim Zajmi. Pirro Mani për ato tre muaj që qëndroi në Prishtinë në shkollën e dramës ishte një kult një shkollë për ne një ndihmë e madhe. Sepse për fat të keq në shkollën e dramës e mësonin aktrimin me tekste në serbisht. Profesorët e diksionit i kemi pasur nga Beogradi, teknikën e zërit me profesorë nga Beogradi. Shfaqja jonë e gjeneralit në ish-Jugosllavi ka marrë 6 çmime. Flasim për vitet '74-'75 në atë kohë kur kemi qenë në krizë politike. Pra ishte një sfidë që na ka çmuar edhe Jugosllavia dhe Pirro Mani u shpërblye me çmime në qendrën më të madhe të nacionalistëve serbë, domethënë ata artin e kinemasë shqiptare e kanë çmuar.

Cili ishte roli juaj?
-Unë kam luajtur Gruan e Gjeneralit, ndërsa Nicën e ka luajtur aktorja e madhe Meliha Ajeti. Ishte një shfaqje që kur e kemi dhënë në Tiranë aktorët me famë Sandër Prosi, Kadri Roshi, më besoni, na thanë se ju e keni bërë shfaqjen më të mirë.
Kemi punuar me Spahi Voglin i cili u dënua pastaj bashkë me Pirro Manin në punë prodhuese, mbasi u kthyen prej Kosove, mbasi kanë bërë shfaqjen në Prishtinë. Edhe roli im ka bërë shumë përshtypje, sepse unë edhe i përjetoj shumë personazhet dramatike, edhe si grua shqiptare, si natyrë. Por me Melihanë që luajti shkëlqyeshëm plakën Nicë ndjemë shumë emocione.

Ismail Kadare ka qenë në shfaqje, si e ka ppritur realizmin e veprës së tij nga ju?
-Kadareja ka qenë në shfaqje dhe na ka përgëzuar. Meqë me ne ka punuar edhe regjisori i madh Pirro Mani, shfaqja u vlerësua. Kadareja ka qenë edhe shfaqje të tjera tonat si "Krushqit janë të ngrirë". Ka qenë në premierë. Pra kemi krijuar miqësi, meqë ka botuar libra në Prishtinë. Kam pasur fatin të takohem me të. Jemi miq.

Le të qëndrojmë pak edhe tek puna juaj e cmuar si aktiviste e gruas në Kosovë. Cilat nga personalitet e Kosoves ju ka ndenjur më afër grave veprimtare si ju?
-Që kur kemi emëruar shoqatën e "Motra Qiriazi" ne kemi pasur parasysh shembullin e madh të motrave që hapën shkollën e parë shqipe në Korçë dhe në Kosovë. Kemi pasur shumë mësuese veprimtare si në Prizren, ku hapëm gjeneratën e vajzave të shkolluara. Disa prej personaliteteve të njohura të gjeneratës së vjetër të grave të shkolluara. Kemi qenë unë unë Sevdije Ahmeti, Bardha Rugova, Liri Osmani, Edita Tahiri dhe dhjetëra të tjera që që themeluam lëvizjen e gruas në vitet '90. Atifete Jajhajaga kur e emërua Presidente na tha: "Unë gjithmonë ju kam pasur shembull, model juve grave aktiviste. Ne shkuam ta përgëzonim për detyrën dhe ajo na përgëzoi ne për këtë arritje.

marrë nga gazeta Shqiptarja.com, datë 15 nëntor

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi