Vrasja në Ksamil e 50-vjeçarit Vangjel Çiko ka lidhje me hakmarrjen. Kjo pasi autori u sigurua që po qëllonte ndaj Çikos, duke u thirrur në emër “Vangjel”, ndërsa më pas e ka qëlluar 4 herë. Në dëshminë që kanë dhënë në Polici vajza dhe gruaja e Vangjel Çikos, kanë thënë se kanë dëgjuar një person ta thërrasë në emër, ndërsa më pas filluan të shtënat.

Ekzekutimi i 50-vjeçarit Vangjel Çiko ka ndodhur në momentin që ai doli nga banesa dhe është futur në makinën e tij. Autori ishte fshehur pas një ulliri pranë banesës së Çikos dhe e ka qëlluar brenda makinës.

Burime: Po hetohet pista e vrasjes me pagesë
Burime të Report TV nga grupi hetimor bëjnë me dije se kemi të bëjmë me një vrasës me pagesë dhe skena e arratisjes ishte menduar mirë.

Autori pasi qëlloi ndaj 50-vjeçarit, u ndihmua nga një person tjetër për tu larguar nga Ksamili. Ai dyshohet se u arratis drejt Greqisë. Vangjel Çiko është babai i Dhimitër Çikos, njërit prej autorëve që vranë Aleksandër Bardhin në shtator të 2014-së, në fshatin Shëndëlli të Sarandës.

Për vrasjen e Aleksandër Bardhit dyshohet se është vrarë edhe babai i autorit tjetër Albi Xhezairi. Agron Xhezairi u qëllua në muajin dhjetor të 2016-së, po te dera e shtëpisë, njësoj si Vangjel Çiko.

Ndërkohë duket se është arrestuar në Greqi edhe Albi Xhezairi, i shpallur në kërkim për vrasjen e Aleksandër Bardhit.

Xhezairi ka më shumë se tre muaj që ndodhet në qelitë greke, pasi është arrestuar në Athinë më 11 maj 2017.

21-vjeçari ishte i përfshirë në një grup të trafikut të drogës nga Shqipëria në Greqi, ku mbante rolin e transportuesit të drogës nga kufiri i gjelbër drejt Athinës dhe e magazinonte lëndën narkotike në një banesë që kishte marrë me qera në Athinë.

Arrestimi i Albi Xhezairit është bërë publik 6 ditë pas arrestimit të tij në 17 maj.

Burime të Report TV në policinë e Sarandës, bëjnë me dije se janë njoftuar kohët e fundit për arrestimin e Xhezairit dhe kanë dërguar pranë zyrës së Interpolit dokumentacionin për ekstradimin e tij.

Historia e vrasjeve të hakmarrjes në Ksamil
Kjo nuk është vrasja e parë që ka ndodhur në zonë, të cilën policia po e heton për hakmarrje për vrasjen e Aleksandër Bardhit.

Në muajin dhjetor të 2016, do të ekzekutohej babai i Arbër Xhezahirit, Agron Xhezahiri, vrasje për të cilën policia filloi hetimet në pistën e hakmarrjes.

Agron Xhezahiri në 30 tetor të 2016 ju bë atentati i parë, të cilit arriti t’i shpëtojë, ndërsa mbrëmja e 12 dhjetorit, kur ai po dilte nga banesa e tij për të lidhur qenin, u vra në derën e shtëpisë me breshëri kallashnikovi.

Pavarësisht se 53-vjeçari tentoi të futej brenda në shtëpi, ai nuk ka mundur pasi autori është afruar dhe e ka qëlluar përsëri. Vrasje në Ksamil ndodhi në sy të vajzës së mitur të Agron Xhezairit, ndërkohë që afër vendit të ngjarjes ishte edhe kunata e tij.

Për këtë ngjarje janë angazhuar në hetim edhe krimet e rënda ndërsa mësohet se janë bërë një sërë shoqërimesh mes tyre edhe në zonën e Mirditës nga është me origjinë familja Bardhir.

Ende nuk dihet se kur do të marrë fund saga e vrasjeve për hakmarrje në Ksamil. Të gjitha ngjarjet, sipas Policisë, lidhen me vrasjen e Aleksandër Bardhit në 24 shtator 2014.

Viktima i dënuar për trafik ndërkombëtar droge në 2007
Vangjel Çiko, njihej nga policia si një person me precedent penal në trafikun e lëndëve narkotike, pasi në vitin 2006, së bashku me një shokun e tij, janë arrestuar në Konispol me 51 kilogramë marijuanë.

Dy të arrestuarit janë vendosur në pranga gjatë tentativës për ta kaluar lëndën drejt Greqisë nëpërmjet kufirit të gjelbër.

Në 2007, Çiko është dënuar me 7 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike.

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com