Saimir Pirgu: Suksesi me
Plaçido Domingon në Nju Jork

Saimir Pirgu: Suksesi me<br />Plaçido Domingon në Nju Jork
TIRANE - Saimir Pirgu ndodhet në Tokën e Premtuar. Në mes të lavdisë së dyfishtë; nga njëra anë kritikat sipërore dhe nga ana tjetër duartrokitjet dhe premiera të parashitura. Nga intervista e parë për Fundjava.com, ka ndryshuar dimensioni i suksesit dhe vendodhja gjeografike. Nuk është Verona por Metropolitan Opera e Nju Jorkut, aty ku rikthehet për të kënduar për të dytën herë në karrierën e tij.

Tashmë me “Traviatën”, së bashku me Placido Domingon dhe Diana Damrau. Suksesi? Disafish më i madh. Mjafton tu hedhësh një sy kritikave të specializuara ose të lëcitësh shkrimet ku tenori shqiptar magjeps jo vetëm me zërin por edhe me historinë e jetës së tij- rrugëtimin e një djaloshi drejt një ëndrre që i ngjan kaq shumë një filmi.

Por edhe pse i preferon filmat, kjo ëndrra e tij është kaq e vërtetë. "Tenori Pirgu është një talent i madh me një zë djaloshar të lehtë dhe qëndrim prej statuje” shkruan mes të tjerash David Patrick Stearns në “The Philadelphia Inquirer”. Të tjerë kritikë vlerësojnë Alfredon e tij, energjik dhe zëëmbël, ndërsa Marion Lignana Rosenberg shkruan në” The Classical Revieë”:” Saimir Pirgu kthehet në një portretizim të paharrueshëm si Alfredo. Ai lëviz me hirin e një Alain Delon-i të ri…”

Por për ata që mendojnë se tenori ka prekur majat, ka një këshillë që të mos mbahen shumë fort pas kësaj ideje. Sepse Saimir Pirgu sapo ka filluar karrierën e tij. Arritja duhet mbajtur fort dhe shumë gjatë në kohë. Dhe për këtë duhet punë. Fat? “Jo”- thotë Saimiri nga ana tjetër e Skype-it,- “Tani është vetëm punë”.

Kemi realizuar një intervistë para hapjes së sezonit të Veronës kur ishte një pjesë kulminante e karrierës por duket se sukseset nuk kanë të sosur. Në këtë vit të Verdit performoni në Operan e Nju Jorkut ..

Jam i kënaqur sepse është viti Verdian edhe jo vetëm Metropolitan i Nju Jorkut, por edhe shumë shtëpi të tjera operistike kanë vendosur që të më kenë protagonist të këtij viti Verdian. Kështu që prapë këtë vit do të jem edhe në arenën e Veronës me operan “Rigoletto”, do të jem në Filarmoninë e Monakos dhe atë të Vjenës me “Requiem” të Verdit. Vetëm në fund të viti më duket se kam operan "Clemenza di Tito” të Mozartit në Opera Bastille Paris. Ky vit është i mbushur me Verdin dhe evenimente të këtij lloji.

E prisnit këtë sukses në Nju Jork?
Mund të them sinqerisht “po”, sepse u bënë vite që unë e kam përpunuar rolin. Kaq të madh sigurisht që nuk e prisja, Jo kaq të fortë. Por mbase ka ndikuar edhe fakti i prezencës së Domingos. Nuk dua ta mbivlerësoj praninë e tij, por si duket duke qenë ai përballë që ka luajtur me qindra herë ishte si një lloj ndihme për mua.

Jemi dy zëra komplet të ndryshëm, sepse ai ka qenë tërë jetën tenor dramatik ndërsa unë jam tenor lirik, por prapë ka ndikuar. Madje edhe ngjashmëria, dikush ka konstatuar flokët e zeza, që kemi Domingo dhe unë, saqë mund të ishte shumë mirë babai im. Dhe kjo ka ndihmuar për suksesin dhe reagimin e publikut.

Ndërsa nga ana tjetër edhe kritika ka qenë këtë herë goxha paqësore, e unifikuar, se ka gjithmonë zëra që dalin kundra. Të gjitha kritikat kanë qenë shumë shumë të mira, duke filluar që nga New York Times, agjencia Asssociated Press, e deri tek gazetat e tjera amerikane. Ka qenë për mua një sukses i dyfishtë si nga ana e atyre që vendosin për fatet tona, ashtu edhe nga ana e publikut dhe sigurisht që kjo jep një kënaqësi të veçantë.

Thonë që publiku më i mirë është në atdheun e operas, Itali
Publiku italian është pak më i sertë, më seleksionues, ndërsa publiku amerikan është pak me zemër më të madhe. Pastaj bëhet fjalë për 4 mijë vende ne Metropolitan dhe është ndër më të mëdhenjtë, kështu që ndihet më tepër prezenca e publikut.

Nuk është hera e parë në krah të Domingos...
Jo absolutisht, por herët e tjera kanë qenë role të ndryshme si ne operan “Cyrao De Bergerac” për të cilën publiku nuk e ka shumë idenë, ndërsa rolin e Alfredos njerëzit e njohin përmendësh, sepse “Traviata” është opera që ekzekutohet më tepër në botë. Ndërsa fakti që ai vetë e ka interpretuar rolin dikur më qindra herë, e bëri të pamundur që njerëzit të mos bënin krahasimin mes nesh. Për mua ka qenë një lloj sfide e bukur.

Ndonëse siç e thashë edhe më parë që jemi dy zëra krejtësisht të ndryshëm, unë më tepër tenor lirik, ndërsa ai dramatik dhe e ka kënduar Traviatën, në pjesën e re të karrierës së tij. Dhe ka disa regjistrime të shkëlqyera, sidomos ajo me të madhin Klaiber. Mua më ka ndihmuar fakti që kam qenë me dy kolosë në skenë, me Domingon dhe Diana Damrau, që është soprano e famshme gjermane. Në të vërtetë nuk ka qenë e lehtë, të marrësh duartroktitje të publikut me dy star të tillë në skenë.

Thikë me dy presa loja mes dy yjeve….
Kjo është pjesë e zanatit tonë. Jemi si puna e atij lojtarit që luan në kampionatin botëror. Je i detyruar, të përballesh. Cdokush prej tyre, Domnigo apo Damrau, në jetën e tyre, kanë provuar të këndojnë me dikë që ka qenë më i famshëm se ata, me një karrierë më të madhe në krah.

Kështu që tani më ka rënë rasti mua që të debutoj me ta, në moshën time dhe në momentet kur unë kam filluar dhe kjo është kënaqësi, por eshtë edhe një fakt. Unë jam prezent në Metropolitan Opera, dhe këndoj Traviatën me Placido Domingo dhe Diana Damrau. Kjo është thikë me dy presa, por nëse del më sukses si në këtë rast, të con automatikisht në një nivel tjetër.

Je dikush tjetër. Ti mund të këndosh shumë mirë Traviatën gjithmonë, por fakti që je tani në mes të prozhektorëve dhe të gjithë po të vëzhgojnë, kjo të jep më shumë besim, shumë më tepër. Nëse do të kishte qenë një shfaqje normale pa këto dy yje, mund të kishte kaluar edhe pa u vënë re dhe pa u vlerësuar.

Të kënduarit bashkë me këto yje mund të konsiderohet një përvojë plus?
Nuk besoj se një këngëtar ndryshon mënyrën e të kënduarit. Sigurisht që ndryshojnë emocionet. Ka patur emocione më të mëdha, sepse je koshient që po këndon me një njeri që ka bërë historinë botërore të operas dhe kjo të jep përgjegjësi, çdo notë e bën me një kontroll më të madh sesa do ta bëja me dikë tjetër. Por kjo nuk është hera e parë sepse tani jam mësuar të këndoj me njerëz që kanë patur karrierë më të madhe, e kam nisur shumë i ri.

Si ishin provat dhe ritakimi me Domingon?
Ka kaluar mirë, nuk diskutohet që ka patur edhe momente të veçanta sepse të dy edhe Plaçido Domingo edhe Diana Damrau e debutonin rolin. Kishte edhe pak momente tensioni, ndërkohë që unë e kisha kënduar me qindra herë “Traviatën”. Domingo e njihte mirë, por jo në rolin e baritonit, e njeh si dirigjent, e njeh si tenor, por jo si bariton.

Nganjëherë ndodhte që ngatërroheshim dhe këndonte rolin tim… Kishte dy tre momente që buzëqeshnim dhe i thosha:”E kam unë për të kënduar tani”…. (Qesh)… dhe ai qeshte dhe më thoshe: ”Është instiktive, është e pamundur që të mos këndoj rolin tënd” (qesh). Dua të them një gjë; ai me të vërtetë është baba, me të vërtetë të jep përgjegjësinë e një babai.

Edhe shuplaka apo pëllëmba, që ai i jep Alfredos në një moment në opera ku ka një tension mes babait edhe djalit, e jep këtë. Dhe publiku e ka ndjerë këtë ndonëse është një produksion paksa modern, shumë konvencional, por ka pasur reagimin e publikut. Mund të them që edhe nëse ti nuk do që të luash, Plaçido Domingo të imponon që të respektosh mënyrën e tij të të luajturit.

Të gjitha shfaqjet kanë shkuar shumë mirë?
Kanë shkuar shkëlqyeshëm, por për fat të keq pas premierës unë kam anulluar një shfaqje pasi një virus gripi më shkatërroi edhe vokalisht dhe më bllokoi komplet. Por fati i mirë ishte që midis shfaqjes së parë dhe të tretës kishte një javë kohë, dhe munda të rikthehem pa anulluar shfaqje të tjera.

Mund të them që ka qenë shfaqja e parë që kam anulluar në jetën time pas 12 vjetësh karrierë. Keq më vjen që ndodhi në Metropolitan, por edhe mirë më vjen që pikërisht aty kam anulluar një shfaqje. Mbahet mend më kollaj qesh..... Por të gjitha të tjerat kanë shkuar mjaft mirë. Pas kësaj nisem për Cikago.

Shfaqja e fundit më 6 prill i vë kapakun Alfredos suaj në Amerikë?
Për këtë vit, sepse rikthehem vitin tjetër me Alfredon, në San Francisco.

Si ju duken skenat amerikane?
Janë teatro të mëdha, në krahasim me ato europiane dhe pesha e publikut është më e madhe sepse zakonisht janë nga 3-4 mijë vende cdo natë. Nuk diskutohet që arrihet më tepër famë se ka më tepër publik që të njeh e të vlerëson, por edhe përgjegjesia është kaq e madhe sepse duhet të jesh vërtet mirë. Sepse ndodh që në jetën e një artisti jo të gjitha shfaqjet janë shumë mirë, mes qindra shfaqjeve që jep.

Aty hyn pastaj teknika e këngëtarit… psh, në shfaqjen e tretë menjëherë pas gripit unë nuk isha 100%, por edhe nga kritikat që erdhën atë ditë, askush nuk kishte kuptuar asgjë. Ëshë detyra jonë që të mundohemi që nëpërmjet teknikës të mos u lëmë njerëzve të kuptojmë që jemi të sëmurë apo kemi një problem që nuk shkon. Nuk ka mundësi që në jetën e një artisti të gjitha shfaqjet janë 100%. Por në këtë shfaqje, ka patur një ngritje roli dhe të gjithë në kemi gjetur veten tonë. Është një energji shumë e bukur në skenë midis nesh.

Në krahasim me produksionet e tjera si ju duket kjo vënie në skenë?
Nuk mund të them që e dashuroj këtë vënie, sepse nuk e kam krijuar unë. Spektakli është bërë për herë të parë në vitin 2004 në Salisburg dhe Metropolitan e ka riblerë këtë produksion. Por ky spektakël ka gjëra që lënë për të dëshiruar; skena është pak e hapur dhe je gjithmonë vetëm , dhe ti je i detyruar që të lëvizësh shumë, dhe më besoni që unë e këndoj arien i zhveshur dhe më duhet të vishem gjatë aries që unë këndoj.

Është e bukur për tu parë nga ana vizive, por shumë i vështirë për tu kënduar, sepse që të tre ne lëvizim tepër dhe sigurisht që të lëvizësh duke kënduar nuk është maksimumi. Tani ia kemi marrë dorën, por në fillim ishte pak e vështirë.

E keni shëtitur Nju Jorkun këtë herë gjatë kohës së lirë?
Nuk është hera e parë këtu, por këtë këtë herë jam mbyllur, duke qenë se përgjegjësia ishte kaq e madhe. Sidomos ato tre ditët që kam qenë sëmurë jam mbyllur në shtëpi dhe nuk kam dalë tepër sepse me të vërtetë ka qenë grip i keq. Jam tepër i gëzuar që kam anulluar vetëm një shfaqje, se mund të kisha anulluar edhe të gjitha, e do të kishte qenë krizë për mua.

Keni qenë shumë i rrethuar nga fotografët…
Është pjesë e zanatit dhe pas premierës, imagjino që në Nju Jork që mund të them se është kryeqendra e botës, lëvizin me qindra artistë dhe njerëz të biznesit, dhe premiera ka qenë e shitur prej shumë kohësh.

Mund t’ju them edhe një lajm që kishte vite nuk kishte sold out (parashitje ose shitje të plotë) në Metropolitan Opera dhe kjo nuk është meritë e Saimirit, por e Domingos, sigurisht. Edhe kurioziteti për dëgjuar Domingon bariton që ka qenë tërë jetën tenor, ka ndikuar gjithashtu. Eshtë kënaqësi që të shohësh shfaqjen tënde në Met (Metropolitan) sold out.

Jeni shprehur se Alfredon do ta këndonit edhe 10 vite të tjera.
Alfredo im në këtë periudhë vuan pak faktin që është bërë tepër, ka nevojë edhe ai për të ndenjur pak. Ngandonjëherë edhe rolet kur i interpreton shumë vuajnë rutinën. Nuk diskutohet niveli sepse kur je në këto nivele je i detyruar të japësh maksimumin, por ka nevojë edhe për pak pushim roli.

Dhe kur kam thënë që kam dashur ta këndoj për 10 vitet e ardhshme e pranoj. Në fakt është vërtet një rol, jo aq i dashur për tenorët në përgjithësi, sepse nuk kanë mundësi që të dalin përpara sic mund të jetë një opera tjetër, si psh “Rigoletto”, apo “Ballo in maschera”.

Tenori e vuan rolin e Alfredos sepse nuk jep sadisfaksione, aria nuk është shumë e famshme, nuk njihet shumë nga publiku, roli është shumë kompleks pasi duhet të këndosh, të interpretosh; duetet janë shumë delikate, dhe kjo e vështirëson akoma më tepër rolin. Ndaj kur them që është për 10 vjecarin ka gjithmonë mundësi përmirësimi për një rol si Alfredo.

Do të jeni në Cikago, pas Nju Jorkut nën drejtimin e Ricardo Mutit, me të cilin nuk keni të parin bashkëpunim.
Ky është i disati bashkëpunim me Riccardo Mutin dhe këtë herë jemi me Chicago Symphony, që është një nga orkestrat më të mira të botës. dhe është kënaqësi për mua që përveç jetës operistike të kem edhe jetën koncertore. Është dhe një kënaqësi tjetër që jam i drejtuar nga mjeshtri i madh Muti. Do të këndoj Bah, dhe nuk e di si do ta këndoj dhe këtë mund ta them pas shfaqjeve. Është një repertor që unë nuk e njoh kështu që jam pak në tension.

Dhe kur jeni në tension si e kaloni këtë situatë?
Dukë parë filma…(qesh) dhe duke mos e mbajtur mendjen aty.

Është viti Verdian dhe do të doja të dija si e ndjeni muzikën dhe personazhet e tij. Si ju duket i projektuar në kohët tona?
Ai është një gjeni kaq i madh sa që është pak vështirë të anashkalohet nga rrymat apo nga problemet e jetës sonë moderne. Ne mundohemi ta sjellin Giuseppe Verdin në ditën tona, t’i japim një interpretim të ri, por nganjëherë edhe gabojmë sepse gjërat e bukura, mbase është më mirë që t’i lësh ashtu sic janë.

Dhe janë disa opera sic “Traviata”, “Rigoletto” apo të tjera që me vite e vite janë realizuar nga regjisorë modernë, që tentojnë ta sjellin në ditët tona, por në të vërtetë, në të gjitha vitet që unë kam kënduar në keto opera, shumë pak kanë qenë regjisorët që ia kanë arritur qëllimit. Mbeten gjithmonë opera që publiku i adhuron më tepër në versionin klasik. Është një pyetje që nuk di ta zgjeroj më tepër. Mund tju them që Verdi është një gjigand kaq i madh dhe më tepër nuk mund t’ju flas.

Jeni në majën e suksesit. Cili është synimi juaj tani?
Njerëzit thonë “Ke arritur, apo ke mbërritur….” Unë them vetëm një gjë, që po ëndërroj një ëndërr të bukur dhe sapo kam filluar atë që është jeta e një artisti operistik. Unë jam vetëm në vitet e para të një karriere ashtu siç do ta mendoja unë. Fakti që në krah kam patur Plaçido Domingon, është gjëja më e bukur, dhe mësimi më i madh që mund të jetë për jetën time. Imagjinoni që ka 44 vjet që këndon në Metropolitan Opera.

Në moshën 31 vjeçare, kishte kënduar katër herë në Metropolitan , ndërsa unë kam kënduar dy herë. Kështu që dëshira ime më e madhe do të ishte që unë në moshën 70 vjeçare, të isha akoma prezent në Metropolitan Opera dhe duke kënduar dhe eksploruar role të reja dhe duke i dhënë publikut artin tim. Kjo është për Saimirin një arritje. Është një lloj detyre që të vazhdoj dhe të mbaj këtë nivel që kam arritur.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Fundjava në gazetën Shqiptarja.com (print) 12.04.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset