Saimir Strati, artisti fierak fituesi i 7 çmimeve Gines në realizimin e disa portreteve dhe mozaikëve me materiale të ndryshme, si gozhdë, kruajtëse dhëmbësh, apo qelq ka nisur punën për projektin e tij të radhës, me të cilin synon që për herë të tetë të bëhet pjesë e librit të rekordeve.

Kryevepra e tij e radhës do të jetë realizimi i një mozaiku të quajtur “Molla e Adamit” ndërsa për këtë projekt do të përdoren materiale të riciklueshme, si tapa dhe pipa plastike, teksa në pamje duket edhe forma që do të marrë mozaiku në fund të tij.

Strati për të finalizuar projektin e tij ka përzgjedhur një ambientet në qendër të qytetit të Fierit, teksa tashmë siç duket edhe nga pamjet ai ka nisur punën, ndërsa vizitat e artdashësve nuk mungojnë.

Për artistin e mirënjohur qëllimi  i krijimit të këtij mozaiku, nuk është vetëm hyrja në librin e rekordeve Gines, por për të përcjellë një mesazh.
“Subjekti do të jetë mbrojtja e tokës dhe kjo më ka shtyrë që të bëj një formë sensibilizimi, jo vetëm një rekord botëror, por edhe një thirrje për mbajtjen pastër të tokës.”-tha Saimir Strati.

150 mijë pipa plastike do të përdorë Strati për realizimin e këtij mozaiku i cili do të ketë një sipërfaqe prej 30 metrash katror.

Sipas Stratit kjo është një teknikë e parealizuar më parë në botë dhe është një kategori e re brenda rekordeve Gines, që do të realizohet brenda 20 ditësh.

Artisi ndalet edhe tek arsyet se përse zgjodhi këtë simbol për të finalizuar projektin e radhës, të cilit deri në përfundimin e tij do t’i kushtojë 16 orë punë në ditë.

“Ajo çfarë është interesante, është dimensioni prej 30 metra katrorë. Do të përdoren mbi 150.000 pipa plastike. Vepra do të jetë në natyrë e ekspozuar për publikun dhe do të punohet rreth 16 orë në ditë.”

Ishte viti 2006 ku Saimir Strati hyri për herë të parë në librin e rekordeve Gines, teksa duke përdor 400 kilogramë gozhdë realizoi një mozaik me portretin e Leonardo da Vinçit.

Në 2007 duke përdorur 1.5 milionë kruajtëse dhëmbësh, Strati ndërtoi një tjetër mozaik që në qendër të tij kishte portretin e një kali, duke bërë që për herë të dytë të futej në librin e rekordeve.

Të njëjtin sukses artisti fierak e përsëriti edhe në katër vitet pasardhëse me punime të tjera.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)