Sali Berisha është i bindur se kandidatët që ka zgjedhur për 14 majin janë të duhurit dhe shprehet se mban përgjegjësi nëse opozita nuk fiton në të paktën 50 bashki.

“Nuk mund t’i shmangem kurrë përgjegjësive”, tha Berisha duke folur me bindje se kandidatët e mazhorancës shpallen fitues në më pak se gishtat e një dore.

Po ashtu bëri një llogari se si do të ishte rezultati nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin që sot.

“Mund të them që as me gishtat e të dy duarve nuk numërohen bashkitë që PS fiton. PS-ja po reduktohet në rezultatin e Partisë së Punës. Nuk ka nëse nuk do të ndodhë, kjo do të ndodhë. Unë kam ardhur këtu me të dhëna të plota ta sondazheve direkte me call center, qoftë dhe botën dixhitale”, tha Berisha në një intervistë televizive.

Për fushatën elektorale, Berisha shprehet se kjo që po zhvillon me Ilir Metën është më e zjarrta që ai ka bërë që nga viti 1992, pasi sipas tij po dalin në mbështetje qytetarë me vullnetin e tyre të lirë.

“Fushata që shihni ka një bazë njerëzish që kanë ardhur në bazë vullneti dhe në asnjëlloj detyrimi tjetër. Një fushatë e cila ka një zjarr të brendshëm, e cila quhet frymë, por është absolutisht përcaktuese për fitoren, është fitore. Dhe po më ndihmon me propagandën e tij banale, vulgare të boshatisur, por të bazuar në truke komunikimi, Edi Rama.

Unë kam fakte për këto që them. Ai ka strategji që e detyron atë të mos vijë sonte ballë përballë dhe të ja numërojmë njëri-tjetrit para shqiptarëve jo vetëm programet tona, por edhe të gjithë jetën tonë politike, por nuk vjen dot ai këtu sepse këtu i del baxhanaku me 110 tendera, i dalin sarajet e Surrelit”, tha Berisha.