Historia politike njeh rikthime që në letër duken madhështore, por që në praktikë shndërrohen në epiloge të paralajmëruar. Një nga shembujt më domethënës është ai i Napoleon Bonapartes dhe “100 ditëve” të tij të famshme, një rikthim i bujshëm që përfundoi me humbjen fatale në Vaterlo. Në mënyrë simbolike, rikthimi i Sali Berishës në krye të opozitës shqiptare mbart ngjashmëri të frikshme me atë moment historik: shumë zhurmë, shumë nostalgji, por pak fuqi reale.
Napoleoni u kthye nga Elba si një mit i gjallë. Ushtarët iu bashkuan, populli e duartrokiti dhe Europa u përfshi nga ankthi. Por ajo që kishte ndryshuar nuk ishte vetëm konteksti ndërkombëtar, por vetë koha. Franca nuk ishte më ajo e lavdisë së dikurshme dhe Napoleoni nuk ishte më lideri i pakontestueshëm. Rikthimi i tij ishte më shumë emocional sesa strategjik, më shumë simbolik sesa funksional.
Edhe Sali Berisha u rikthye mbi valën e nostalgjisë politike, revoltës dhe manipulimit të demokratëve se problemi në atë parti ishte Basha dhe jo ai. Por, ashtu si Napoleoni, Berisha u përball me një realitet të ri politik. Shqipëria e sotme nuk është ajo e viteve ’90 apo e fillimviteve 2000. Elektorati ka ndryshuar, pritshmëritë janë të tjera dhe pushteti i Edi Ramës është ndërtuar mbi një makineri shtetërore, mediatike dhe elektorale shumë më solide sesa ajo që Berisha kishte përballë në betejat e tij të mëparshme.
Në Vaterlo, Napoleoni humbi jo vetëm betejën, por edhe mitin e pathyeshmërisë. Sot, Berisha duket se po humb gradualisht të njëjtin mit përballë Ramës. Jo sepse Rama është i pathyeshëm, por sepse opozita që Berisha përfaqëson nuk po arrin të prodhojë alternativë, vizion dhe frymë të re. Konflikti mbetet personal, retorika e vjetër dhe betejat shpesh duken më shumë për të shkuarën sesa për të ardhmen.
Rikthimi i dytë, si në histori ashtu edhe në politikë, është gjithmonë më i vështiri. Ai kërkon jo vetëm karizëm, por edhe përshtatje me kohën. Napoleoni nuk e bëri dot këtë. Pyetja që shtrohet sot është nëse Sali Berisha po arrin ta bëjë, apo thjesht po e konfirmon një fund politik që historia e ka parë edhe më parë.
Në fund, pavarësisht emrit historia është e destinuar të përsëritet në kontekste kohore të ndryshme por me të njëjtin fund tragjik, humbjen.
Komente










