TIRANË- E ashpër ka qenë përgjigja e Ervin Salianjit kundrejt Sali Berishës, pasi ky i fundit ripërsëriti akuzat se arsyeja përse e përjashtoi nga gara për kreun e PD ishte fakti se përdoret nga Edi Rama. Salianji thotë se është Sali Berisha ai që bashkëpunon me kryeministrin Edi Rama.

Në një postim në Facebook, ai shkruan se të dy janë të njëjtë, Rama i ndaloi kandidimin për deputet, ndërsa Berisha për kryetar të partisë.

“Ty Sali, të nxjerr Rama nga burgu se i duhesh, mua më fut në burg Rama se e mund”, thotë ish-deputeti.

Salianji akuzon për herë të parë se Berisha paguhej edhe nga ish-zv/kryeministrja Belinda Balluku edhe nga biznesmeni në kërkim nga SPAK Ergys Agasi.

“Me Ballukun ti Sali merr leje, licenca e tenderë, por unë zhurmoj. Prandaj nuk i nxjerr dot dosjet e të dyve. Ti Sali për lek shet edhe shpirtin”, shkruan Salianji. 

Sipas Ervin Salianjit, i cila u përjashtua nga e drejta për të kandiduar në garën për kreun e PD-së, Berisha ka marrë garanci nga Rama se nuk do të preket nga ligji, dhe mbahet peng për shkak të problemeve që ka me drejtësinë.

"Sali “kolltuku”, plaku i lumtur në azilin e Ramës! Unë bëj burg, ti Sali bën lek nga regjimi i Ramës! Ty Sali, të nxjerr Rama nga burgu se i duhesh, mua më fut në burg Rama se e mund, por për mjeranin e azilit të Ramës që je kthyer ti, unë që bëj burg “shitem”. Me Ballukun ti Sali merr leje, licenca e tendera, por unë zhurmoj. O zoti fosile, Ballukun dhe Agasin nuk i bashkoi dot Rama, jo unë. I vetmi që i ke bashkuar në një formë je ti, se paguheshe nga të dy edhe nga Agasi, edhe nga Balluku. Prandaj nuk i nxjerr dot dosjet e të dyve. Publikoji të plota, frikacak.

Ti Sali për lek shet edhe shpirtin. Nuk të mjaftojnë koncesionet, lejet, kullat, tenderat, minierat, hidrocentralet, parqet, bregdeti dhe malet që po i shqyen bashkë me Ramën; dhe për të përfituar këto, nuk ke asnjë merak të legenosesh! Sali “kolltuku”, ti sa herë flet, legenosesh; por të jesh kaq i ulët moralisht në moshën 82-vjeçare është gëzimi më i madh për çdo njeri që s’të do mjafton të të shohë si je katandisur dhe e merr “satisfaksionin” e jetës.

Tani, meqë legenosesh me burgun, unë nuk ia fal as Ramës dhe as ty 1 vit heqje lirie, as heqjen e mandatit dhe as ndalimin e kandidimit. Njësoj si Rama edhe ti: ai më ndaloi kandidimin për deputet, ti për kryetar. I vetmi njeri që është marrë në patronazh nga Rama je ti. Të ka parkuar në azil luksi e të jem ushqimin qe do ti, paratë! Je me halle me drejtësinë dhe të mbajnë peng, prandaj nuk lejon garë. Nuk ke bërë asnjë ditë burg, ndërkohë që i vetmi deputet dhe zyrtar i PD që ka bërë burg pa pasur asnjë ditë pushtet jam unë, me dakordësinë e regjimit Rama–Berisha.

Por ti njihesh si mosmirënjohës, që e ha fjalën dhe gjithçka që ke bërë vetë ia ngjit kundërshtarit. Të mban Rama në azil luksi, duke të dhënë garanci që ti nuk prekesh nga ligji; prandaj nuk lejon garë. Por do çmontohesh Sali, do çmontohesh si kambalec i Edi Ramës, do çmontohesh si segmenti i keqpërdorur dhe i blerë nga Edi Rama. Do ju çmontojmë të dyve, e ke marrë rrugën", shkruan Salianji. 

Një reagim erdhi edhe nga kandidatja tjetër Alesia Balliu, e cila u akuzua nga Berisha se ka bërë fushatë për parti të tjera. Ajo i thotë kreut të PD-së që të mos i faturojë atë çfarë bën djali i tij, Shkëlzeni me Ramën. 

“Sali, atë që bën Shkëlzeni me Ramën mos na e faturo ne. Si ka mundësi që nuk the një fjalë për banorët e Rrjollit, për tokat që po u merren? Si ka mundësi që nuk të pipëtin zëri kur këshillat bashkiakë bashkohen me PS-në në kurriz të qytetarëve? Si ka mundësi që regjimi lejon “SYRIN” tënd të veprojë i lirë në çdo moment për të goditur këdo që nuk mendon si ty?

Si ka mundësi që biznesmenët që punonin me ty, punojnë edhe me Ramën? Sali, kthe përgjigje para demokratëve: si ka mundësi që PD-ja, që nga 2021, është minus 300 mijë vota?

Kthe përgjigje pse nuk arritët ta bashkoni PD-në. Kthe përgjigje pse SHBA-ja nuk po ta heq damkën e “non grata”-s. Sali frikacaku, nuk pres më përgjigje nga ty, sepse ti nuk e kontrollon më atë parti; ajo është kthyer në një klikë. Por pres përgjigje nga Shkëlzen Berisha, sepse ai është njeriu që merret vesh me Ramën dhe ai i ka përgjigjet”, shkruan Balliu.