VORË - Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Vorës, ‎Luan Sallaku i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë, ‎Edmond Panariti dhe Zv.ministrja e Arsimit ‎Nora Malaj u takuan me banorët në qendër të Bërxullit.

Në fjalën e tij, kandidati Luan Sallaku tha se ka evidentuar të gjitha problematikat që shqetësojnë banorët e Bërxullit dhe se ka një program konkret për zgjidhjen e tyre.

“Ne i njohim nga afër problemet tuaja dhe kemi gati planin konkret për një zgjidhje të shpejtë. Ne nuk kemi pritur 21 qershorin, por prej javësh kemi nisur punën për zgjidhjen e problemeve që shqetësojnë banorët sot. Me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë kemi ndërhyrë dhe kemi bërë të mundur ndërhyrjen për pastrimin e kanaleve kulluese, një problem që banorët e vuanin prej shumë vitesh. Kemi ndërhyrë në infrastrukturë dhe angazhimi jonë madhor është ndërtimi i rrugëve me standarde europiane. Kemi filluar zgjidhjen e problemeve të legalizimit dhe brenda vitit do t’i japim zgjidhje përfundimtare kësaj çështje”, tha Sallaku.

“Koha jonë ka filluar. Transformimi ka filluar. Me 21 qershor nis zyrtarisht epoka e punësimit dhe shërbimit për qytetarët e Vorës”, theksoi ai.

Ndërkohë Ministri Panariti u shpreh se: “Sfida jonë e parë do të jetë ndërtimi i një tregu agro-ushqimor me standarde europiane në qendër të Vorës. Gjithashtu do të ndërtojmë tregje ambulante në gjithë zonën. Si ministër i Bujqësisë do të japë mbështetjen maksimale dhe për ndërtimin e një qendre grumbullimi për prodhimin bujqësor” . Ndërsa zv.ministrja Nora Malaj tha se për Vorën do të nisë një transformim rrënjësor që do të garantojë punësim dhe shërbime për të gjithë qytetarët e saj. “Më 21 qershor, qytetarët e Bërxullit me votën e tyre do t’i thonë JO varfërisë dhe PRO progresit dhe mirëqenies”, tha Nora Malaj.

Sallaku së bashku me Ministrin e Bujqësisë, .Edmond Panariti u takuan edhe me banorët e fshatit Picar. “Motoja jonë ne, forca e fjalës së mbajtur. Javë më parë kur isha këtu në Picar u njoha me problemin e mungesës së një mbikalimi dhe falë ndërhyrjes sonë ky mbikalim është vendosur, duke zgjidhur një problem serioz që kërcënonte jetën e banorëve, nga aksidentet fatale për shkak të kalimit të rrugës përmes makinave. Do të punojmë fort për thithjen e investimeve të huaja. Kemi dyert e hapura nga qeveria për zhvillimin e Vorës dhe çdo qytetar i Vorës do të ketë të hapura dyert e bashkisë për zgjidhjen e problemeve të tij”, iu drejtua Sallaku banorëve.
 
I shoqëruar nga nënkryetari i LSI, Ylli Manjani dhe zv/ ministrja e Arsimit dhe Sporteve, ‎Nora Malaj, kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Vorës, ‎Luan Sallaku u takua edhe me një takim me komunitetin e prindërve, maturantë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me të cilët diskutuan idenë e krijimit të Këshillit Konsultativ të Prindërve, një organ i cili do të bashkëpunojë ngushtësisht me Bashkinë e re të Vorës për çështjet e arsimit.

Sallaku u shpreh se pas 21 qershorit do të bashkëpunojë ngushtë me Këshillin Konsultativ të prindërve. “Ky këshill do të jetë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes në këshillin bashkiak. Do të konsultohemi dhe bashkarisht, do të marrim vendimet më të mira në favor të komunitetit”,- tha Sallaku.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)