Shkolla 9-vjeçare ‘Pjetër Budi’ në kryeqytet do të hapet në vitin e ri shkollor, njofton kryeministri Rama përmes rrjeteve sociale. Transformimi i shkollës, i cili nisi në fund të vitit 2024, është drejt përfundimit dhe veç klasave të reja, ka sallë multifunksionale, hapësira për fëmijët me aftësi ndryshe që do të ndihmojnë jo vetëm për mësimnxënien, por edhe zhvillimin e talenteve të nxënësve.
“Super shkolla e re “Pjetër Budi” në Tiranë, do të jetë gati për të pritur nxënësit në vitin e ri shkollor. Me klasa të reja, sallë multifunksionale, hapësira të dedikuara për fëmijët me aftësi ndryshe, palestër dhe ambiente të tjera me kushte bashkëkohore, kjo shkollë po merr formën e një hapësire moderne që u jep nxënësve më shumë mundësi për të mësuar, për të krijuar dhe për të zhvilluar talentet e tyre çdo ditë edhe në programet pas-shkollore”, shkruan Rama.
Kujtojmë që në këtë shkollë, ka marrë mësimet e para edhe vetë kryeministri.
Më herët, kryetarja e deleguar e bashkisë, Anuela Ristani ka thënë se shkolla “do të ketë 28 klasa për nxënësit e ciklit 9-vjeçar si dhe për herë të parë do shtohen 2 klasa për fëmijët e ciklit parashkollor”.
Shkolla e re do të jetë e pajisur gjithashtu me bibliotekë, laboratorë, hapësira sportive multifunksionale, tarracë të gjelbër, dhomat e psikologut, e infermierisë.
Komente









