Kryeministri Edi Rama iu kundërpërgjigj mbrëmjen e kësaj të marte kritikëve që vunë në dyshim renditjen e Shqipërisë në vendin e parë të National Cyber Security Index.

Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë i cilësoi ata "urrejtës" dhe "trolla", ndërsa theksoi se klasifikimi nuk është produkt propagande, por bazohet në një metodologji ndërkombëtare që vlerëson kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe sistemin e parandalimit në fushën e sigurisë kibernetike.

Rama u shpreh se renditja nuk ndryshon nga komentet në rrjetet sociale dhe e cilësoi vendin e parë të Shqipërisë si rezultat të punës së bërë ndër vite nga qeveria që ai udhëheq.

Postimi i plotë i Ramës në rrjete sociale 

"Një shënim i nevojshëm për urrejtësit besnikë dhe ushtrinë e tyre të trollave. Sapo postova lajmin që Shqipëria doli e para në indeksin global të sigurisë kibernetike, ata u vërsulën si tufa sorrash e korbash me turlilloj krrakrrash.

Po nëse lajmi ishte "gënjeshtër", "propagandë", "budallallëk", atëherë pse gjithë ai mund i madh me gurë e me baltë? Asnjë njeri normal nuk harxhon energji për të shuar një qiri të fikur. Në fakt renditjen në National Cyber Security Index nuk e bën as një sorrë, as një korb dhe as një troll. E vendos një metodologji ndërkombëtare, me 98.33 pikë, të matura mbi kuadrin ligjor, kapacitetet institucionale dhe sistemin e parandalimit.

Urrejtësit e mi besnikë mund të hidhen përpjetë, por tabela nuk ndryshon pse ata derdhin mllef e jargë mbi pasqyrat e tyre digjitale. Mund të jetë e dhimbshme të jesh troll i një shteti që del në krye të klasifikimit botëror pikërisht në aftësinë mbrojtëse nga trollimet malinje, por s'ka ilaç për dhimbjen e urrejtësve.

Kështu që vazhdoni, forca, çdo koment i juaji është një klikim më shumë, një provë më shumë, dhe një buzëqeshje më shumë për mua, në këtë ditë të bukur arritjeje fantastike. Miq dhe aleatë të vërtetë që e dinë mirë ç'është ky Index Global sot më uruan, ndërsa dështakzemërakët e Shqipërisë më sulmuan.

Të dyja palët, në mënyrën e tyre konfirmuan të njëjtën gjë: Shqipëria u ngjit në majë aty ku deri jo shumë vite më parë ishte në fund. Dhe kjo u dhemb vetëm atyre që e duan medoemos në fund, e që për inat të vjehrrës u bënë rrogoz i mullixhiut" shkroi Rama