SHKUP- 6 miliardë euro janë të vlefshme për tu përfituar nga vendet e Ballkanit perëndimor në kuadër të planit të rritjes së BE, I cili synon të injektojë në ekonominë e 6 shteteve të rajonit para që do të rrisin ekonomitë e tyre. Komisionerja për zgjerimin Marta Kos në përmbyllje të Samitit me liderët e vendet e Ballkanit Perëndimor tha se shpreson që fondet të shkojnë të gjitha tek qeveritë e rajonit dhe të mos kthehen mbrapsht në BE.
"Llogaritja e kohës është shumë e rendësishme. 6 miliardëshi që po përdorim në plnain e rritjes për Ballkanin Perëndimor do të jetë aty deri në fund të vitit 2027. Dhe nëse shtetet nuk do ti përthithin këto fonde, mua do të më duhet që ti kthej ato para në buxhetin e përgjithshëm të BE", tha Kos.
Pas samitit që mblodhi në Shkup liderët e rajonit me BE për Planin e Rritjes ajo apeloi që të ecet përpara me reformat, si mënyra e vetme për përfitimin e financimit.
"Ka një mënyrë më të mirë, jepni rezultate me reformat, që ne t'ua japim ato para vendeve kandidate më mirë sesa ti kthejmë në buxhetin e BE", vijoi Kos.
Kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski tha se si fqinj dhe partnerë duhet punuar së bashku për të pasur një rajon më të fortë. Ndërsa Kos, teksa theksoi rëndësinë e zgjerimit të BE-së, vlerësoi edhe përparimin e Shqipërisë në negociata. Komisionerja u shpreh se në vjeshtë pritet që të hapet edhe grupkapitulli i fundit me Shqipërinë.
“Shqipëria ka hapur tre grupkapituj gjatë 6 muajve të fundit. Ju falënderoj për rolin dhe kontributin tuaj në suksesin e këtij procesi të zgjerimit. Nëse vazhdojmë kështu mund të arrijmë të hapim të gjithë grupkapitujt brenda këtij viti. Mezi pres që të festojmë së bashku hapjen e grupkapitullit të fundit në vjeshtë.”, u shpreh Kos.
Kryeministri Edi Rama, në nisje të samitit foli shkurt për mediat, ku vlerësoi Planin e Rritjes, i cili sipas tij, po e afron rajonin më pranë BE. Kreu i qeverisë u shpreh krenar për pikat që kanë zbatuar deri më tani.
"Jemi shumë afër anëtarësimit dhe besoj fort që do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona. Plani i përbashkët do të realizohet plotësisht,” u shpreh ai.
Komisionerja Kos tha se për herë të parë ky samit ishte i fokusuar në zbatimin e Planit të Rritjes. Ajo bëri të ditur se 75 për qind e reformave të dakorduara – të përbashkëta për të gjitha vendet e rajonit – janë ose të zbatuara plotësisht ose janë në proces, ndërsa 25 për qind ende mbeten për t’u realizuar.
“I inkurajova liderët që të shtojnë përkushtimin për zbatimin e mëtejmë”, tha Kos.
Kos përmendi gjithashtu krijimin e 11 pikave kufitare prioritare me kalime të gjelbra, që synojnë të lehtësojnë lëvizjen e mallrave. Përveç kësaj, sistemi satelitor i BE-së, Galileo, do të përdoret për të gjurmuar kamionët në kohë reale, duke mundësuar kuptimin më të mirë të vonesave dhe dinamikës së qarkullimit.
“Edhe më shumë po vjen në kuadër të autostradës drejt tregut unik”, shtoi ajo.
“Po punojmë së bashku për të identifikuar zinxhirët evropianë të furnizimit, në të cilët kompanitë tuaja mund të integrohen. Për shembull, në sektorin farmaceutik, do t’ju ndihmojmë të përshtateni me standardet e BE-së, në mënyrë që bizneset tuaja të trajtohen njësoj si ato të vendeve anëtare”.
Sipas Kos, projektet që financohen nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor do të mbështesin ndërtimin e rrugëve, linjave hekurudhore, si dhe parqeve me erë dhe diell në të gjithë rajonin.
I pranishëm në këtë Samit ishte edhe Albin Kurti. Kosova gjithashtu mund të jetë përfituese e planit të rritjes me axhendën e reformave të saj që është pranuar nga BE. Për kryeministrin Edi Rama, Shqipëria ka përmbushur kërkesat që plani i rritjes të zbatohet.
Plani i rritjes u prezantua nga Brukseli në muajin Mars. Një paketë 6 miliardë euroshe nga e cila Shqipëria synon të përthithë 922 milion euro. Maqedonia e Veriut synon 750 milionë euro ndërsa Serbia e Aleksandër Vuçic, i cili nuk ishte në samit synon të përthitë rreth 1.5 miliardë.
Danimarka, e cila sot merr presidencën rotative të Këshillit të Bashkimit Evropian, ka shpallur se zgjerimi i BE-së do të jetë një nga prioritetet e saj kryesore, si pjesë e një strategjie më të gjerë për forcimin e Unionit dhe sigurisë së tij. Në një intervistë për RTS, ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre, thotë se e mbështet hapjen e Klasterit 3 në negociatat me Serbinë, por thekson se Serbia aktualisht po mbetet pas vendeve të tjera kandidate në zbatimin e reformave dhe në përafrimin me politikën e jashtme të BE-së ndaj Rusisë.
"Fatkeqësisht, përparimi në reforma në Serbi është mjaft i ngadaltë krahasuar me vendet e tjera. Shpresojmë se do të mund të hapim Klasterin 3, por duhet të shohim më shumë rezultate sesa deri tani", tha Marie Bjerre.
Ministrja theksoi se, në rrethanat aktuale gjeopolitike, përafrimi me politikën e jashtme të BE-së ndaj Rusisë është jashtëzakonisht i rëndësishëm, dhe se një përputhje 100% do të ishte një sinjal i qartë i përkushtimit të Serbisë ndaj anëtarësimit në BE. Ajo shtoi se mesazhi i presidencës daneze për Beogradin është – dyert e BE-së mbeten të hapura, por përparimi do të matet me reforma konkrete dhe me përkushtim të qartë ndaj vlerave dhe politikave evropiane.
"Zgjerimi do të jetë një nga prioritetet tona kryesore. Në një botë që po ndryshon, me agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe pasigurinë rreth marrëdhënieve transatlantike, një Bashkim Evropian më i madh do të thotë një Bashkim Evropian më i fortë", theksoi Marie Bjerre.
Sipas vlerësimit të saj, Rusia nuk po zhvillon luftë vetëm në Ukrainë, por edhe përmes manipulimeve, dezinformatave dhe presionit politik mbi vendet kandidate të tjera. "Nëse duam një Evropë më të qëndrueshme dhe më të sigurt, duhet të ecim përpara me procesin e zgjerimit."
Si pjesë e përgatitjeve për presidencën, ministrja daneze ka vizituar të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Serbinë, në nëntor të vitit të kaluar.
Ajo thekson se zgjerimin e sheh përmes prizmit të sigurisë së kontinentit, dhe shpjegon se arsyet gjeopolitike e bëjnë të qartë nevojën për të ecur përpara në negociatat me vendet kandidate. "Shpresoj që gjatë presidencës sonë të mund të ndërmarrim hapat e ardhshëm drejt anëtarësimit me disa nga vendet kandidate. Sigurisht, ato duhet të tregojnë rezultate, sepse BE-ja nuk do të bëhet më e fortë nëse anëtarët e rinj nuk përmbushin kriteret themelore të sundimit të ligjit dhe demokracisë", thotë Bjerre.
Ministrja thekson se Ukraina dhe Moldavia po shënojnë përparim të madh, ndërsa në Ballkanin Perëndimor në krye të reformave janë Mali i Zi dhe Shqipëria.
Marie Bjerre thekson se, përveç vendeve kandidate, edhe vetë BE-ja duhet të jetë e përgatitur për zgjerim, por se reformat e brendshme të Unionit nuk duhet të pengojnë përparimin në negociatat e anëtarësimit.
"Reformimi i funksionimit të vetë Unionit nuk duhet të jetë pengesë për negociatat, por një proces paralel. Para nesh kemi ende shumë negociata me vendet kandidate. Duhet t’i përshpejtojmë dhe njëkohësisht të punojmë që edhe ne të jemi gati për të pranuar anëtarë të rinj", tha Bjerre.
Danimarka e mori presidencën nga Polonia dhe më 1 janar 2026 do t’ia dorëzojë atë Qipros. Vendi që kryeson BE-në organizon dhe udhëheq të gjitha takimet e Këshillit të BE-së (me përjashtim të çështjeve të jashtme) dhe mund të ndikojë në përcaktimin e çështjeve që do të kenë më shumë rëndësi në agjendën e BE-së gjatë mandatit gjashtëmujor.
Sot u mbajt dita e dytë e takimit BE – Ballkani Perëndimor në Shkup për Planin e Rritjes.
Pas përfundimit të takimit liderët që morën pjesë në këtë samit bënë foton familjare.
Kryeministri Edi Rama është pozicionuar krah kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Në fjalën hapëse të samitit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha se Ballkani Perëndimor po ecën drejt një të ardhmes evropiane dhe se sipas tij nuk është më një “dhomë pritjeje” por një rajon në zhvillim. Ai shtoi se është një rajon me potencial, por vuri në dukje tentativat për përçarje.
“Ballkani Perëndimor është një rajon i pasur me potencial dhe ambicie, megjithëse shumë shpesh ka narrativa përçarjeje. Por kur shikoj përreth, mund të shoh se ka një histori tjetër. Rajoni përcaktohet nga fryma e tij dhe refuzon të lihet pas dore. Ky Samit i kushtohet një vizioni të përbashkët, një vizioni ku investimet lulëzojnë dhe inovacioni ofron mundësi për të gjithë. Një vizion ku Ballkani Perëndimor nuk është më një dhomë pritjeje, por një rajon që është në zhvillim”, tha Mickoski.
Duke u ndalur te Plani i Rritjes, kryeministri maqedonas shtoi se duhet punuar bashkërisht për të ndërtuar një rajon më të fortë.
"Ne të gjithë kemi një të ardhme të përbashkët dhe për të siguruar unitet dhe stabilitet, duhet të punojmë së bashku si fqinjë, si partnerë, si rajon. Së bashku mund të ndërtojmë një rajon të fortë dhe të lidhur që është i begatë, gjithëpërfshirës dhe evropian”, tha Mickoski.
Mes të tjerash, ai shtoi se “Forca jonë qëndron në unitetin dhe stabilitetin përmes forcimit të marrëdhënieve me fqinjët tanë dhe Bashkimin Evropian, përmes hapjes së tregjeve të reja, vendeve të reja të punës, miqësive të reja, heqjes së barrierave në tregti, përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e investimeve”.
Komisionerja për Zgjerim e BE, Marta Kos theksoi sot në samitin që po mbahet në Shkup se Evropa nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor. Ajo shtoi se tani ekziston një konsensus i qartë për zgjerimin, gjë që nuk ka qenë e njëjtë në të kaluarën, por "dritarja e mundësisë nuk do të jetë e hapur përgjithmonë".
Kos tha se me Shqipërinë do festojnë hapjen e grupkapitullit të fundit në vjeshtë.
“Për herë të parë në historinë e Evropës, nëse e bëjmë siç duhet procesin e zgjerimit, mund të arrijmë bashkimin e Evropës tonë. Dhe një Evropë nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor. Dua të jem e qartë: Sot ekzisto një konsensus i qartë në favor të zgjerimit, kjo nuk ka qenë kështu në të kaluarën. Por dritarja e mundësisë mund të mos jetë aty gjithmonë. Jemi dëshmitarë të një progresi të dukshëm. Shqipëria ka hapur tre grupkapituj gjatë 6 muajve të fundit. Ju falënderoj për rolin dhe kontributin tuaj në suksesin e këtij procesi të zgjerimit. Nëse vazhdojmë kështu mund të arrijmë të hapim të gjithë grupkapitujt brenda këtij viti. Mezi pres që të festojmë së bashku hapjen e grupkapitullit të fundit në vjeshtë.”, u shpreh Kos.
Kos tha se Plani i Rritjes është plotësisht në duar të vendeve të rajonit.
“Ky është një mjet për t’ju ndihmuar me reformat e rëndësishme, të cilat janë të domosdoshme edhe për t’ju përgatitur për anëtarësim. Njëkohësisht, ky plan ju mundëson që qytetarët dhe bizneset tuaja të përfitojnë nga tregu unik i BE-së, në kushte të barabarta me vendet anëtare. Dhe kjo, tani – jo në një të ardhme të largët”, theksoi ajo.
Ajo shtoi se vendet kanë bërë shumë, por tani është koha të intensifikohet faza e zbatimit.
“Thënë thjesht, kjo do të thotë që një sipërmarrës i ri, për shembull këtu në Shkup apo në Tiranë, mund të pranojë pagesa nga e gjithë Evropa po aq lehtë sa edhe një biznes në Vjenë apo Madrid”, tha Kos.
Kryeministri Edi Rama, në një prononcim të shkurtër për mediat në nisje të samitit BE-Ballkani Perëndimor në Shkup, tha se janë më afër së kurrë realizimit të aspiratës për anëtarësim në BE.
Kreu i qeverisë tha se Plani i Rritjes po na afron më pranë BE, duke shtuar se janë krenarë që kanë përmbushur pikat e kërkuara.
"Sot jemi këtu për një tjetër ndalesë të rrugës së përbashkët që lidhet me zbatimin e planit të ri të rritjes, një plan i cili po ecën si duhet dhe po na afron përditë e më shumë me BE. Jemi krenarë se kemi përmbushur deri tani të gjitha pikat për zbatim dhe vazhdojmë me pikat e tjera sipas kalendarit. Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumë shekullore dhe më vjen mirë që ka një atmosferë pozitive në këtë drejtim. Jemi shumë afër anëtarësimit dhe besoj fort që do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona siç kemi paraparë afatet me KE dhe plani i përbashkët do të realizohet plotësisht,” u shpreh kryeministri Rama.
I pyetur se çfarë pret për Shqipërinë nga Plani i Rritjes, kryeministri shtoi:
"Plani i rritjes është i qartë. Ne duhet të japim rezultate. Ata nga ana tjetër po ashtu. Ne po bëjmë pjesën tonë dhe ata të tyren. Kemi një mjet shtesë që ka të bëjë me atë që është quajtur integrim gradual dhe po zbatohet. Për Shqipërinë po ecën shumë shumë mirë.”
Komente

