TIRANË - Presidenti Nishani është nisur sot drejt SHBA-ve ku do të marrë pjesë në Sesionin e 69-të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara i ftuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban Ki Moon.

Nga Presidenca bëhet e ditur se Nishani do të mbajë edhe një fjalim në Debatin e Përgjithshëm të Sesionit të 69-të Asamblesë së Përgjithshme që do të zhvillohet në Nju-Jork.
 
Gjithashtu bëhet e ditur se Presidenti Nishani do të marrë pjesë edhe në Samitin mbi Klimën e do të jetë i pranishëm në veprimtarinë e përvitshme të Nismës Globale Klinton, i ftuar nga ish-Presidenti amerikan Bill Klinton.

Vizita zyrtare e Kreut të Shtetit shqiptar parashikon edhe një sërë takimesh të rëndësishme me homologë, me Federatën Pan-shqiptare të Amerikës “VATRA” dhe mjaft personalitete të shquara shqiptaro-amerikane me një kontribut të qenësishëm në promovimin e vlerave atdhetare të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe Amerikë.
 
Në përfundim të vizitës së Tij, Presidenti Nishani do të mbajë një ligjëratë me temë “Shqipëria – demokracia e re drejt Bashkimit Evropian” në Universitetin prestigjoz të Miçiganit ku do të diskutojë me profesorët dhe studentët e atjeshëm lidhur me zhvillimet e gjithanshme politike, ekonomike, shoqërore të Shqipërisë, mbi rolin dhe kontributin e saj në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë si dhe integrimin në gjirin e familjes së madhe evropiane.

Gjatë vizitës së tij në SHBA, Nishani do të shoqërohet edhe nga bashkëshortja e tij.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)