Samiti i kryeparlamentarëve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, Ruçi: I keqardhur që shpejtësia e integrimit po ngadalësohet nga zgjimi i pasioneve të së kaluarës! Firmoset deklarata e përbashkët

Samiti i kryeparlamentarëve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, Ruçi: I keqardhur që shpejtësia e integrimit po ngadalësohet nga zgjimi i pasioneve të së kaluarës! Firmoset deklarata e përbashkët

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i pranishëm në Samitin e kryeparlamentarëve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, ku merrte pjesë edhe Kryetari i Komisionit të Jashtëm te Parlamentit Europian,  David Mcallister, nuk la pa komentuar çështjen e integrimit të Shqipërisë në BE.  Në fjalën e tij, Ruçi u shpreh i keqardhur që shpejtësia e integrimit të vendit tonë, po ngadalësohet nga 'zgjimi i pasioneve të kaluara', duke iu referuar konflikti të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, që ishte dhe arsyeja e mos-caktimit të një date për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

"Kuvendi, Qeveria dhe institucionet shqiptare kanë zbatuar me përpikmëri të gjitha detyrat që parashikohen në rekomandimet e Komisionit dhe Këshillit Europian, lidhur me Reformën në administratën publike, Reformën në drejtësi, Luftën kundër korrupsionit, Luftën kundër krimit të organizuar dhe rritjen e shkallës së zbatimit të të Drejtave të njeriut", tha Ruçi.

Ndërsa liston detyrimet që vendi ynë ka plotësuar në mënyrë që t'i hapë rrugë procesit të integrimit, Ruçi thotë se ai e ka të qartë që nuk kemi arritur përsosmërinë, por shton se arritjet e Shqipërisë janë të dukshme dhe e meritojmë vendim-marrjen pozitive për  mbajtjen e Tryezës Ndërqeveritare sa më shpejt. 

"Pas publikimit të Raporteve të Komisionit Europian për Shqipërinë, Kuvendi ka hartuar e miratuar çdo vit Planin e tij të Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të KE-së për Shqipërinë, të cilat lidhen me: Forcimin e funksionit ligjvënës; Fuqizimin e rolit mbikëqyrës; Përmirësimin e etikës parlamentare; Forcimin e transparencës; dhe Forcimin e kapaciteteve administrative të Kuvendit. Unë, ashtu si edhe kolegët kryeparlamentarë në këtë sallë, e kemi të qartë se vendet tona nuk kanë arritur përsosmërinë. Por arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit janë të dukshme dhe dëshiroj të përsëris edhe njëherë që tashmë përformanca jonë e meriton vendim-marrjen pozitive për  mbajtjen e Tryezës Ndërqeveritare sa më shpejt. Nuk ka më kuptim që vendet tona të paguajnë kosto që burojnë nga mëritë e vjetra të rajonit.", shtoi Ruçi. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:34
Mbyllet Samiti i krerëve të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga PE! Firmoset deklarata e përbashkët

Në Samitin e Dytë të kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga Parlamenti Europian, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, u diskutua mbi përshpejtimin e ritmeve të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE si edhe forcimin e bashkëpunimit parlamentar midis vendeve të rajonit.

Në fjalën e tij Sassoli, nënvizoi se BE dhe PE do të vazhdojnë të mbështesin vendet e Ballkanit Perëndimor në përballimin e pandemisë COVID 19 dhe të sfidave të saj.

"Pandemia nuk na pengoi të shikojmë drejt të ardhmes dhe të ruajmë zgjerimin e BE-së si një prioritet të BE-së dhe PE-së. Vendi i Ballkanit Perëndimor është në BE, në këtë shtëpi të përbashkët europiane, dhe ne po punojmë që integrimi i rajonit të përshpejtohet dhe të mos shtyhet në kalendat greke. Ne do të fuqizojmë bashkëpunimin parlamentar në funksion të procesit të zgjerimit dhe konsolidimit të vlerave europiane. Bashkimi Europian është një shpresë për Ballkanin Perëndimor, por edhe Ballkani Perëndimor është një shpresë për Bashkimin Europian", tha ai.

Nga ana e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, falënderoi Sassolin, për vizionin dhe kontributin e tij për përshpejtimin e ritmeve të integrimit të Ballkanit Perëndimor, si edhe vlerësoi Presidencën Kroate, Gjermane dhe Portugeze të BE-së, të cilat e mbajtën përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në krye të prioriteteve të tyre.

Në fund të Samitit, u nënshkrua një Deklaratë e Përbashkët e Kryetarëve të parlamentarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Presidentit të Parlamentit Evropian dhe Kryetarëve të Parlamenteve të Portugalisë, Presidenca aktuale, dhe Sllovenisë, Presidenca e ardhshme e BE-së, në të cilën u rikonfirmua roli kryesor i parlamenteve në procesin e zgjerimit dhe u angazhuan të punojnë së bashku edhe në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor 2021.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kapshticë/ 5 ditët  e fundit, mbi 42 mijë hyrje dhe dalje në pikën e kalimit kufitar, shqiptarët kthehen në vendlindje për festat

Kapshticë/ 5 ditët e fundit, mbi 42 mijë hyrje dhe dalje në pikën e kalimit kufitar, shqiptarët kthehen në vendlindje për festat