Manastirliu kërkon njohjen e certifikatës elektronike të vaksinimit: Shqipëria vend i sigurt! Ministri gjerman: Ballkani pa rrezik

Manastirliu kërkon njohjen e certifikatës elektronike të vaksinimit: Shqipëria vend i sigurt! Ministri gjerman: Ballkani pa rrezik

Ministrja Ogerta Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e pranishme në Samitin e Ministrave të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt sot online, kërkoi njohjen e certifikatës tonë elektronike të vaksinimit nga vendet e Bashkimit Europian.

Manastirliu theksoi se situata epidemiologjike në Shqipëri është e përmirësuar dhe se njohja e përbashkët e certifikatës elektronike të vaksinimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Bashkimit Europian është e domosdoshme.

“Njohja e përbashkët e certifikatës elektronike të vaksinimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Bashkimit Europian është e domosdoshme: E para, sepse vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një nivel të ulët të përhapjes së infeksionit; e dyta, për shkak të lidhjeve të ndërsjellta dhe shkëmbimit që ekziston mes vendeve të Ballkanit Perendimor dhe vendeve të Bashkimit Europian dhe e treta, për rëndësinë strategjike që ka turizmi për ekonomitë e vendeve tona. Ndaj unë do të doja të përfitoj nga ky rast, për të sjellë në vëmendjen e kolegëve të nderuar në këtë takim, që certifikata jonë, të njihet nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian, për të ndihmuar qytetarët tanë të udhëtojnë të sigurt dhe të lirë”, tha Manastirliu.

Po ashtu, Ministrja e Shëndetësisë shtroi nevojën për një qasje të integruar dhe të unifikuar rajonale, drejt një tregu të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perendimor dhe në Bashkimin Europian, duke nisur nga sektori shëndetësor.

“Doja të ritheksoja mesazhin kryesor të Kryeministrit Edi Rama në Samitin e 6 të vendeve të Ballkanit Perendimor që u zhvilluar në Tiranë, për nevojën për t’i sjellë më afër vendet e Ballkanit Perendimor drejt një tregu unik dhe drejt Bashkimit Europian, në fushat me interes kyç, siç është edhe sektori i shëndetësisë, i cili është i një rëndësie strategjike. Bashkëpunimi mes nesh duhet të forcohet për të rritur kapacitetet e burimeve njerëzore, sa i takon fushave si kërkimi shkencor dhe inovacioni”, tha Manastirliu.

I pranishëm në Samit, Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, theksoi se 3 vende të Ballkanit Perendimor, përfshirë edhe Shqipërinë, tashmë e kanë marrë dritën jeshile për lëvizjen e lirë, teksa bëri me dije se po punohet për njohjen e certifikatave të vaksinimit me vende të treta dhe ritheksoi mbështetjen në vijim për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Siç e dini tashmë tre vende të Ballkanit Perëndimor janë vlerësuar ‘zonë e gjelbër’ për lëvizjen e lirë  dhe ne duam që kjo verë të jetë shumë më e mirë se e vitit të kaluar, sa i takon lëvizjes së lirë dhe besojmë se e tillë do të jetë. Ne e kemi treguar se jemi krah vendeve të Ballkanit Perëndimor me mbështetjen e dhënë edhe sa i takon sigurimit të vaksinave anticovid dhe do ta thellojmë këtë mbështetje në muajt në vijim. Nga ana tjetër ne po punojmë për një sistem, për të njohur certifikatat e vaksinimit edhe nga vendet e treta”, tha Varhelyi.

Ministri Gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn tha se vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë konsiderohen nga Gjermania si zona me risk të ulët, duke iu referuar të dhënave të Institutit të njohur Robert Koch.

“Është shumë i rëndësishëm forcimi i bashkëpunimit mes vendeve sa i takon ‘udhëtimit të sigurt’. Për Gjermaninë, vendet e Ballkanit Perendimor tashmë janë zona me risk të ulët të përhapjes së Covid19. Por duhet parë me kujdes varianti Delta, i cili duhet thënë se po përhapet edhe në Gjermani”, tha Spahn.

Trendin pozitiv të situatës epidemiologjike të vendeve të Ballkanit Perëndimor e konfirmoi edhe zv/Presidenti i Institutit Robert Koch, prof. Lars Schaade.

Samiti i Ministrave të Shëndetësisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, u zhvillua në kuadër të Procesit të Berlinit. Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ky proces filloi dhe u prezantua në 28 Gusht 2014, nga Kancelarja Gjermane Angela Merkel.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Çmontohet organizata shqiptare që kontrabandonte drogë nga Belgjika drejt Britanisë, mbi 30 kontrolle banesash dhe disa të arrestuar

Çmontohet organizata shqiptare që kontrabandonte drogë nga Belgjika drejt Britanisë, mbi 30 kontrolle banesash dhe disa të arrestuar