Sanije Bollati/ Një vjershë, si një dëshmi e tragjedisë çame

Sanije Bollati/ Një vjershë, si një dëshmi e tragjedisë çame

Këto ditë, duke kërkuar në dosjet e arkivit tim modest për Çamërinë, gjeta të fotokopjuar vjershën “Sanije Bollati” , shkruar nga Gjergj Komnino dhe botuar në gazetën “Zëri i Çamërisë”. Gazeta në fjalë ishte organ i Komitetit Antifashist të Emigrantëve Çamër në Shqipëri dhe u botua vetëm në disa muaj,  duke nisur nga gjysma e dytë e vitit 1945. Në faqet e kësaj gazete Gjergj Komnino ka publikuar disa nga krijimet poetike më të dhimbshme kushtuar tragjedisë çame si “Paramithi, Paramithi”, “Rruga e kthimit”, “Sanije Bollati”.

Do të duhej një studim i veçantë kushtuar jetës dhe veprës së Gjergj Komninos, që siç shkruan shkrimtari durrsak Shpend Topollaj, ishte “diplomuar jasht shtetit, ku kish mbrojtur shkëlqyeshëm diplomën me një studim për Luixhi Pirandelon. Këtë intelektual, në damarët e të cilit “ rridhte gjak princësh e deri perandorësh”, këtë antifashist të orëve të para, regjimi komunist do ta burgoste. Agim Musta në librin “Mandelët e Shqipërisë”, mes të tjerash, kujton edhe fjalët e Komninos: “ Më dënuan me vdekje më 1956 –ën. Gjashtë muaj duke ngrënë si qeni, në koritë, gjashtë muaj me duar e këmbë të lidhura me hekura, gjashtë muaj duke urinuar në tesha, gjashtë muaj …. ".

Le të rikthehemi te poezitë e Gjergj Komninos kushtuar tragjedisë çame. E përbashkëta e tyre është dhimbja e skajshme dhe tragjizmi deri në ulërimë. Poeti duket se është njohur nga afër me plagën çame dhe trupin e sfilitur të Çamërisë. Ai është bërë pjesë e kësaj tragjedie dhe duket sikur edhe trupi i tij është me plagë që ende rrjedhin gjak. Mendoj se poezia “Sanije Bollati” është nga më tragjiket. Atmosfera është danteske. Duket, se ajo flet në boshllëk diku mes tokës e qiellit.

Ka 37 vargje dhe në fund një sqarim për lexuesin: “ Sanije Bollati është një viktimë e monarko-fashistëve grekë, të cilët e dogjën pak nga pak dhe e masakruan tmerrisht”. Në librin"Kongresi Antifashist Çam", përgatitur për botim nga Hektor Sejko, mes të tjerave në kapitullin "Shënime rreth referateve dhe diskutimeve, që u zhvilluan në kongresin e çamërve", shkruhet: "Gjergj Komnini(i ftuar) reciton dy poezi epike tragjike nga episodet e tragjedisë çame të fundit:

- Sanije Bollati

- Pjesë e Këngës së Parë

- Gallataja

- Kënga e fundit(e kthimit)

Poezinë në fjalë, po e publikojmë në variantin origjinal, siç është botuar 74 vjet më parë.

Kush është Sanije Bollati? Ka lindur në qytetin e Paramithisë, bijë e një prej fiseve të hershme të këtij qyteti (ku ndodhjet ende në këmbë kulla e Bollatatëve) dhe martuar po në këtë qytet në familjen Nuri. Është me interes për lexuesin të bëj të njohur deklaratën noteriale të Fadil Nurit, që mban datën 26 janar 2005, lindur në Paramithi në vitin 1935 dhe është biri i Sanije Bollatit . Po citoj një pjesë të dëshmisë e tij, marrë nga Z. Ilmi Saqe dhe vërtetuar nga noterja Ruko Sako: “Nëna kishte në djep motrën 6 muajshe, Dilenë dhe shkon në banjë për të marrë ndresat e motrës, por kriminelët e djegin. Nëna del nga banja duke u djegur gjithë flakë. Unë fillova të qaja me të madhe, duke parë nënën që i digjej gjithë trupi flakë. Një zervist më qëllon dhe më shtynë nga kati i dytë dhe më rrëzon nëpër shkallë, duke u vrarë dhe coptuar . U mbusha tërë gjak nga plagët që mora. Kjo shenjë që kam në ballë është nga këta kriminelë. Nëna vazhdonte të digjej, deri sa humbi ndjenjat. Ajo është përcëlluar komplet, mishrat e trupit ishin nxirë dhe vende- vende kullonin gjak. … Buzët ishin djegur,  dhëmbët ishin përjashta. Nga djegia trupi ishte rrudhosur dhe tkurrur. Ishte një pamje lemeritëse. Ajo pamje më ka shoqëruar dhe do të shoqërojë deri sa të rroj…. Kriminelët vranë në djep edhe motrën, Dilenë 6 muajshe…..”

Dëshmia e lartpërmendur, e pashembullt në kanibalizmin e bandave zerviste ndaj popullsisë të pafajshme çame, më sjell ndërmend  historianin bashkëkohor grek Jorgos Margaritis, i cili në librin “Bashkëpatriotë të padëshiruar”, shkruan për Paramithinë, që më 27 qershor 1944 “ qyteti u kthye në thertore…. Rreth pesëqind persona u vranë me mënyrat më çnjerëzore. Keqtrajtimi i përgjithshëm i grave dhe rrëmbimi i pasurisë, e plotësonin këtë kuadër”.

Me këtë rast i bëjmë një thirrje opinionit të shëndoshë grek: Etërit tuaj të mëdhenj të lashtësisë, ata që i dhanë një dimension tjetër më pas kulturës botërore, në tragjeditë e jashtëzakonshme që shkruan trokitën fort në ndërgjegjen e bashkëkohësve dhe brezave, duke bërë katarsis. Hiri i trupit të vdekur të Sanije Bollatit në Paramithinë martire është akoma jashtë, pakallur në dhe. Të pakallur në dhe janë edhe eshtrat e pleqve , burrave e grave apo femijëve masakruar barbarisht nga bandat famkeqe të Napoleon Zervës. Në emër të atyre shpirtërave, që nuk gjejnë qetësi, të paktën lejonani t’u vëmë nga një trëndafil atje ku janë: në viset tragjike të Çamërisë tonë.

Kjo poezi u flet.  Zëri që del nga shkrumbi i trupit të zhuritur të Sanije Bollatit, ju flet. Dëgjojeni këtë zë dhe atë të poetit Gjergj Komnino!

Duke u larguar me dhunë nga trojet stërgjyshore, çamërit e të gjithë moshave, fiksuan në kujtesën e tyre imazhet e tmerrshme të tragjedisë, pamjet makabre të krimeve të banditëve zervistë, e cila është transmetuar nga brezi në brez me një vërtetësi të habitshme. Pamjet e qiellit, retë, shirat,  erërat, ngricat e dëbora apo ditët e nxehta, imazhet e shtëpive të djegura, brigjet e detit, ujërat e turbullta të lumenjëve Kalama dhe Aheron, shtigjet dhe monomatet nga kanë kaluar, zërat e viktimave të pafajshëm, kokat e prera, kalldrëmet e  përgjakura, gjymtyrë të flakur nëpër kanale, gra shtatëzëna me barqe të çara etj, etj, përbëjnë kujtesën e dhimbjes çame.

Asnjë ligj i botës, ka shkruar shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, asnjë formim kulturor nuk mund t`i bëjë njerëzit të mos kenë kujtesë e aq më pak, të mos kenë nostalgji. Është një dhembje që nuk ikën ngaqë dikush e shpall të paligjshme. As duke bërë sikur nuk e di, aq më pak, kur sillesh pa nderim ndaj saj.

SANIJE BOLLATI

NGA GJERGJ KOMNINO

Është cikna e mishit t'im të cëritur

Është shkrumbi i trupit t'im të zhuritur

Ja hiri që mbeti nga eshtërat e mija

Veç vojtje të thella i di Perëndija.

 

Fat-zezë kush bije në duart e tyre

Çfarë mënxyrë:

M'i dogjën mishërat pak e nga pak,

E sytë i kullonin me lotë e gjak.

 

Ulërita sa munda dhe lypja mëshirë,

Po më kot, se Strungari me shpirtin e nxirrë,

Dëfrente, sodiste: kujë, o gjëmë,

Si digjej një mëmë.

 

Për mua do qe një vojtje më pak,

Si kur me një herë të zhdukesha në flakë.

Dhe zjarri oh zjarri, i ëmbël sheqer,

Se sa kur dejtë m'i preu neshteri,

Dhe ditë me rradhë me të më cfilitnin.

 

Më e dashur qe vdekja, më i ëmbël qe vreri.

"Paratë, paratë" ata më gërthitnin.

 

Kështu më foli Sanije Bollati,

Mornica, mornica, m'u ngjeth tërë shtati,

E leshërat si drizë m'u ngritën përpjetë,

Fytyra e saj u bë krejt e zbehtë:

 

- Unë jam hieja e hijes s'ime,

Më kot mundohesh duke fytyruar.

Se ç'tmerre kam parë, se ç'farë kam duruar,

Sa vojtje e mundime

Nuk mund të kallzohen, nuk thuhen me fjalë.

 

Dhe lotët si breshër, i shkonin pa ndalë.

Poet, o poet, për vojtjet e mia,

Në qoftë se vërtet t'u dhëmbë Çamëria

Mbaj mëmd ç'po të them, t'a lë amanet:

 

E llërët e saja i griu me dhëmbë.

"M'i thuaj Lutfiut në është i gjallë

Që armën të marrij, të dali në ballë

E hiri i im mos shkelet me këmbë

Nga thundra e barbarit".

Sanije Baollati është një viktimë e monarkofashistëve grekë, të cilët e dogjën pak nga pak dhe e masakruan merisht.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kristina: 15/10/2023 14:54

    Pershendetje! Une jam mbesë e poetit Gjergj Komna ose Komino ose Komnina dhe jam shume e lumtur qe ai ka shkruar per teagjedine Çame qe te tmerron kur e degjon,jo me ta kesh perjetuar.Me vone,pas prishjes se marredhenueve me Rusine,Gjergji perjetoi vuajtje te tmerrshme prej 12 vitesh,ne burgjet e Diktatures.Por dhe kur doli nga burgu,shiste poezite per pak leke qe te ushqehej dhe ato poezi botoheshin ne emrin e nje pseudo-poeti qe dergonte njeri per t'ia blere.Po te gjendet se cili ishte ai qe i zuri vendin e punes Gjergjit,sepse ate e spiunoi shoku per t'i zene.vendin,gjenden dhe keto poezi qe nuk i takojne atij qe i bleu.Ju falenderoj juve qe e permendni dhe e vleresoni Gjergj Komnen,si poet dhe si atdhetar!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen