SARANDE - Plazhet e Sarandës janë të ndotura. Ka qenë ky konstatimi më i fundit i specialistëve të Sektorit të Higjienës në DSHP. Në bazë të një raporti të dalë pas një inspektimi në terren, të gjitha plazhet publike në qytetin e Sarandës, konsiderohen të ndotur dhe rrjedhimisht jo të përdorshëm për pushuesit.

Disa prej këtyre të fundit, sapo kanë zbuluar ekzistencën e një kanali të rrjedhjes së lirë të ujërave të zeza në det, janë alarmuar dhe filluan të iknin në masë duke lënë përgjysmë pushimet.

Sipas kreut të Higjienës në Sarandë, Jorgo Mërtiri, situata është vërtetë alarmante. Gjatë një inspektimi të kryer ditët e fundit, specialistët e higjienës në DSHP, kanë konstatuar një ngarkesë të lartë të mbetjeve të lëngshme. Për këtë ata kanë vënë në dijeni me një shkresë zyrtare nënprefektin, Gjergji Mano, kryetarin e Bashkisë, Stefan Cipa, si dhe institucionet e tjera përgjegjëse.

Ndonëse alarmi është përcjellë zyrtarisht tek të gjitha instrumentet shtetërore, deri tani masat duken tepër të largëta.

(pn/shqiptarja.com)